Kërko

 Papa Françesku në Sarajevë, në qershor 2015: Mesha në stadiumin e  Kosevo Papa Françesku në Sarajevë, në qershor 2015: Mesha në stadiumin e Kosevo 

Papa teologëve: pjesëmarrës në një fat të përbashkët, pa zhurmë shpalljesh

Françesku u shkruan pjesëmarrësve në Konferencën botërore të Etikës teologjike katolike, që vijon në Sarajevë dhe nxit një “leadership të përtërirë” “njerëzish dhe institucionesh”, të cilat duhet të formojnë një rrjet ndërmjet tyre, me frymë solidariteti e me vëmendje ndaj dramës njerëzore, “për ta shoqëruar me kujdes përdëllyes”.

R. SH. - Vatikan

Një “leadership të përtërirë” “njerëzish dhe institucionesh”, që të ndihmojë për të zbuluar e për të jetuar një botë të drejtë, ku  mund të rrihet si pjesëmarrës të një fati të përbashkët, pa “zhurmë shpalljesh, shpesh të kota, ose antagonizmash ndërmjet atyre, që dëshirojnë të luajnë lojën e të fortit”. Kjo, nxitja e Papës drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës botërore të Etikës teologjike katolike, në vijim deri të diel, në Sarajevë (Bosnjë e Hercegovinë).

Dialog e ndarje e përbashkët, duke nisur  nga Sarajeva

Të 500 teologëve, mbledhur për takimin e tretë të kësaj natyre, pas atij të Padovës, më 2006 dhe të Trentos, më 2010, Françesku u drejtoi një mesazh me frymë dialogu e ndarjeje të përbashkët të të mirave e të të vështirave, në një “epokë kritike” e në një skenar “të ndërlikuar dhe impenjativ”, si ky, në të cilin jetojmë. Papa e mori shtytjen nga Sarajeva, qytet me vlera të mëdha simbolike për udhën e pajtimit e të paqësimit, pas tmerreve të një lufte, asaj të Vendeve të Ballkanit, që u solli aq shumë vuajtje popullsive të zonës. Sarajeva - kujton Papa - është “qytet urash”: prej këndej takimi ndërkombëtar - komiteti organizativ i të cilit u prit në Vatikan nga Françesku, marsin e kaluar - synon të vërë në dukje “nevojën për të ndërtuar, në një mjedis tensionesh e përçarjesh, udhë të reja për afrimin e popujve, kulturave, feve, vizioneve për jetën e orientimeve politike”.

Ura, jo mure!

Punimeve Françesku u propozoi perspektivën “ura, jo mure”, të cilën vetë Papa  e ka vënë disa herë në dukje, me shpresë  të madhe - siç shkruan ai vetë në tekst - që në të katër anët t’i kushtohet vëmendje kësaj nevoje, të cilën e ndjejmë gjithnjë më shumë, edhe pse nganjëherë të kundërshtuar nga “frika e regresi”. Papa këshillon  të kapet çdo sinjal e të mobilizohet çdo energji për të zhdukur në botë muret e ndarjes e për të ndërtuar urat e vëllazërisë, pa hequr dorë, natyrisht, nga maturia.

Klima dhe emigrantët, në qendër të vëmendjes

Ndryshimet klimaterike dhe realitetet e emigracionit janë në qendër të diskutimit, në Sarajevë: sfida ekologjike - vë në dukje Françesku, duke cituar enciklikën “Lëvduar qofsh” - përmban në vetvete aspekte, që mund të shkaktojnë prishje të rënda ekuilibri jo vetëm mbi boshtin e marrëdhënieve ndërmjet njeriut e natyrës, por edhe mbi atë të marrëdhënieve ndërmjet breznive e popujve. Bëhet fjalë për një sfidë, që është “horizonti i kuptimit të etikës ekologjike e, njëkohësisht, i etikës sociale”. Kujtimi i temës së emigrantëve dhe refugjatëve është shumë serioz e shkakton ndryshime të ndjeshme të mënyrës së të menduarit, gjë  që ka të bëjë me reflektimin etiko-teologjik - shpjegoi Papa - para se të frymëzojë sjellje baritore të përshtatshme dhe praktika politike të përgjegjshme e të vetëdijshme.

Të bëhet rrjet

Në këtë perspektivë, Françesku vlerëson intuitën e studiuesve “për të bërë rrjet”: bashkëpunim ndërmjet njerëzve që, në të pesë kontinentet, me mënyra e shprehje të ndryshme, i kushtohen reflektimit etik në këndvështrim teologjik dhe përpiqen të gjejnë në të burime të reja e të frytshme. Përveç analizave të përshtatshme, mund të mobilizohen edhe energji për një praktikë  përdëllyese e plot vëmendje ndaj dramës njerëzore, për ta shoqëruara - thekson Françesku - me kujdes të mëshirshëm”. Që të shtrihet ky rrjet, kërkohet, në radhë të parë, që ndërmjet vetë teologëve të ndërtohen ura, të ndahen bashkërisht udhët, të shpejtohen afrimet: nuk është fjala - nënvizoi - për uniformimin e pikëpamjeve, por për të kërkuar  me vullnet të sinqertë, afrimin e ndjeteve, hapjen e dialogut, ballafaqimin e perspektivave.

Vëmendje ndaj kompleksitetit të fenomenit njerëzor

Papa kujton Hyrjen e Kushtetutës Apostolike të kohëve të fundit “Veritatis gaudium”, në të cilën shpjegon kriteret themelore për përtëritjen dhe gjallërimin  e studimeve kishtare, ndërmjet të cilave, me rëndësi të veçantë, “dialogu në të gjitha drejtimet”, i bërë me pasion - këshillon Papa - duke theksuar, më pas, nevojën  “për të bërë rrjet” ndërmjet institucioneve të ndryshme në botë, që merren me studime kishtare. Vetëm kështu do të jetë e mundur të bëhen analiza  depërtuese, të vëmendshme përballë ndërlikimit të fenomenit njerëzor, besnike ndaj Fjalës së Zotit, që na prin në histori dhe në optikën e solidaritetit me botën, mbi të cilën nuk jemi të thirrur të japim gjykime, por të tregojmë rrugët, të shoqërojmë hapat, të lehtësojmë plagët, të mbështesim gjithë ç’është e brishtë. “Fryma, pra, është ajo e ndarjes së përbashkët, që Françesku uron të çohet përpara, me fryt për mbarë Kishën”.

 

27 korrik 2018, 14:01