Kërko

 Papa në takimin me pjesëmarrësit në Konferencën ndërkombëtare “Saving our Common Home and the Future of Life on Earth”, Papa në takimin me pjesëmarrësit në Konferencën ndërkombëtare “Saving our Common Home and the Future of Life on Earth”,  

Papa Françesku: “institucionet financiare të favorizojnë një zhvillim më të qëndrueshëm

“Reduktimi i gazeve, që shkaktojnë efektin serrë kërkon ndershmëri, guxim dhe përgjegjësi, posaçërisht nga ana e vendeve më të fuqishme e më ndotëse. Këtë nënvizoi Françesku, duke u folur pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare “Saving our Common Home and the Future of Life on Earth”, në trevjetorin e Enciklikës “Lëvduar qofsh”.

R. SH. - Vatikan

“Institucionet financiare duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin dhe mbrojtjen e Planetit, sepse janë pjesëmarrëse si të problemit, ashtu edhe të zgjidhjes së tij. Eshtë e nevojshme zhvendosja e paradigmës financiare në shërbim të promovimit të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor”: këtë dëshirë shprehu Papa Françesku, në takimin e sotëm, me pjesëmarrësit në Konferencën ndërkombëtare “Saving our Common Home and the Future of Life on Earth”, në trevjetorin e Enciklikës “Lëvduar qofsh”.

Duke kujtuar posaçërisht Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, Papa këshilloi të favorizohen reformat, që nxisin zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qendrueshëm. Shpresa - pohoi -  është që financa të  jetë mjet, i cili synon prodhimin më të mirë të pasurisë dhe të zhvillimit, si dhe kujdesin për ambientin. Në këtë “shndërrim zemrash” - kujtoi - fetë, posaçërisht Kishat e krishtera, duhet të luajnë një rol kyç.

Papa ftoi t’i kushtohet vëmendje e veçantë dy grupeve njerëzore, që janë në radhë të parë të sfidës së gjithanshme ekologjike e që do të jenë edhe në qendër të vëmendjes të dy Sinodeve të ardhshme të Kishës katolike: të rinjve dhe popullsive indiane vendase, në mënyrë të veçantë, atyre të Amazonës. Të rinjve, sepse duhet të përballojnë pasojat aktuale të krizës ambientale e klimaterike. Bashkësive indiane vendase, sepse shikojnë si u grabiten tokat e u shkelen kulturat nën thundrën e formave të reja të kolonializmit, të ushqyera nga kultura e shpërdorimit  dhe e konsumizmit. Për popullsitë indiane - kujtoi - toka nuk është pasuri ekonomike, por dhuratë e Zotit dhe e të parëve, që pushojnë në paqe në gjirin e saj; është hapësirë e shenjtë, për të cilën kanë nevojë, sepse duke e humbur atë, humbasin edhe identitetin dhe vlerat. Sa shumë mund e duhet të  mësojmë prej tyre!

Papa Françesku kujtoi edhe se kujdesi për krijimin mund të duket ndërmarrje tepër e vështirë, sepse të tepruara janë interesat e veçanta e shumë e lehtë, që interesi ekonomik të ketë epërsi mbi të mirën e përbashkët e të manipulojë informacionin, për t’i ruajtur projektet e veta. Por njerëzit, të aftë për të rënë poshtë e më poshtë, munden  edhe të bëjnë kthesë, të zgjedhin të mirën e të rilindin për një jetë të re. Prej këndej, ftesa e Papës për një ndryshim rrënjësor, me bindjen se padrejtësia nuk është e as e pakapërcyeshme e as e pathyeshme!

06 korrik 2018, 14:30