Papa Françesku merr si dhuratë një top futbolli para Kampionatit Rusi 2018 Papa Françesku merr si dhuratë një top futbolli para Kampionatit Rusi 2018 

Papa: sporti të favorizojë kulturën e takimit

Në një mesazh për Seminarin e Rio-de-Zhanejros kushtuar sportit, Papa Françesku thekson se veprimtaritë sportive nuk janë vetëm forma argëtimi, por sidomos, mjete për mbështetjen e kulturës së takimit.

R.SH. - Vatikan

Menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, me fitoren e Francës e me Kroacinë në vend të dytë, si nënkampione e botës, Papa Françesku vë në dukje vlerat e sportit në një mesazh dërguar Seminarit mbi “Sportin si mjet për Zhvillimin Njerëzor, Ekonomik e Shoqëror”, i cili do të mbahet më 25 gusht në Rio-de-Zhanejro të Brazilit. Organizuar nga Fondacioni Getulio Vargas, së bashku me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (Fifa) dhe me Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve për Sportin (Cies), takimi inkurajohet nga Ati i Shenjtë të kontribuojë në “promovimin e sportit, si ushtrim i virtytit, që ndihmon në zhvillimin e gjithanshëm të njerëzve në bashkësitë e tyre, me sigurinë se sporti nuk është vetëm formë argëtimi, por sidomos, mjet për mbështetjen e kulturës së takimit, të vëllazërimit e të solidaritetit, udhë e sigurtë për ndërtimin e një bote më paqësore e më të drejtë”. Mesazhi nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Programi i Seminarit

         Seminari merr shkas nga Konferenca e promovuar në Vatikan, në vitin 2016, prej Këshillit Papnor për Kulturën. Në takimin brazilian, do të flasë mbi lidhjen e sportit me fenë, zv.sekretari i këtij Këshilli, imzot Melchor Sànchez de Toca y Alameda; për sportin e zhvillimin shoqëror, do të mbajë një kumtesë pedagogu islandez, Vidar Halldorsson, autor i botimeve të shumta për sportin e ndihmën, që mund të japë edhe në gjendje shoqërore të vështira.

16 korrik 2018, 12:49