Thirrjet e Papës për Nikaraguan, Sirinë, Etiopinë dhe Eritrenë

Pas lutjes mariane, Papa Françesku e ngriti përsëri zërin, duke kërkuar paqe për Nikaraguan, Sirinë, Etiopinë dhe Eritrenë. E posaçme, lutja për popullsinë siriane, që t’i kursehen vuajtje të reja.

R. SH. - Vatikan

Françesku vijon të ngrejë me forcë zërin për paqen e të lutet, që ajo të jetë konkrete dhe afatgjatë. Sot, pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, bëri disa thirrje të forta, drejtuar kombeve të trazuara nga dhuna politike, shoqërore, ekonomike, pa harruar t’i lavdërojë të gjitha përpjekjet për dialogun dhe demokracinë, protagoniste e të cilave, në këtë kohë historike, është Kisha e Nikaraguas,  sot e përfaqësuar në Sheshin e Shën Pjetrit, nga një delegacion të rinjsh.

Nikaragua

Duke kujtuar Nikaraguan, Papa theksoi: “Përsëris lutjen time për popullin e dashur të Nikaraguas dhe bashkohem me përpjekjet e fundit, që po bëjnë ipeshkvijtë e vendit dhe shumë njerëz vullnetmirë, në rolin e ndërmjetësimit e të dëshmisë në procesin e dialogut kombëtar, për vijimin e udhës së demokracisë”.

Dhimbja për Sirinë

Në zemrën e Papës, një vend të veçantë zë edhe Siria, e dërmuar nga vite të gjata dhune e lufte e, këto ditë, e tronditur thellë nga veprime të reja ushtarake, që nuk po e kursejnë as popullsinë civile, viktima e parë e konfliktit.

Situata në Siri vijon të jetë e rëndë, posaçërisht në provincën e Daraa, ku gjatë aksioneve ushtarake të këtyre ditëve të fundit, u goditën edhe shkollat  e spitalet,   duke shkaktuar mijëra të shpërngulur të rinj. Përsëris - nënvizoi Papa -  njëherësh me lutjen, thirrjen time, që kësaj popullsie, tejet të vuajtur, t’i kursehen vuajtje të reja.

Etiopia dhe Eritrea, drejt dialogut

Shumë, tepër konflikte rëndojnë edhe mbi Kontinentin afrikan, por Papa - i cili para lutjes së Engjëllit të Tënzot i nxiti besimtarët të ndjekin udhën  e fesë - vuri theksin mbi një “lajm të mirë”, që vjen nga qeveritë e Etiopisë dhe të Eritresë, më në fund, të ulura në tryezën e bisedimeve për paqe.

Ndërmjet gjithë këtyre konflikteve, është e detyrueshme të shënohet kjo nismë, që mund të quhet historike, e edhe lajm shumë i mirë: këto ditë, pas njëzet vjetësh, qeveritë e Etiopisë dhe të Eritresë rifilluan bisedimet e përbashkëta për paqen. E Papa uroi që ky takim të ndezë një dritë shprese për këto dy vende të Bririt të Afrikës dhe për mbarë Kontinentin afrikan.

01 korrik 2018, 14:28