Papa Françesku para urnës me reliket e Shën Nikollës Papa Françesku para urnës me reliket e Shën Nikollës 

Bari, takim ekumenik. Papa Françesku i lutet Shën Nikollës

Përqafime, në shenjë vëllazërimi. Akti i parë i vizitës së Papës në Bari ishte mikpritja e Patrikëve të Lindjes në tremen e katedrales së Shën Nikollës e më pas, edhe nderimi i relikeve, para lutjes së përbashkët për paqen në Lindjen e Mesme

R. SH. - Vatikan

Dëshira për të jetuar në paqe është e lashtë, sa vetë njeriu. E kjo dëshirë u ndje fuqimisht sot, para fasadës të thjeshtë prej guri të Bazilikës së Shën Nikollit, në Bari, që shumë njerëz e ngjarje ka parë gjatë shekujsh. E sot, që në mëngjes, pa gjeste  harmonie e buzëqeshje të sinqerta ndërmjet burrash, që përfaqësojnë fenë e miliona njerëzve.

Paqja është përqafim

Papa Françesku ftoi në Bari Patrikët dhe krerët e Kishave të Lindjes për t’u lutur së bashku për paqen e plagosur e të vrarë në trojet e tyre,  e shumë, duke nisur nga Bartolomeu I, iu përgjigjen me dëshirë. Duke nisur nga ora 08.20 e duke vijuar gjatë, veladoni i bardhë e zhgunat e zinj i valëviten pranë e pranë palët mbi tremen e Bazilikës, gjatë përqafimeve dhe shkëmbimit të përshëndetjeve. Pastaj, ndërsa Papa u ndalua për t’u takuar me bashkësinë e dominikanëve të Bazilikës, Patrikët zbritën në kriptë, duke nisur kështu, aktin e parë të kësaj dite të jashtëzakonshme.

Shenjti i Kishës së bashkuar

Nisi akti i nderimit përpara relikeve të Shenjtit, që jetoi ndërmjet shekujve të tretë e të katërt. Shenjt tejet i dashur nga katolikët e ortodoksët, që të kujton menjëherë kohët, kur Kisha e Lindjes dhe ajo e Perëndimit jetonin si një korp i vetëm, i pandarë e i pandarshëm. Kur Papa arriti, gumëzhima e zërave u shua dalëngadalë. Në heshtjen e thellë të vendit shenjt, Françesku u gjunjëzua, gati-gati u përkul përdhe, para altarit, poshtë të cilit ruhet urna me reliket, ndërsa turma nga jashtë e shoqëronte me një duatrokitje të gjatë. Pastaj Papa u ringrit, për të ndenjur  një copë herë në lutje të heshtur, me Patrikët,  në këmbë, pas tij.

Një flakë për katolikët e ortodoksët

Një heshtje e gjatë, e prishur vetëm nga zhurma e lehtë e aparateve fotografike,  në të cilën gati-gati dëgjoheshin edhe rrahjet e zemrave, mbretëroi në atë hapësirë, nësa Papa iu afrua urnës, për të ndezur “njëflakëshin”, dritë, e cila që prej  dekadash, është shenjë  e fesë së vetme katolike e ortodoske, e ndezur për herë të parë nga Piu XI. Rreth orës 08.50, grupi u rikthye  nën rrezet e diellit, që e ndriçonin fort sheshin para Bazilikës, i pritur me duatrokitje, që vijuan parerë, ndërsa Françesku e Patrikët u nisën, me autobus, drejt Bregdetit të Barit, për të kremtuar lutjen e përbashkët për paqen  

 

07 korrik 2018, 11:11