Papa kremton Meshën për emigrantët Papa kremton Meshën për emigrantët 

Papa Françesku: emigrantët “solidaritet, pa shumë llogari”

Dy ditë para pesëvjetorit të vizitës në Lampeduzë, Françesku kremtoi Meshën për emigrantët, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa kujtoi se Zoti ka nevojë për duart tona, që t’i ndihmojë këta njerëz. Qeveritarëve u bëri thirrje të shikojnë edhe të mirën e vendeve të tjera. Përfaqësuesve të ndihmës së shpejtë u shprehu mirënjohjen. Emigrantët i nxiti të integrohen, duke respektuar ligjet e vendeve mikpritëse.

R. SH. - Vatikan

“Përballë sfidave të emigracionit të sotëm, përgjigjja e vetme e urtë është ajo e solidaritetit dhe e mëshirës; përgjigje që nuk bën shumë llogari, por kërkon ndarje të drejtë të përgjegjësive, vlerësim të ndershëm e të sinqertë të alternativave dhe mbarështim të matur të fenomenit. E theksoi sot Papa Françesku, gjatë homelisë së Meshës për emigrantët, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në pesëvjetorin e vizitës së tij në Lampeduzë, më 8 korrik 2013.

Cila mund të quhet politikë e drejtë?

“Politikë e drejtë - pohoi - është ajo që vihet në shërbim të njeriut, të të gjithë njerëzve të interesuar; që parashikon rrugëzgjidhje të përshtatshme  për të garantuar sigurinë, respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit të të gjithëve; që di të shikojë të mirën e vendit të vet, duke kujtuar edhe atë të vendeve të tjera, në një botë gjithnjë më të ndërlidhur. E pikërisht një botë të tillë dëshirojnë edhe të rinjtë.

Samaritani i mirë vijon të endet në brigjet e deteve

Papa deshi ta përfundojë homelinë duke folur spanjisht e duke iu drejtuar posaçërisht përfaqësuesve të ndihmës së shpejtë si dhe refugjatëve të mbijetuar gjatë tragjedive të panumërta, që vijojnë të luhen në skenën e Mesdheut. Të parët i falënderoi, si njerëz që mishërojnë sot shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, i cili u ndalua dhe i shpëtoi jetën shtegtarit të sulmuar nga cubat, pa e pyetur kush ishte, kah vinte as kah shkonte, e pa i kërkuar dokumentet… E bëri vetëm e vetëm pse kishte përpara një njeri, që po jepte shpirt. Dhe e ndjeu për detyrë njerëzore ta ndihmonte. Të mbijetuarve u shprehu solidaritetin, duke theksuar se i njeh mirë tragjeditë, nga të cilat përpiqen të largohen, për të shpëtuar jetën.

Ta përgatisim së bashku udhën e integrimit

Këtyre të fundit u kërkoi të “vijojnë të jenë dëshmitarë shprese, në një botë çdo ditë më të shqetësuar për të sotmen e saj, me vizion të shkurtër për të ardhmen e pa dëshirë për t’i ndarë bashkë të mira e të vështira:

“Duke respektuar kulturën dhe ligjet e vendeve që ju mirëpresin - saktësoi - ta përgatisim së bashku udhën e integrimit”.

06 korrik 2018, 12:51