Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Tri logot e shtegtimit ë Papës në Vendet baltike Tri logot e shtegtimit ë Papës në Vendet baltike 

Shtegtimi Apostolik i Papës në Lituani, Letoni e Estoni

Më 22 deri më 25 shtator, Papa Françesku do të jetë në Lituani, Letoni e Estoni. Botohet programi i shtegtimit.

R. SH. - Vatikan

Njoftohet programi i shtegtimit apostolik të Papës në Lituani, Letoni dhe Estoni, më 22 deri më 25 shtator.

Lituania

Papa do të arrijë në Vilnius, kryeqytet i Lituanisë, mëngjesin e së shtunës, 22 shtator, rreth orës 11.30. Ceremonia e zakonshme e mirëseardhjes do të mbahet në aeroport. Më pas, vizita e mirësjelljes presidentit, në Pallatin presidencial. Në sheshin përballë, Papa do t’u drejtojë fjalën autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit Diplomatik. Pasdite, lutja në Shenjtëroren Nëna e Mëshirës, vizita në Katedrale e, më pas, në sheshin para saj, takimi me të rinjtë, të cilëve Françesku do t’u drejtojë një fjalim.

Ditën e dytë të shtegtimit, Papa do të shkojë në  Kaunas, qyteti i dytë në Lituani për numër banorësh. Në Parkun Santakos do të kremtojë Meshën dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pastaj do të drekojë me ipeshkvijtë në Pallatin e Kuries. Veprimtaria tjetër, takimi me priftërinjtë, rregulltarët, të kushtuarait dhe seminaristët, në katedrale. Pas rikthimit në Vilnius, vizita dhe  lutja në “Muzeumin e pushtimeve dhe të luftës për liri”.  

Letonia

Të hënën, më 24 shtator, Papa do të niset me avion për në Riga, kryeqytet i Letonisë. Në aeroport, ceremonia e mirëseardhsjes e, më pas,  në oborrin e Pallatit presidencial, vizita e mirësjelljes presidentit. Në sallonin e pritjeve, Françesku do të mbajë një fjalim gjatë takimit me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik e do të vërë lule pranë Monumentit të Lirisë. Në vijim, do të flasë gjatë takimit ekumenik në Rigas Doms e  do të vizitojë  katedralen katolike të Shën Jakut. Pas drekës me ipeshkvijtë, në Shtëpinë kryeipeshkvnore të Familjes Shenjte, do niset me helikopter nga Riga Harbour Halipad në Shenjtëroren  e Nënës së Zotit të Aglonës. Në zonën e shenjtërores, Papa do të kremtojë Meshën. Pastaj,  ceremonia e lamtumirës në heliportin e Aglonës dhe zhvendosja me helikopter në aeroportin ndërkombëtar të Vilnius.

Estonia

Dita e mëpasme, e marta, 25 shtator,  do t’i kushtohet Estonisë, Papa do të niset me avion nga Vilnius - ku do të organizohet edhe ceremonia e lamtumirës - për Talin, ku do të arrijë rreth orës 9.50. Në aeroportin e kryeqytetit të Estonisë, mikpritja zyrtare e, më pas, ceremonia e mirëseardhjes, në sheshin para pallatit presidencial; vizita e mirësjelljes presidentit dhe, në Kopshtin e Trëndafilave, takimi, me fjalimin drejtuar autoriteteve, shoqërisë civile edhe Trupit diplomatik. Do të vijojë  vizita në kishën luterane të Shën Karlit dhe takimi ekumenik me të rinjtë, të cilëve Papa do t’u drejtojë fjalën. Një ndalesë, më pas, për drekën, me grupin shoqërues papnor, në kuvendin e Motrave Brixhidine, në Pirita, për të vijuar me përshëndetjen drejtuar të asistuarve nga veprat e dashurisë së krishterë të Kishës, në katedralen e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Së fundi, Mesha në Sheshin e Lirisë dhe ceremonia e lamtumirës, në aeroportin e Talinit. Arritja në aeroportin romak të Ciampinos, parashikohet për orën  21.20  të së martes, 25 shtator.

 

09 korrik 2018, 13:54