Kërko

Papa në Bari: “Paqja qoftë mbi ty!”.

Dje u mbajt konferenca e shtypit për paraqitjen e takimit ekumenik të Papës Françesku me krerët e kishave dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme. Ideja lindi nga kërkesa drejtuar Françeskut nga shumë Kisha, për organizimin e këtij takimi për paqen.

R. SH. - Vatikan

Dje u mbajt konferenca e shtypit për paraqitjen e takimit ekumenik të Papës Françesku me krerët e kishave dhe të bashkësive të krishtera të Lindjes së Mesme. Titulli i takimit: “Paqja qoftë mbi ty! Të krishterë, së bashku, për Lindjen e Mesme!”. Vendtakimi, Bari. Data, 7 korrik.

Folën kardinajtë Leonardo Sandri e Kurt Koch, përkatësisht prefekti i Kongregatës për Kishat lindore dhe prefekti i Këshllit Papnor për Nxitjen e Unitetit të të krishterëve, që sqaruan se ideja lindi nga kërkesa drejtuar drejtpërdrejt Papës nga Kisha të ndryshme e nga shumë  patriarkë lindorë.

Dy çastet më të rëndësishme, në program

Janë dy, çastet më të rëndësishme  në programin e ngjarjes së madhe të 7 korrikut: lutja në bregdet, së bashku me besimtarët, dhe çasti i reflektimit dhe i dëgjimit reciprok ndërmjet Atit të Shenjtë dhe Krerëve të Kishave e të bashkësive  Kishtare të Lindjes së Mesme. Fjalën e hyrjes do ta mbajë imzot Pierbattista Pizzaballa, Admnistrator Apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, pasuar nga diskutime të lira. Kjo është pjesa, që do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa parashikohet që Ati i Shenjtë  të flasë në fillim të lutjes publike dhe në përfundim të takimit, kur, si të jenë rihapur portat e Bazilikës së Shën Nikollës, Françesku  dhe  pjesëmarrësit e tjerë të takimit, do të dalin në tremen e Bazilikës dhe do të lëshojnë pëllumba, gjest profetik për fëmijët dhe breznitë e reja të Lindjes së Mesme, të cilave duhet t’u rikthehet shpresa, që mbrapshtia ose thjesht indiferenca e botës, ua kanë grabitur gjatë këtyre vitete të errëta.

Prej këndej, theksimi i porosisë së Papës Françesku, që vijon t’u kujtojë të gjithëve se "sa më e vështirë të jetë situata, aq më i nevojshëm është dialogu” - me bindjen se fundamentalizmi fetar është kërcënim për besimtarët e të gjitha feve!

04 korrik 2018, 14:26