Kërko

Jezu Krishti Jezu Krishti 

25-vjetori i Veritatis Splendor. Imz. Fisichella: kush kritikon Papën, nuk është besnik ndaj traditës katolike

Kaluan 25 vjet nga botimi i letrës enciklike të Shën Gjon Palit II, “Veritatis Splendor”, drejtuar gjithë ipeshkvijve të Kishës katolike. Imzot Fisichella: kush kritikon Papën Françesku, duke u mbështetur, ndërmjet tjerash, edhe mbi këtë dokument, nuk është besnik ndaj traditës katolike

R. SH. - Vatikan

Letra enciklike Veritatis Splendor është reflektim mbi çështjet themelore të mësimit moral të Kishës dhe paraqet “arsyet e mësimit moral, të bazuar mbi Shkrimin Shenjt dhe mbi traditën e gjallë apostolike”. “Duhet - lexohet në dokument - që njeriu i sotëm  të  kthehet përsëri tek Krishti, për ta marrë prej Tij përgjigjen mbi çka është e mira e çka, e keqja”. Në këtë intervistë, dhënë Vatican News, imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, kujton aspektet kryesore të kësaj enciklike dhe nënvizon se nuk ka kurrfarë shkasi për ta kundërshtuar shërbesën e Papës Françesku, parë në dritën e magjisterit pararendës:

Veritatis Splendor, enciklika e Gjon Palit II, ndër rrethana kulturore në ndryshim të vazhdueshëm, të sunduara nga shekullarizmi, e, si pasojë, edhe nga relativizmi i fortë filozofik, paraqet - siç na e tregon edhe titulli i veprës së Von Balthasar “Parime të palëvizshme” - pikat themelore, të cilat mbeten pika të përhershme referimi për doktrinën e krishterë.

Me që kujtuam “parimet e palëvizshme”, çfarë do të thotë Papa Gjon Pali II, kur flet për  të vërtetat e  pandryshueshme, për normat morale universale?

Para së gjithash, kur flasim për të vërtetën, duhet të kemi përherë parasysh një koncept dinamik. E vërteta nuk është përmasë e pandryshueshme. E vërteta, për të krishterët, është sidomos Fjala e gjallë, që na e la Zoti. Të mos e harrojmë Jezusin, që thotë: “Unë jam udha, e vërteta, jeta”. Prandaj mund të themi se përmasa e së vërtetës i hap udhën takimit personal: është e vërteta e Ungjillit, e vërteta  e përfaqësuar nga vetja e Jezu Krishtit. Gjithçka që Jezusi deshi t’ua transmetojë dishepujve të vet e që arrin deri tek ne përmes apostujve, është një e vërtetë, e cila hap gjithnjë më shumë udhën për thellimin e misterit, që na u zbulua. Ka disa pika themelore, që mbeten si gurë kilometrikë në mësimin dogmatik e moral të Kishës. Këto janë elemente të pandryshueshme. Natyrisht, e gjithë kjo kërkon, pastaj, nga ana e teologëve - ashtu siç shprehet edhe Enciklika Veritatis Splendor - një veprimtari të madhe interpretimi. Norma e pandryshueshme bazohet mbi të vërtetën e Ungjillit.

Jemi, pra, në fillim të dinamizmit të të vërtetave të përhershme, të lidhura ngushtë me traditën. Prej këndej, mund të themi se ka një vazhdimësi, e cila përtërihet vazhdimisht….

Absolutisht. Kisha katolike nuk mund ta pranojë, sipas meje, idenë e së vërtetës së mbyllur në vetvete. E vërteta, për vetë natyrën e saj, të kujton besnikërinë e edhe lirinë.  “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Një e vërtetë, që shtrihet gjithnjë më shumë, është e vërtetë, e cila e bën çdo besimtar e çdo njeri, të zbulojë një liri përherë më të plotë. Por kjo, kujtoj, kërkon edhe besnikëri. Lidhja ndërmjet besnikërisë dhe së vërtetës është tipike për konceptin biblik të së vërtetës.

Kjo mënyrë e të kuptuarit të së vërtetës, pra, kërkon edhe besnikëri. Disa sektorë të Kishës e kritikojnë Papën Françesku sepse, sipas tyre, shmanget nga doktrina katolike  e, për këtë,  kujtojnë posaçërisht Veritatis Splendor. Mendimi juaj?

Magjisteri nuk duhet përdorur kurrë me paramendime, për të krijuar kontrast në zhvillimin e doktrinës. Kur jemi para përdorimit me paramendim, atëherë druhem se nuk ka dëshirë për zbulimin e së vërtetës e se aty nuk ka as besnikëri ndaj traditës së Kishës. Mendoj edhe se nuk ka asnjë grremçë për t’iu kundërvënë magjisterit të Papës Françesku, parë në dritën e magjisterit pararendës. Ndërsa çka duhet ripohuar, është vazhdimësia e ndjeshme në zhvillimin e tij. Mendoj edhe se ka shumë rëndësi të lexohet me vëmendje i gjithë magjisteri i Papës Françesku, e jo vetëm ndonjë fjalim: mozaiku përbëhet nga tërësia e gurëve, jo nga një gur i vetëm.

Magjisteri i Papës Françesku, sipas jush, duhet lexuar si mozaik, në tërësinë e tij, jo duke u kapur pas gurëve të veçantë. Cila është, atëhere, fytyra e vërtetë e këtij magjisteri, e këtij mësimi kaq të lartë nga ana e Papës Françesku?

Është hapje e madhe në veprimtarinë e ungjillëzimit. Në të cilën norma nuk i paraprin kumtimit. Më duket se elementet e mëdha duhet të jenë këto: takimi me vetjen e Jezusit, kumtimi i vazhdueshëm, që duhet të bëjë Kisha, që janë të thirrur ta bëjnë barinjtë, për t’u takuar me të gjithë. Kjo është ideja e Kishës në dalje e, prej këndej, edhe aftësia – siç thuhet në Evangelii Gaudium - për t’u shoqëruar me bashkëkohasin tonë, për të ecur pranë tij duke e kuptuar, për të kuptuar realisht edhe çka janë instancat e nganjëherë, pse jo, për të bërë edhe ndonjë hap mbrapa. Buron, kështu, kjo përmasë, njëherësh me kërkesën e mëshirës. Jubileu i Mëshirës ishte shenjë konkrete, që tregoi sesi Papa Françesku e përvijon dhe e orienton papninë e tij.     

06 gusht 2018, 15:50