Papa Françesku lutet për mbrojtjen e të miturve Papa Françesku lutet për mbrojtjen e të miturve 

Abuzime në Pensilvani. Papa: të çrrënjoset ky tmerr; përparësi për viktimat

Deklaratë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi raportin për abuzimet e eksponentëve të Kishës në Pensilvani: turp e dhimbje, Papa është me viktimat.

R.SH. - Vatikan

“Para raportit të publikuar në Pensilvani kësaj jave, dy janë fjalët, që mund të thuhen për ndjenjat para këtyre krimeve të tmerrshme: turp e dhimbje”. Kjo është deklarata e sotme e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke.

         “Selia e Shenjtë – nënvizon ai – e merr parasysh me seriozitet të madh punën e kryer nga Investigating Gran Jury (Juria Hetimore) e Pensilvanisë  dhe raportin e gjatë, realizuar prej saj. Selia e Shenjtë dënon pa mëdyshje abuzimin seksual me të miturit. Shpërdorimet e përshkruara në raport janë të dënueshme penalisht e moralisht. Këto akte e kanë tradhtuar besimin dhe u kanë vjedhur viktimave dinjitetin e fenë”.

Raporti dhe dhimbja e ipeshkvijve amerikanë

         Raporti 900 faqësh i Jurisë ka të bëjë me gjendjen e abuzimeve të klerit në gjashtë nga tetë dioqezat e Pensilvanisë. Në dy të tjerat janë bërë hetime më parë. Për dy vjet, hetuesit kanë marrë në shqyrtim një dosje, që ka të bëjë me 70 vjetët e fundit e ku përfshihen 1000 viktima. Përveç emrave të abuzuesve, në raport përmenden edhe të gjitha prapaskenat për t’i mbuluar rastet e abuzimeve. Dioqezat kanë publikuar emrat në faqet e tyre të internetit, madje edhe ata, që nuk përmenden në raport. Ipeshkvijtë e Pensilvanisë, në deklaratat e tyre, shprehën “turpin dhe trishtimin e thellë” për gjendjen e krijuar dhe theksuan se në të gjitha ambientet e Kishës Katolike është ndërmarrë udha e shërimit nga ky tmerr.

Përgjegjësi për abuzuesit e për ata, që i kanë fshehur

         “Kisha duhet të mësojë nga leksionet e rënda të së kaluarës. Përgjegjësinë duhet ta marrin përsipër si ata, që kanë abuzuar, ashtu edhe ata, që kanë lejuar që kjo të ndodhë – vijon deklarata e sotme e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke. - Pjesa më e madhe e raportit ka të bëjë me abuzime para viteve të para 2000. Duke mos gjetur raste pas vitit 2002, përfundimet e Grand Jury përkojnë me studimet e mëparshme, që kanë dëshmuar se reformat e bëra nga Kisha Katolike në SHBA-të i kanë pakësuar në mënyrë drastike abuzimet e klerit. Selia e Shenjtë inkurajon reforma të vazhdueshme e vigjilencë në të gjitha nivelet e Kishës Katolike për të garantuar mbrojtjen e të vegjëlve dhe të të rriturve të brishtë. Gjithashtu, nënvizon nevojën për t’iu bindur legjislacionit civil, përfshirë detyrimin për të denoncuar rastet e abuzimeve me të miturit”.

Papa është me viktimat

         “Ati i Shenjtë – përfundon Greg Burke – e kupton mirë sa mund ta cënojnë fenë dhe shpirtin e besimtarëve këto krime, prandaj bën sërish thirrje për çdo përpjekje në favor të krijimit të një ambienti të sigurtë për të miturit e për të rriturit e brishtë në Kishë e në gjithë shoqërinë. Viktimat duhet ta dinë se Papa është me ta. Ata, që kanë vuajtur, janë përparësi për të e Kisha dëshiron t’i dëgjojë për t’i dhënë fund kësaj tragjedie të tmerrshme, që shkatërron jetën e të pafajshmëve”.

17 gusht 2018, 13:25