Papa në Irlandë, për mbylljen e Takimit IX Botëror të Familjeve. Vendet ku do të shkelë.
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku do të vizitojë, më 25 e 26 gusht, Irlandën. Nësa kanë kaluar 39 vjet nga Shtegtimi i parë e i vetëm papnor në këtë vend, që në të kaluarën, u shqua “si komb shumë katolik e tepër i dashur për Papët” .
Gjon Pali II e vizitoi në vitin 1979 Irlandën, ku ndenji tri ditë: nga 29 shtator, deri më 1 tetor. Ishte shtegtimi i tretë i Papës polak. Nga Irlanda, Karol Wojtyla shkoi, më 1 tetor, në SHBA, ku u ndalua deri më 8 të muajit, duke vizituar Selinë e OKB-së. Në gati tre ditë të vizitës irlandeze, Papa polak vizitoi lokalitete të ndryshme pranë Kryeqytetit, Dublin: Drogheda, Clonmacnois, Galway, Knock, Limerick e Maynooth. Ja edhe fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar në Aeroportin e Fiumicino-s, më 29 shtator, pak para se të ngjitej në avion: "Po shkoj, sidomos, në Irlandë. Ishull i Shenjtorëve”, me rastin e njëqindvjetorit të Shenjtërores së Zojës së Knock, pas ftesës që m’u drejtua nga Episkopati i këtij kombi. Dëshiroj t’u shpreh irlandezëve vlerësimin për besnikërinë shumëshekullore ndaj Krishtit, Kishës dhe Selisë Apostolike; e edhe falënderimin e dalë nga zemra për dinamikën e zellit misionar, që ju nxiti ta përhapni në mbarë botën lajmin e mirë të Ungjillit”. Uroj që vizita ime të ndihmojë për ta ndërrruar këtë atmosferë tensioni që, posaçërisht këto kohët e fundit, për fat të keq, shkaktoi përçarje e edhe rrënime e vdekje”.
Papa Françesku do ta vizitojë Irlandën për të kryesuar mbylljen e Takimit IX Botëror të familjeve, që do të kremtohet nga 21 deri më 26 gushti 2018, në Dublin (Ungjilli i familjes: gëzim për botën). Takim ende i ri por që, megjithatë, ka fituar një vend të spikatur në Kishën universale që nga Dita e parë, organizuar më 1994.
Takimet e mëparshme botërore
I - 1994 - Romë
Itali - Gjon Pali II: Familja: zemër e qytetërimit të dashurisë
II - 1997 - Rio de Zhanejro
Brazil - Gjon Pali II : Familja: dhuratë e angazhim, shpresë e njerëzimit
III – 2000 - Romë
Itali - Gjon Pali II: Fëmijët, pranvera e familjes dhe e shoqërisë
IV – 2003 - Manilë
Filipine: Familja e krishterë: lajm i mirë për mijëvjeçarin e tretë.
V – 2006 - Valencia
Spanjë- Benedikti XVI: Transmetimi i fesë në familje
VI – 2009 – Qyteti i Meksikos
Meksikë: Familja, formuese e vlerave njerëzore dhe të krishtera
VII 2012 - Milano
Itali – Benedikti XVI: Familja: puna e festa
VIII - 2015 - Filadelfia- SHBA
Françesku: Dashuria është misioni ynë. Familja plotësisht e gjallë
IX - 2018 - Dublin
Irlandë – Françesku: Ungjilli i familjes, gëzim për botën
Françesku në Dublino e Knock
Shtegtimi apostolik i Papës në Irlandë për takimin Botëror të Familjeve, në Dublin, do të fillojë mëngjesin e së shtunës, 25 gusht. Françesku do të niset nga Aeroporti i Fiumicinos, për të arritur në aeroportin e Dublinit, në orën 08.15. Prej këndej, zhvendosja në Áras an Uachtaráin, ceremonia e mirëseardhjes përballë hyrjes kryesore të Selisë Presidenciale dhe vizita e mirësjelljes Presidentit. Pastaj, në Dublin Castle, Papa do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik dhe do të mbajë një fjalim. Në orën 15.30, vizita në Mary’s Pro-Cathedral, ku do t’u drejtojë një përshëndetje besimtarëve. Pastaj do të shkojë për një vizitë private në Qendrën e mikpritjes për familjet pa strehë. Arrin, kështu, edhe çasti kulmor i ditës, në Croke Park Stadium, për Festën e Familjeve, në të cilën Papa do t’u drejtojë fjalën familjeve të mbledhura aty nga mbarë bota, edhe nga Shqipëria.
Takimet e së dielës
Të diel, më 26 gusht, Papa do të niset me avion për Knock. Këtu do të vizitojë Shenjtëroren dhe Kapelëzën. Më pas, lutja e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shenjtërores. Pas kthimit në Dublin, dreka me grupin shoqërues. Në orën 15.00 Françesku do të kremtojë Meshën në Phoenix Park. Në përfundim do të takohet me ipeshkvijtë në Kuvendin e Motrave Dominikane dhe do t’u drejtojë një fjalim. Pas ceremonisë së lamtumirës, nisja për Ciampino. Arritja, në orën 23.00, sipas parashikimit.
Distanca ndërmjet Dublinit e Romës është 1.886; koha e fluturimit, rreth 3 orë.