IX Incontro Mondiale delle Famiglie – Dublino, 21-26 agosto 2018 IX Incontro Mondiale delle Famiglie – Dublino, 21-26 agosto 2018 

Papa në Irlandë, për mbylljen e Takimit IX Botëror të Familjeve. Vendet ku do të shkelë.

Françesku, Papa i dytë që viziton Irlandën, pas Gjon Palit II, në vitin 1979. Është takimi IX i familjeve, ky i gushtit 2018-të, në Dublin të Irlandës, me Papën Françesku. Do të kumtojë përsëri “Ungjillin e familjes, gëzim për botën”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku do të vizitojë, më 25 e 26 gusht, Irlandën. Nësa kanë kaluar 39 vjet nga Shtegtimi i parë e i vetëm papnor në  këtë vend, që në të kaluarën, u shqua “si komb shumë katolik e tepër i dashur për Papët” .

Gjon Pali II e vizitoi në vitin 1979 Irlandën, ku ndenji tri ditë: nga 29 shtator, deri më 1 tetor. Ishte shtegtimi i tretë i Papës polak. Nga Irlanda, Karol Wojtyla shkoi, më 1 tetor, në SHBA, ku u ndalua deri më 8 të muajit, duke vizituar Selinë e OKB-së. Në gati tre ditë të vizitës irlandeze, Papa polak vizitoi lokalitete të ndryshme pranë Kryeqytetit, Dublin:  Drogheda, Clonmacnois, Galway, Knock, Limerick e Maynooth. Ja edhe fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar në Aeroportin e  Fiumicino-s, më 29 shtator, pak para se të ngjitej në avion: "Po shkoj, sidomos, në Irlandë. Ishull i Shenjtorëve”, me rastin e njëqindvjetorit të Shenjtërores së Zojës së Knock, pas ftesës që m’u drejtua nga Episkopati i këtij kombi. Dëshiroj   t’u shpreh irlandezëve vlerësimin për besnikërinë shumëshekullore ndaj Krishtit, Kishës dhe Selisë Apostolike; e edhe falënderimin e dalë nga zemra për dinamikën e zellit misionar, që ju nxiti ta përhapni në mbarë botën lajmin e mirë të Ungjillit”. Uroj që vizita ime të ndihmojë për ta ndërrruar këtë atmosferë tensioni që, posaçërisht këto kohët e fundit, për fat të keq, shkaktoi përçarje e edhe rrënime e vdekje”.

Papa Françesku do ta vizitojë Irlandën për të kryesuar mbylljen e Takimit IX Botëror të familjeve, që do të kremtohet nga 21 deri më 26 gushti 2018, në Dublin (Ungjilli i familjes: gëzim për botën). Takim ende i ri por që, megjithatë, ka fituar një vend të spikatur në Kishën universale që nga Dita  e parë, organizuar më 1994.

Takimet e mëparshme botërore

I -   1994 - Romë
Itali - Gjon Pali II: Familja: zemër e qytetërimit të dashurisë  

II -  1997 - Rio de Zhanejro
Brazil - Gjon Pali II : Familja: dhuratë e angazhim, shpresë e njerëzimit

III – 2000 - Romë
Itali - Gjon Pali II: Fëmijët, pranvera e familjes dhe e shoqërisë

 IV – 2003 - Manilë
Filipine: Familja e krishterë:  lajm i mirë për mijëvjeçarin e tretë.

V – 2006 - Valencia
Spanjë- Benedikti XVI: Transmetimi i fesë në familje

 VI – 2009 – Qyteti i Meksikos

Meksikë: Familja, formuese e vlerave njerëzore dhe të krishtera 

 VII 2012 - Milano

Itali – Benedikti XVI: Familja: puna e festa 

VIII - 2015 - Filadelfia- SHBA

 Françesku: Dashuria është misioni ynë. Familja plotësisht e gjallë 

 IX - 2018 - Dublin
Irlandë – Françesku: Ungjilli i familjes, gëzim për botën 

Françesku në Dublino e Knock 

Shtegtimi apostolik i Papës në Irlandë për takimin Botëror të Familjeve, në Dublin, do të fillojë mëngjesin e së shtunës, 25 gusht. Françesku do të niset nga Aeroporti i Fiumicinos, për të arritur në aeroportin e Dublinit, në orën 08.15. Prej këndej, zhvendosja në Áras an Uachtaráin, ceremonia e mirëseardhjes përballë hyrjes kryesore të Selisë Presidenciale dhe vizita e mirësjelljes Presidentit. Pastaj, në Dublin Castle, Papa do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik dhe do të mbajë një fjalim. Në orën 15.30, vizita në  Mary’s Pro-Cathedral, ku do t’u drejtojë një përshëndetje besimtarëve. Pastaj do të shkojë për një vizitë private në Qendrën e mikpritjes për familjet pa strehë. Arrin, kështu, edhe çasti kulmor i ditës, në Croke Park Stadium, për Festën e Familjeve, në të cilën Papa do t’u drejtojë fjalën familjeve të mbledhura aty nga mbarë bota, edhe nga Shqipëria.

Takimet e së dielës

Të diel, më 26 gusht, Papa do të niset me avion për Knock. Këtu do të vizitojë Shenjtëroren dhe Kapelëzën. Më pas, lutja e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shenjtërores. Pas kthimit në Dublin, dreka me grupin shoqërues. Në orën 15.00 Françesku do të kremtojë Meshën në Phoenix Park. Në përfundim do të takohet me ipeshkvijtë në Kuvendin e Motrave Dominikane dhe do t’u drejtojë një fjalim. Pas ceremonisë  së lamtumirës, nisja për Ciampino. Arritja,  në orën 23.00, sipas parashikimit.

Distanca ndërmjet Dublinit e Romës është 1.886; koha e fluturimit, rreth 3 orë.

11 korrik 2018, 11:47