Kërko

 Papa dhe zonja e moshuar Papa dhe zonja e moshuar 

Papa viziton papritmas një zonjë të moshuar në rrugën Alessandria

Të shtunën pasdite Papa shkoi në rrugën Alessandria, në Romë, për të vizituar një zonjë të moshuar, e njohura e tij, e paaftë për të lëvizur.

R. SH. - Vatikan

Nuk ishte ndonjë nga të premtet e zakonshme, por një e shtunde mëshire. Dje, pasdite vonë, Papa Françesku u duk, krejt papritmas, me Ford Focusin e tij blu, në rrugën Alessandria, lagjja Salaria e Romës, në një orë kur udha ishte krejtësisht e shkretë, për të vizituar personalisht një zonjë plakë të sëmurë, që  dëshironte prej kohe ta takonte. Me Papën ishin disa xhandarë e policë, të veshur civilë, që ndenjën tek porta e pallatit, ku jeton gruaja.

Vizita zgjati rreth një orë e, si zbriti në rrugë, Françesku u prit nga një grup banorësh, që e takuan me përzemërsinë e zakonshme. Papa ua shtrëngoi dorën të gjithëve, duke shkëmbyer përqafime e buzëqeshje. Posaçërisht u ndalua disa çaste  për të luajtur me një fëmijë, ndërsa një grua e re nuk i mbante dot lotët nga emocioni. I njoftuar për praninë e Papës, një burrë i sëmurë, që jeton në të njëjtën ndërtesë me zonjën plakë, ngarendi ta takonte, për të marrë  ngushëllim e për të kërkuar lutje, gjë për të cilën Papa e siguroi. Françesku vijoi t’i përshëndeste të pranishmit, duke i bekuar.

Ishte, pra një çast gëzimi për këtë lagje, që Papa e njeh mirë. Pak më tutje, në Sheshin Buenos Ajres është kisha e argjentinasve, kushtuar Zojës së Dhimbshme, ku ai, që kur ishte kardinal, shkonte shpesh me autobus për t’i takuar sivëllezërit.

29 korrik 2018, 13:00