Lutja ekumenike Lutja ekumenike 

Lutja ekumenike në Bari. Papa: Lindja e Mesme pa të krishterë nuk do të ishte Lindje e Mesme

Në Bari, Papa Françesku u lut për Lindjen e Mesme: “Lutemi, të bashkuar, për t’i kërkuar Zotit të qiellit atë paqe, të cilën njerëzit e pushtetshëm të tokës nuk kanë arritur ta gjejnë akoma!”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku dhe krerët e Kishave dhe të bashkësive të krishtera  të Lindjes së Mesme  u takuan në Bari, “dritare e hapur në dy kapakët mbi Lindjen e afërt”. Në këtë qytet “të takimit e të mikpritjes” - tha Papa Françesku, duke i prirë lutjes  ekumenike për paqen - sjellim zemrat tona, Kishat tona, popujt e shumë njerëz që jetojnë në situata të tmerrshme”. Nga kjo pjesë e bregdetit barez, që njihet si “rotonda lungomare”, horizonti e deti i pafund janë nxitje  - shtoi Françesku - për ta jetuar këtë ditë me mendjen e zemrën drejtuar nga Lindja e Mesme, udhëkryq i qytetërimit e djep i feve të mëdha, që i luten një Zoti të vetëm”.

Atje erdhi të na vizitojë Zoti, “dielli, që lind nga lart” (Lk 1,78). Prej atje u përhap në mbarë botën drita e fesë. Atje shpërthyen gurrat e freskëta të përshpirtërisë e të jetës murgare. Atje ruhen ritet e lashta, të pashoqe, e atje, edhe pasuritë e paçmueshme të artit kishtar e të teologjisë! Atje banon trashëgimia e Etërve të mëdhenj në fe. Kjo traditë është thesar, që duhet ta ruajmë me të gjitha forcat tona, sepse  në Lindjen e Mesme janë rrënjët  e vetë shpirtrave tanë.

Mbi Lindjen e Mesme dyndet errësira e dendur

Por në këtë rajon të shkëlqyer - shtoi Papa - vërehen një mori shenjash shkatërrimi.

 Dyndet, sidomos vitet e fundit, një errësirë e dendur lufte, dhune, shkatërrimi, pushtimi, formash të ndryshme të fundamentalizmit, emigrimesh të detyruara e braktisjesh. E gjithçka ndiqet me heshtjen hipokrite të  një pale e me pjesëmarrjen pa skrupull të palës tjetër. Lindja e Mesme është shndërruar në tokë njerëzish që i braktisin trojet e veta. E krijohet, kështu, rreziku që prania e vëllezërve dhe motrave tona në fe të shlyhet, duke e  shpërfytyruar këtë zonë, sepse një Lindje e Mesme pa të krishterë, nuk do të ishte Lindje e Mesme.

Të krishterët janë drita e botës

 Duke u rikthyer në skenarin plot dritë-hije të Lindjes së Mesme, Papa theksoi se të krishterët janë drita e botës, e jo vetëm kur gjithçka për rreth shndrit, por edhe kur, në çastet e rrëta të historisë, nuk dorëzohen përballë terrinave, që mbështjellin vetë jetën, por vijojnë ta ushqejnë fitilin e shpresës me vajin e lutjes e të dashurisë”. E në këtë çast, Papa i lartoi Zotit lutjen për paqe:

“Lutemi, të bashkuar, për t’i kërkuar Zotit të qiellit atë paqe, të cilën njerëzit e pushtetshëm të tokës nuk kanë arritur ta gjejnë akoma! Nga rrjedha e Nilit, deri në Luginën e Jordanit e përtej, duke kaluar nga Oronti,  në Tigër e Eufrat, le të jehojë fuqishëm britma e Psalmit: “Paqja qoftë mbi ty! (122,8). Qoftë mbi vëllezërit, që vijnë, me miqtë e çdo populli e besojme. Të përsërisim: ‘Paqja qoftë me ty!’. Së bashku me Psalmistin, të lutemi posaçërisht për Jeruzalemin, qytet shenjt, i shumëdashur nga Zoti e i plagosur nga  njerëzit, mbi të cilin Krishti vijon të qajë: “Mbi ty qoftë paqja!”.

Paqja qoftë…

“Paqja qoftë - përsëriti Papa. - Lutje prekëse,  që u kundërvihet shenjave të urrejtjes e të vdekjes:

“Indiferenca vret e ne duam të jemi zë, që i kundërvihet vrasjes nga indiferenca. Duam t’i japim zë, atyre që nuk kanë zë, që i gëlltisin lotët, sepse sot Lindja e Mesme vajton kripëshprishur, vuan e hesht, ndërsa të tjerët e shkelin nën thundrën e përdhunës, në kërkim të pushtetit e të pasurisë!  Për të vegjlit, të thjeshtët, të plagosurit, për të gjitha ata, përkrah të cilëve është Zoti, ne lutemi: “Paqja qoftë!”.

07 korrik 2018, 12:23