Kardinali Daniel Di Nardo Kardinali Daniel Di Nardo 

Abuzimet: Konferencat ipeshkvnore të botës mbështesin Papën

Kisha të ndryshme të botës i shkruajnë Françeskut, duke e siguruar për mbështetjen dhe bashkimin me angazhimin e shërbesës së tij papnore në luftë kundër abuzimeve.

R. SH. - Vatikan

Bashkim, kolegjialitet, mbështetje, besnikëri, bashkëpunim: këto, termat më të përdorura në letrat e hapura, që Konferencat ipeshkvnore të botës vijojnë t’i dërgojnë Papës Françesku në këto orë. Shkruhen pas botimit të dokumentit të imzot Carlo Maria Viganò, ish-nunc apostolik, që akuzon Papën dhe kardinajtë e tjerë për mbulimin e abuzimeve të kardinalit Theodore McCarrick. Mbas akuzës për shpërdorimin e një të mituri, më  27 korrik, Papa pranoi dorëheqjen e tij, duke i ndërprerë të drejtën për të gjitha shërbesat publike.

Vlerësim për vendimin e Papës

Episkopatet i shprehin afërsinë e tyre Papës: ipeshkvijtë e Perusë, për shembull, nënvizojnë “mbështetjen vëllazërore e edhe ipeshkvnore për mënyrën e kthjelltë, të guximshme dhe të vendosur me të cilën Papa e drejton barkën e Shën Pjetrit”. “Mbështetje e nevojshme, përballë qëllimeve për ta destabilizuar Kishën dhe shërbesën e tij”. Në krye të listës, edhe Celam - Këshilli i Konferencave episkopale të Amerikës Latine - që në një letër të 26 gushtit, e falënderon Papën Françesku për shërbimin e tij plot vetëmohim ndaj Kishës dhe i premton “besnikëri, afërsi e bashkëpunim, që e vërteta të shkëlqejë, përtej çdo mëkati”.

Punë baritore e palodhur

Mirënjohje shprehin edhe ipeshkvijtë e Paraguajt, që e falënderojnë Papën për udhëheqjen dhe për vazhdimësinë e paraardhësve, “me shumë përvujtëri e vendosmëri” në luftën kundër abuzimeve.

Afërsi edhe nga Konferenca ipeshkvnore spanjolle, kryesuar nga kardinali Ricardo Blázquez: “Atë i Shenjtë. Ju nuk jeni vetëm” - shkruan kardinali, që falënderon Zotin për “punën e palodhur baritore”, çuar përpara nga Papa si dhe për përkushtimin në shërbesën papnore.

Reagimi i ipeshkvijve të SHBA-ve

“Në këto ditë të vështira, që po kalon Papa, i shprehim dashurinë tonë vëllazërore – pohon kryetari i episkopatit të SHBA-ve, kardinali Daniel DiNardo – “ndërsa kjo plaga e hapur e abuzimeve na sfidon, duke na kujtuar se duhet të jemi të vendosur në kërkimin e së vërtetës e të drejtësisë”. Kardinali i kërkon një audiencë Papës, për t’u mbështur në ndihmën e tij lidhur me planin e veprimit të ipeshkvijve amerikanë, frymëzuar nga Letra e fundit e Françeskut drejtuar popullit të Zotit, në të cilin përfshihen “propozime më të hollësishme”, për të thjeshtuar sinjalizimin e sjelljeve të parregullta nga ana e ipeshkvijve dhe për procedurat  lidhur me pakënaqësitë kundër tyre. Prelatë të tjerë, si kryeipeshkvi i Philadelfias, Charles Chaput e Thomas Olmsted, ipeshkëv i Phoenix, theksojnë se nuk i njohin nga afër faktet, por flasin fjalë të mira për Viganò-në. Ipeshkvi i San Diegos, Robert McElroy,  pohon se dëshmia e Viganò-së është shtrembërim i fakteve e se sulmet e tij frymëzohen nga urrejtja për Papën Françesku e për gjithçka që mëson. “Së bashku me Papën Françesku - pohon -  besojmë se verifikimi i pohimeve të Viganò-së do të ndihmojë për të gjetur të vërtetën”.

 

30 gusht 2018, 16:50