Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në lutjen e Engjëllit: shumë të pagëzuar jetojnë si të mos kishte Zot

Zoti e përmbys çdo skemë njerëzore e na vë gjithnjë në diskutim. Këtë theksoi Papa në takimin e Engjëllit të Tënzot të së dielës. Nuk mjafton të përsëritësh gjestet, vijoi, duhet bashkim i vërtetë me Jezusin e me fjalët e Tij.

R. SH. - Vatikan

Fragmenti i Ungjillit, i propozuar nga liturgjia e sotme, shkëputur nga Ungjilli i Markut, na tregon se Jezusi, si u kthye në Nazaret, qyteti i tij, hyri në sinagogë dhe nisi të japë mësim. Mund të duket sukses, ndërsa shndërrohet në refuzim të bujshëm - pohoi Papa Françesku gjatë takimit të Engjëllit të Tënzot të së dieles - aq sa Jezusi mundi të bënte tepër pak, të shëronte vetëm disa të sëmurë, që i kërkonin, plot përgjërim, t’ua rikthente shëndetin.

Paragjykimet e bashkëvendasve  të Jezusit

Në Nazaret njerëzit mërmërisin, nuk i pranojnë lehtë fjalët e Tij, madje nisin të shkandullohen përballë këtij njeriu, që njihej si i biri i zdrukthëtarit dhe i Marisë.

“Si ndodh që bashkëvendasit e Jezusit kalojnë nga mrekullimi, në mosbesim e, në vend që ta kuptojnë të vërtetën, shkandullohen?" - pyeti Françesku.

Për banorët e Nazaretit, Zoti është tepër i madh. Nuk mund të ulet e të flasë përmes një njeriu kaq të thjeshtë! Jemi përballë një shkandulli! Shkandullit të  mishërimit: ngjarje tronditëse! Një Zot, që bëhet njeri, që mendon me mendje njeriu, punon e vepron me duar njeriu, do me zemër njeriu. Një Zot që lodhet e këputet, ha e fle, si një nga ne… Biri i Zotit e përmbys çdo skemë njerëzore; nuk janë dishepujt ata, që ia lajnë këmbët Zotit, është Zoti vetë, ai që ua lau këmbët dishepujve. Që këtu nis shkandulli e mosbesimi. E jo vetëm asokohe, por në çdo kohë. Edhe në kohët tona.

Zoti befason gjithnjë, duhet t’ia hapim zemrën

Përmbysja e mendësisë, që solli Jezusi, “i angazhon dishepujt e Tij të djeshëm e të sotëm për një verifikim personal e komunitar” - kujtoi Papa - për të vërejtur, më pas, se edhe sot shumë paragjykime mund të na pengojnë ta pranojmë realitetin. Format, përmes të cilave vjen hiri i Tënzot, shpesh herë nuk përkojnë me pritjet tona, me shpresat tona. E Françesku kujtoi këtu shembullin e shkëlqyer të Nënë Terezës:

“Nënë Tereza, një murgeshë imcake - që dukej sikur s’vlente asnjë pare - që endej rrugëve duke mbledhur njerëz në fill të mortjes, për t’u siguruar një fund të denjë... Pikërisht kjo Motër vocrrake, me lutjen e veprimtarinë e saj, bëri mrekulli! Vogëlsia e një gruaje e revolucionarizoi veprimtarinë bamirëse në Kishë. E mbeti shembull edhe për ditët tona”.

Feja është  bashkim me Krishtin e me Ungjillin e Tij

Duhet, prandaj - vijoi Papa - t’i hapim zemër e mendje, për ta pritur hyjnoren, që vjen ndër ne.

Duhet të kemi fe! Fe të vërtetë! Mungesa e fesë është pengesë për hirin e Hyjit. Shumë të pagëzuar jetojnë sikur Krishti të mos ekzistonte: përsërisin gjeste e shenja feje, por nuk kanë bashkim të vërtetë me vetjen e  Jezusit e me Ungjillin e Tij. E nuk duhet harruar se çdo i krishterë, secili nesh, është i thirrur ta thellojë këtë përkatësi themelore, duke u përpjekur ta dëshmojë në jetë. E kjo do të thotë ta jetosh fenë në çdo çast të jetës, pa asnjë lëkundje, pa harruar se filli përcjellës është  bamirësia.

Në përfundim Papa i drejtoi Virgjërës Mari lutjen që, me ndërmjetësinë e saj,  të na i shkrijë zemrat tona të akulluara e t’i hapë horizonte të reja mendjeve tona të ngushta, që të mund të pushtohen nga hiri hyjnor.

Kujtimi i Ditës së Barit dhe mendimi për njerëzit e detit

Pas  lutjes së Engjëllit të Tënzot, nuk mund të mungonte kujtimi i Papës për ditën e jashtëzakonshme, që e jetoi dje në Bari me Patrikët e Kishave të Lindjes së Mesme, ku u lut për paqen në këtë zonë.

Falënderoj Zotin – tha Françesku - për këtë takim, shenjë e dukshme e unitetit të të krishterëve, me pjesëmarrjen entuziaste të popullit të Zotit. Falënderoj edhe një herë Vëllezërit, Krerë të Kishave,  dhe të gjithë ata, që i përfaqësuan; mbeta vërtet i përforcuar nga  sjellja e tyre e nga dëshmia e tyre. Falënderoj kryeipeshkvin e Barit, vëlla e shërbëtor i përvuajtur, bashkëpunëtorët dhe të gjithë besimtarët që na shoqëruan e na mbështetën me lutjen dhe praninë plot gëzim.

Papa, në përfundim, kujtoi edhe se sot kremtohet “E Diela e Detit”, kushtuar detarëve dhe peshkatarëve, duke i siguruar se lutet për ta e për familjet e tyre. Një mendim i Papës, “edhe për ata, që angazhohen t’i çlirojnë detet nga ndotja”.

E akoma, ndërmjet përshëndetjeve, një batutë inkurajimi për brazilianët e pranishëm, lidhur me Kampionatin Botëror të Futbollit: “Po shikoj flamuj brazilianë… I përshëndes brazilianët. Mos t’ju lëshojë zemra! Do të jetë për një herë tjetër!”.

08 korrik 2018, 14:03