Kërko

Papa: “Mjaft mbytje emigrantësh, ndërkombëtarët të ndërhyjnë"

R.SH. - Vatikan

Shpreh “dhimbje” Papa Françesku, të cilit sërish iu desh të fliste për tragjeditë e mbytjeve të emigrantëve në Detin Mesdhe, gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Edhe një herë akoma, Ati i Shenjtë siguron se i kujton ata dhe familjarët në lutje; edhe një herë, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “veprojë me vendosmëri e gatishmëri për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla”, “për të garantuar sigurinë, respektimin e të drejtave dhe dinjitetin e të gjithëve”.

“Agjërimi stafetë” i rregulltarëve

         Thirrja e ipeshkvit të Romës – që vjen pas javësh me lajme për burra, gra e fëmijë të vdekur, ose të humbur në det – u mbërrin rreth 25 mijë shtegtarëve të pranishëm në shesh, ndër të cilët, edhe një grup rregulltarësh e laikësh, që ditët e kaluara, morën pjesë në një “agjërim stafetë” para selisë së Dhomës italiane të Deputetëve, organizuar nga misionari atë Alex Zanotelli, për ta ngritur zërin, në emër të atyre, që nuk kanë më zë në Mesdhe.

         Fjalët e Papës Bergoglio lidhen idealisht me ftesën, që ai vetë u bëri të krishterëve gjatë komentit të djeshëm, në Engjëllin e Tënzot, duke u kërkuar të gjithëve të marrin përsipër “problemet, vuajtjet dhe vështirësitë e të afërmit”.

“Të shohim, të provojmë dhembshuri, të mësojmë”

         Mision, që Ati i Shenjtë e përmbledh në tre veprime, që i quan “foljet e Bariut”: “të shohim, të provojmë dhembshuri, të mësojmë”. Të shohim me vështrimin e Jezusit, kërkon Papa, vështrim, që “s’është neutral apo më keq, i ftohtë, i distancuar”, por vështrim zemre. Të ndjejmë dhembshuri, jo në kuptimin e “reagimit emotiv para fatkeqësive të njerëzve”, por si qëndrim i atij, i cili ndan me tjetrin gjendjen e vështirë dhe e ndihmon atë. Së fundi, “të mësojmë” do të thotë të transmetojmë “atë fjalë”, për të cilën kemi nevojë më shumë se për një “mrekulli”, që “të na udhëheqë e të na shndrisë rrugën” e jetës.

Urgjenca na i ndryshon planet

         Si gjithnjë, reflektimi i Papës mori shkas nga Ungjilli i djeshëm, në të cilin Jezusi i fton të vetët të pushojnë, pasi ishin kthyer nga përvoja entuziazmuese, por e lodhshme, e misionit. Dëshiron t’i çojë me barkë në një vend të qetë, por turma e merr vesh dhe shkon atje para Tij.

         “E njëjta gjë mund të ndodhë edhe sot – komenton Papa Françesku. – Nganjëherë, nuk arrijmë t’i realizojmë projektet tona, sepse del diçka urgjente, e paparashikuar, që na i ndryshon programet dhe na kërkon fleksibilitet e disponibilitet ndaj nevojave të të tjerëve”.

Shembulli për t’u imituar është ai i Jezusit

         Ati i Shenjtë nënvizon se shembulli për t’u imituar është pikërisht ai i Jezusit, i cili, e pa turmën si grigjë pa bari dhe pati dhembshuri për të, pasi e pa me sytë e zemrës, duke i kuptuar nevojat më të pathëna të atyre njerëzve. “Dhembshuria e Tij – thekson Papa – nuk tregon thjesht, një reagim emotiv para gjendjes së atyre njerëzve, por është shumë më tepër: është reagimi dhe predispozita e Zotit ndaj njeriut e historisë së tij”.

         Krishti u mallëngjye vërtet, kur pa kaq nevojtarë për ndihmë, por nuk bëri mrekulli, siç do të priste ndonjëri prej nesh. Vihet t’u mësojë shumë gjëra, thotë Ungjilli i djeshëm, pasi “të gjithë ne kemi nevojë për fjalën e së vërtetës, që na udhëheq e na e shndrit rrugën. Pa të vërtetën, që është vetë Krishti, nuk është e mundur të gjejmë orientimin e drejtë në jetë”, nënvizon Papa Bergoglio.

Me Jezusin përkrah, mund të ecim me siguri

         “Kur largohemi nga Jezusi e nga dashuria e tij, humbasim dhe jeta shndërrohet në zhgënjim e pakënaqësi”: këto fjalët e fundit të Atit të Shenjtë në Engjëllin e djeshëm të Tënzot. “Me Jezusin përkrah, mund të ecim me siguri, mund t’i kapërcejmë sprovat, mund ta rrisim dashurinë për Zotin e për të afërmin”. Vërtet, Biri i Zotit “u bë dhuratë për të tjerët, duke u shndërruar kështu, në model dashurie e shërbimi për secilin prej nesh”.

23 korrik 2018, 14:38