Kërko

  Tek varri i Shën Nikollës Tek varri i Shën Nikollës 

Papa në Bari: “fjalë” për martirët e djeshëm e të sotëm

Nesër, takimi i lutjes dhe i reflektimit i Papës Françesku, me krerët e Kishave të Lindjes, në Bari. Në qendër të vëmendjes, të krishterët e persekutuar të Lindjes së Mesme.

R. SH. - Vatikan

Më 7 korrik Papa Françesku thirri, për një takim lutjeje e reflektimi, krerët e Kishave të Lindjes. Në qendër të vëmendjes, persekutimi kundër të krishterëve, temë qendrore gjatë këtyre pesë vjetëve të papnisë.

Më 7 korrik - nesër, pra - në Bari, dritare mbi Lindjen, me dëshirën  e Papës, e gjithë Kisha universale do të jetë e pranishme, drejtpërdrejt, përmes lutjes,  rreth varrit të Shën Nikollës.

Ngjarje kishtare me frymëmarrje universale e me vlerë historike të jashtëzakonshme - siç e quajti imzot Francesco Cacucci, kryeipeshkëv i Bari-Bitontos, në mesazhin e nismës ekumenike. Së bashku me krerët e Kishave të Lindjes, që pas lutjes së përbashkët do të takohen me porta të mbyllura, në takimin e 7 korrikut do të jetë, simbolikisht, i tërë populli shenjt i Zotit - siç e quan Françesku, i cili në këto pesë vjet papnie nuk ka pushuar s’u kërkuari besimtarëve të ndjekim me vëmendje  gjendjen e  të krishterëve të persekutuar për shkak të fesë së tyre, të kërcënuar nga luftërat e dhuna, pikërisht në trojet ku krishterimi ruan kujtimet më të lashta e më të dashura!

Në çdo Meshë mëngjesi, në Shën Martë, Papa e ka pasur një fjalë a një kujtim për të krishterët e largët e - tepër të afërt - të lindjes së martirizuar. Ka kujtuar “Gjakun e derdhur”, ka theksuar se “martirët e sotëm janë më të shumënumërt se martirët e shekujve të parë”, ka folur për dyshimet dhe ngushëllimin e atyre, që humbasin gjithçka, por jo shpresën në mirësinë e Zotit. Ka folur edhe për heshtjen fajtore të njerëzimit. Timen! Tënden! Por mbi të gjitha, ka theksuar, e jo vetëm me fjalë, se të martirizuarit e Lindjes, janë në zemër të Krishtit e të Kishës së Tij. E këtë e tregon qartë edhe takimi i nesërm, në Bari, rreth varrit të Shenjtit mrekullibërës, Nikollës, ku janë të ftuar të gjithë besimtarët. Në lutje!

06 korrik 2018, 15:15