Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku në Engjëllin e Tënzot: askush nuk është i tepërt në Zemrën e Krishtit

Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot u kujtoi besimtarëve: për të hyrë në Zemrën e Krishtit duhet ta ndjejmë se kemi nevojë për shërim e t’i besojmë plotësisht Zotit.

R. SH. - Vatikan

Krishti është burim i jetës, “e rikthen në jetë njeriun, i cili beson plotësisht në Të”. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u frymëzuar nga rrëfimet e Ungjillit të sotëm. Episodet e shërimit të një vajze të vogël e të një gruaje - kujtoi Papa - kanë një qendër të vetme: fenë! Fenë që shpëton. Në këtë udhë, e cila dallohet nga lëshimi plot besim në dorë të Zotit, mund të ecin të gjithë. Pranohen të gjithë:

“Askush nuk duhet ta ndjejë veten i paftuar, i tepërt, pa të drejtë për të qenë aty. Për të hyrë në Zemrën e Krishtit, duhet të plotësojë vetëm një kusht. Ta ndjejë  se ka nevojë për shërim e të lëshohet i tëri, plot besim, në dorë të Zotit. Këta njerëz shkon t’i kërkojë Jezusi në mes të turmës, për t’i çliruar nga frika e jetës, që shpesh i pengon të guxojnë. Dhe e bën këtë me një shikim e me një fjalë,  që i vë përsëri për udhë, pas aq vuajtjesh e poshtërimesh. Edhe ne jemi të thirrur t’i mësojmë e t’i bëjmë tonat këto fjalë, që çlirojnë, e këto shikime, që ia rikthejnë, atij që ka nevojë, dëshirën për të jetuar”.

Françesku, duke rikujtuar fragmentin ungjillor të gruas që vuante nga hemorragjia e që u shërua sapo çiku mantelin e Jezusit, nënvizoi se feja  sjell shpëtimin: “Feja e kësaj gruaje - kujtoi, duke komentuar fragmentin e Ungjillit - thith forcën shpëtimtare hyjnore, që ka Krishti.

Papa u ndalua edhe tek episiodi  i vogëlushes, që turma besonte se tashmë kishte ndërruar jetë. Po Jezusi, duke iu afruar, pohon: “mos e qani së gjalli. Nuk ka vdekur. Ajo po fle”. E atë Zoti e fton: “Talità kum!” - që do të thotë. “Vajzë, unë po të them, ngreju!”. Në këtë faqe ungjillore - shtoi Papa – “gërshetohen tema e fesë, me atë të jetës së re”.

Jezusi është Zoti e përballë Tij vdekja fizike, aq e padëshëruar nga njerëzit, s’është tjetër, veçse dremitje. Është gjumë. Nuk kemi asnjë arsye të dëshpërohemi para saj. Një tjetër është vdekja, nga e cila duhet të trembemi me të vërtetë:  ajo e zemrës së bërë gur, të mumifikuar nga e keqja! Por edhe mëkati, për Jezusin, nuk është kurrë fjala e fundit, sepse Ai na solli mëshirën e pambaruar të Atit. Edhe nëse biem poshtë e më poshtë, zëri i Tij i ëmbël e i fortë njëherësh, na drejtohet e na fton: “Unë po të them: ngreju!”.

“T’i lutemi Virgjërës Mari  - përfundoi Papa - të na shoqërojë në udhën tonë  të fesë e të dashurisë konkrete, posaçërisht ndaj njeriut nevojtar”. Atij, që pret një dorë, për ta ngritur përsëri në këmbë e një zë, që i përsërit fjalët shëlbuese. “Nuk ke vdekur! Ngreju!”.

01 korrik 2018, 13:22