Kërko

Libri i don Gilfredo Marengo “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae në dritën e Arkivave të Vatikanit” Libri i don Gilfredo Marengo “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae në dritën e Arkivave të Vatikanit” 

Pas 50 vjetësh, zbulohet zanafilla e “Humanae Vitae” e Palit VI

Në librin “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae në dritën e Arkivave të Vatikanit”, don Gilfredo Marengo publikon disa të dhëna të panjohura, që hedhin poshtë paragjykimet mbi tekstin.

R.SH - Vatikan

Për asnjë enciklikë nuk është dashur një kohë aq e gjatë sa për “Humanae Vitae” të Papës Pali VI, tashmë i lum. Këshilltarë të shumtë si asnjëherë, diskutime e problematika, bënë që për ta nxjerrë në dritë të duheshin pesë vjet, nga 1963-shi deri më 1968. E sidomos, pas botimit, më 29 korrik 1968, enciklika e fundit e Papës Montini shkaktoi një debat aq të madh, sa edhe pas gjysëm shekulli, diskutimet vijojnë.

Arsyet e punës kërkimore pas 50 vjetësh

         Këto ishin arsyet, që e shtynë don Gilfredo Marengo-n, pedagog në Institutin Papnor Teologjik “Gjon Pali II” në lëndën e shkencave të martesës dhe të familjes, të publikojë librin “Lindja e një Enciklike. Humanae Vitae në dritën e Arkivave të Vatikanit”. Vëllimi ka dalë nga tipografia e Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Një leje e veçantë e Papës Françesku i dha mundësinë autorit të shqyrtojë materiale arkivore, të cilat nuk e kishin kaluar akoma kohën 70-vjeçare, që zakonisht nevojitet për t’i bërë publike. Puna kërkimore historike nxorri në dritë një dokumentacion të panjohur, që ndihmon të kuptohet zanafilla e tekstit.

         “Shumë polemika e shumë gjykime kritike mbi Humanae Vitae – shpjegon don Marengo – lindën nga hamendësimet mbi përmbajtjen e saj. Ripërshkimi i kësaj rruge ndihmon në rënien e shumë paragjykimeve, që janë krijuar rreth tekstit, këtyre viteve”.

Tensionet pas Koncilit II të Vatikanit

         “Hartimi e pastaj, reagimi ndaj tij – shpjegon autori – i ndjenë tensionet e para kishtare, pas Koncilit II të Vatikanit, me vendimet e të cilit është i lidhur ngushtë teksti… Nuk qe e lehtë për ata, që bashkëpunuan në përgatitjen e tekstit, të pasqyronin risitë, që kishte parashtruar Koncili. Ekzistonte që më parë një magjister i Papës Piu XII, i cili i kishte njohur e pranuar metodat natyrore të parandalimit të shtatzanisë, por kjo ishte një lloj koncesioni për bashkëshortët e krishterë. Kësaj radhe, duhej bërë një hap përpara, por për brezin që punoi në ato vite, Koncili ishte realitet akoma tepër i ri, siç e tregon bezdia e shprehur nga disa këshilltarë për temat konciliare”. “Njëkohësisht, edhe të tjerë që e kritikuan ‘Humanae Vitae’, niseshin nga paragjykimi tjetër se gjithçka ishte shkruar para Koncilit nuk kishte vlerë. Janë dinamika, që shpërthyen veçanërisht në rastin e ‘Humanae Vitae’, por karakterizuan gjithë periudhën e dhjetëvjeçarëve të parë pas Koncilit”.

Boca dhe këshillimi sinodal

         Ekzistenca e një boce të miratuar të enciklikës e pastaj, të shfuqizuar, si edhe të një këshillimi sinodal mbi metodat e rregullimit të lindjeve, gjatë Sinodit të parë të ipeshkvijve në vjeshtën e vitit 1967, janë dy fakte kryesore të reja, që dalin nga konsultimi i arkivave.

         Puna kërkimore, shpjegon don Marengo, jep mundësinë e interpretimit objektiv të enciklikës, për të hedhur poshtë kështu, dy mite mbi autorin e saj. “Nuk është e vërtetë se Pali VI punoi i vetmuar: madje, kërkoi të gjitha sugjerimet e mundshme e u këshillua me ipeshkvijtë. E s’është e vërtetë edhe se u mundua nga dyshimet, sepse gjykimi i tij ka qenë i qartë që në fillim. Papa Montini u kërkoi gjithmonë gjithë bashkëpunëtorëve të vet ta ndihmonin si ta paraqiste në dritë pozitive arsyetimin e tij. E duhet thënë – përfundon don Marengo – se këta, jo gjithmonë ishin në gjendje t’i përgjigjeshin me fund kërkesave të tij”.

13 korrik 2018, 14:27