Sheshi i Shën Pjetrit gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Sheshi i Shën Pjetrit gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot 

Thirrje e Papës kundër trafikut: t’i kundërvihemi këtij krimi të turpshëm

“T’i jepet fund krimit të turpshëm të trafikut të qenieve njerëzore”: e kërkoi Papa, në prag të Ditës Botërore, shpallur nga OKB-ja.

R. SH. -Vatikan

Pas kremtimit të lutjes mariane, Papa bëri një thirrje të fortë për të denoncuar tregtinë e qenieve njerëzore, në prag të Ditës botërore për sensibilizimin dhe mobilizimin, organizuar nga OKB-ja kundër kësaj plage. Papa e quajti edhe një herë  “krim i turpshëm”, tepër shpesh i lidhur me fenomenin e emigracionit dhe kërkoi veprime të përqendruara të qeverive dhe të shoqërisë civile.

Nesër do të kremtohet Dita botërore kundër trafikut të njerëzve, shpallur nga Kombet e Bashkuara. Kjo plagë i katandis në gjendje skllavi shumë burra, gra e fëmijë, me qëllim që të përdoren për punë, për shfrytëzim seksual, për tregtinë e  organeve, për lypësi e krime të detyruara. Edhe lëvizjet e emigrantëve shfrytëzohen nga trafikantët për të rekrutuar viktima të reja të trafikut. Është përgjegjësi e të gjithëve t’i denoncojmë padrejtësitë e t’i kundërvihemi vendosmërisht këtij krimi të turpshëm.

Fushata e sensibilizmit

Për këtë Ditë botërore edhe seksioni i emigrantëve dhe refugjatëve i Dikasterit vatikanas për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, ka nisur fushatën e sensibilizimit për gjithë muajin gusht. Duke përdorur hashtagun social#EndHuman Trafficking, mund të promovohen nisma për ta luftuar trafikun dhe për të përhapur informacione të nevojshme në Twitter, Facebook dhe Instagram, duke i denoncuar të gjitha format e skllavërisë.

Numrat

Industri e llahtarshme, kjo e trafikut, që faturon 150 miliardë dollarë në mbarë botën: vetëm në 2016-tën, pothuajse 10 milionë fëmijë e adoleshentë u katandisën në skllevër, u shitën e u shfrytëzuan në rrallë të parë për qëllime seksuale e pune të rëndë. Më se 40 milionë të shfrytëzuar, ndër të cilët, një ndër dhjetë, grua ose vajzë. Edhe Bashkimi Evropian nuk është i paprekur nga fenomeni; janë 30.146, nga të cilët më se një mijë të mitur, viktimat e trafikut e të shfrytëzimit, përballë vlerësimeve që flasin për rreth 3,6 milionë njerëz të katandisur në skllavëri në Evropë, më 2016.

Përgjegjësi e vetëdije

Jo një herë Papa Françesku e ka ngritur velin e indiferencës përballë kësaj plage të turpshme, duke i nxitur të gjithë  të vetëdijësohen në nivel politik  e institucional, por edhe në atë individual. Prandaj nga Dikasteri shkruajnë: “Kërkojmë t’i ndajmë bashkërisht propozimet tona për të sensibilizuar lidhur me këtë problem të lënë në harresë. E gjithnjë duke cituar Papën, kujtohet se: “Puna për sensibilizimin duhet nisur nga shtëpia jonë, nga vetvetja jonë, sepse vetëm kështu do të jemi në gjendje  t’i bëjmë të vetëdijshme bashkësitë tona, duke i nxitur të angazhohen që asnjë qenie njerëzore të mos jetë kurrë më viktimë e trafikut”.

29 korrik 2018, 14:07