Versioni Beta

Cerca

Vatican News
San Tommaso, Evangeliario di Ottone III San Tommaso, Evangeliario di Ottone III 

Papa Françesku në festën e Shën Tomës: Hyji takohet duke puthur plagët e Jezusit

Papa Françesku: “Për të takuar Hyjin e gjallë, duhet të puthim me dashuri të pamasë plagët e Jezusit në vëllezërit tanë të uritur, të varfër, të sëmurë, të burgosu": kështu u shpreh në Meshën e 3 korrikut 2013, në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

Kisha katolike, sot më 3 korrik, përkujton festën e Shën Tomës Apostull. Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”. Figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë kudo në botë. 

Ja si na e përshkruan Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar më 3 korrik të vitit 2013 në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Me atë rast, Papa Bergoglio pati thënë: “Për të takuar Hyjin e gjallë, duhet të puthim me dashuri të pamasë plagët e Jezusit në vëllezërit tanë të uritur, të varfër, të sëmurë, të burgosu"r: këtë theksoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, më 3 korrik të vitit 2013, duke komentuar Ungjillin e festës së Shën Tomës Apostull.

Mbas ngjalljes, Jezusi iu duk apostujve, por Toma nuk ndodhej aty. E Zoti deshi që ai të priste një javë, shpjegoi Papa Françesku. Zoti i di mirë punët e veta. E i jep secilit nga ne kohën, që atij i duket më e arsyeshme. Tomës i dha një javë kohë. E pas një jave, u riduk me plagët e veta. Korpi i tij ishte krejt i pastër, mrekullisht i bukur, plot dritë. Kështu e përshkroi Papa Bergoglio Zotin Jezus në atë ças, por plagët, shtoi, ishin aty, e janë akoma. E kur Zoti do të vijë në mbarim të kohëve, do të na i tregojë plagët e veta, e edhe ne do t’i shikojmë, si Toma. Si apostulli, që nuk besonte aq lehtë. Donte t’i prekte me gisht plagët e Zotit: 

“Ishte kryeneç. Po Zoti deshi pikërisht një njeri kokëfortë, për të na bërë të kuptojmë një gjë më të madhe. Toma e pa Zotin, e Ai e ftoi t’i prekte me gisht plagët e gozhdave e të vinte dorën në plagën e kraharorit. Apostulli i vuri, por nuk tha: ‘Është e vërtetë, Zotit u ngjall!’. Jo! Shkoi edhe më përtej. Tha: ‘Hyji im!’. Duke u bërë kështu i pari apostull, që dëshmonte hyjninë e Krishtit, pas Ngjalljes. Tha kështu, dhe e adhuroi”. 

E kështu, vijoi Papa Françesku, kuptohet edhe cili ishte ndjeti i Zotit, që e bëri të priste: ta përdorte mosbesimin e tij jo për të pohuar ngjalljen, por natyrën e Tij hyjnore. Udha për takimin me Jezusin-Zot, nënvizoi Papa Bergoglio, janët plagët e Tij. S’ka asnjë rrugë tjetër:

Në historinë e Kishës nuk munguan gabimet në përpjekjen për të gjetur udhën drejt Zotit. Disa besuan se Hyjin e gjallë, Hyjin e të krishterëve, nuk mund ta gjejmë përmes udhës së meditimit e se duhet shkuar më lart sesa meditimi. Kjo është e rrezikshme, eh? Sa humbasin në këtë udhë e nuk e arrijnë kurrë cakun! Arrijnë, sigurisht, në njohjen e Hyjit, po jo të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, Vetjes së tretë të Trinisë. Tek Krishti nuk arrijnë. E kjo është udha e gnostikëve, apo jo? Njerëz të mirë, që punojnë, por që nuk janë në rrugë të drejtë. Rruga e tyre është tejet e ndërlikuar e nuk të çon në limanin e mirë”.

Të tjerë, shpjegoi Papa Françesku, menduan se për të arritur tek Zoti, njeriu duhet ta mundojë veten, të jetë i përkorë. Zgjodhën, prandaj, rrugën e pendesës: vetëm pendesë e agjërim. E as këta nuk arritën tek Hyji i gjallë, Jezu Krishti. Janë pelagjianët, që besojnë se mund të arrihet tek Zoti vetëm me përpjekjet vetjake. Po Jezusi na kujton se udha, që duhet bërë për ta takuar, është ajo e plagëve të tij: 

E plagët e Jezusit ti i gjen duke bërë vepra mëshire, duke iu kushtuar korpit - korpit- e edhe shpirtit, po kryesisht korpit – e nënvizoj, të vëllait tënd të plagosur, sepse ka uri, sepse ka etje, sepse është i zhveshur, sepse është i përbuzur, sepse është skllav, sepse është në burg. sepse është në spital. Këto janë plagët e Jezusit sot. E Jezusi na kërkon të bëjmë një akt feje. T’ia bëjmë Atij, por përmes këtyre plagëve. ‘Ah, mrekullisht mirë! Të themelojmë një fondacion për t’i ndihmuar këta njerëz e të bëjmë, kështu, shumë punë të mira për t’i ndihmuar’. Kjo është e rëndësishme, por në se mbetemi në këtë plan, do të jemi vetëm filantropë. Duhet t’i prekim plagët e Jezusit, duhet t’i ledhatojmë plagët e Zotit, duhet t’i mjekojmë plagët e Krishtit me dashuri, duhet t’ia puthim plagët, e këtë duhet ta bëjmë drejtpërdrejt. Të mendojmë ç’i ndodhi Shën Françeskut, kur puthi të gërbulurin! E njëjta gjë, edhe Tomës. Jeta e tyre u shndërrua!”.

Për ta prekur Hyjin e gjallë, pohoi Papa Françesku, nuk duhet bërë ndonjë kurs përditësimi, por duhet hyrë në plagët e Jezusit. E për këtë, mjafton të dalësh në rrugë. T’i kërkojmë Shën Tomës, përfundoi homelinë e tij Ati i Shenjtë Bergoglio, të ndërmjetësojë që të kemi guximin për të hyrë në plagët e Jezusit me dhembshurinë tonë e, sigurisht, do të kemi hirin të adhurojmë Hyjin e gjallë.

03 korrik 2018, 09:27