Kërko

01_00407_08072013.jpg 01_00407_08072013.jpg 

Burke: më 6 korrik, Papa Françesku do të kremtojë një Meshë për emigrantët

Më 6 korrik, në orën 11, Papa Françesku do të kremtojë një Meshë për emigrantët, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në pesë vjetorin e vizitës së tij në Lampedusa.

R. SH. - Vatikan

"Të premten e ardhshme, më 6 korrik, në orën 11, Ati i Shenjtë Papa Françesku do të kremtojë një Meshë për emigrantët, në altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Mesha përkon me pesë vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Lampedusa të Italisë(8 korrik 2013). Do të jetë një moment lutjeje për të vdekurit, për të mbijetuarit dhe për ata që i ndihmojnë dhe janë pranë emigrantëve".

Kështu deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, duke saktësuar se "është parashikuar një pjesëmarrja e rreth 200 personave, në mesin e cilëve do të jenë refugjatë dhe njerëz që kujdesen për ta".

Në përfundim të Meshës kremtuar në Lampedusa, më 8 korrik 2013, Papa Françesku i lartoi këtë lutje Shën Marisë Virgjër, Yll i Detit:

O Mari, Yll i Detit,
vrapojmë përsëri tek Ti,
për të gjetur paqe e strehë,
mbrojtje e ngushëllim.

O Nënë e Zotit, e Nëna jonë.
silli sytë e tu të ëmbël,
mbi të gjithë ata 
që përballojnë rreziqet e detit çdo ditë,
për t’u siguruar familjeve një kafshatë bukë më shumë,
për të mbrojtur gjithësinë 
për t’i shërbyer paqes ndërmjet popujve.

Ti, Pajtore e mërgimtarëve, e endacakëve,
ndihmoi me kujdes nëne, burrat, gratë, fëmijët,
e ikur nga trojet tyre, në kërkim të shpresës.
Takimi me ne e me popujt tanë
mos të shndërrohet në burim
të skllavërive të reja më të rënda,
të poshtërimeve të reja, më të dhimbshme!

Nënë e mëshirës, 
lyp falje për ne që, të verbuar nga egoizmi, 
mbyllur në vetvete,
burgosur në frikën tonë
nuk mendojmë më
për vuajtjet e vëllezërve.

Streha e mëkatarëve, ti nxirre hirin 
e kthesës së zemrave të atyre,
që lindin luftë, mëri, varfëri, 
që shfrytëzojnë vëllezërit e ligështinë e tyre
tregtojnë padenjësisht jetë njerëzore .

Papa Françesku: të priten emigrantët e refugjatët, jo përjashtime kolektiv 

"Të priten, të mbrohen, të promovohen dhe të integrohen emigrantët dhe refugjatët”. Ky, kujtojmë, ishte thelbi i mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që u kremtua më 21 janar 2018. Për Atin e Shenjtë Bergoglio, gjendja e trishtuar e njerëzve, që ikin nga shtëpitë e tyre, për shkak të luftës, është, fatkeqësisht, shenjë e kohërave. Kujton udhëtimin e tij në Lampeduzë, në fillim të papnisë dhe themelimin e një Seksioni të veçantë kushtuar emigrantëve, drejtuar nga ai vetë. Papa flet për përgjegjësinë e madhe të Kishës, duke reflektuar mbi katër fjalë, bazuar mbi Doktrinën Shoqërore të saj.

Së pari,mikpritja”. Ati i Shenjtë nënvizon se është urgjente “t’u ofrohen emigrantëve dhe refugjatëve mundësi më të mëdha për hyrjen e sigurtë e të ligjshme në vendet” ku emigrojnë. Françesku kërkon thjeshtimin e dhënies së “vizave humanitare” e favorizimin e bashkimeve familjare. Gjithashtu, kritikon kthimet kolektive të emigrantëve dhe refugjatëve, sidomos drejt vendeve ku nuk respektohen të drejtat e njeriut. Parimi i vendosjes së njeriut në qendër të çdo veprimtarie, sipas Papës, na nxit të gjejmë zgjidhje të tjera e jo “t’i burgosim” emigrantët.

Fjala e dytë, mbi të cilën reflekton Ati i Shenjtë Françesku, është “mbrojtja”, e cila duhet të fillojë në atdhe e të vijojë në vendin e emigracionit. Të vlerësohen aftësitë dhe kompetencat e emigrantëve, nënvizon Papa, të cilët duhet të lëvizin lirisht e të kenë mundësi për të punuar. Françesku vë theksin në mbrojtjen e të miturve, që duhet të studiojnë e të jetojnë me familjet e tyre. E shprehet hapur për “ius soli”, pra për të drejtën e fëmijëve të sapolindur për të marrë nënshtetësinë e vendit, ku jetojnë prindërit – e drejtë, që nuk është kthyer në ligj në një sërë vendesh të botës.

 Në udhën e integrimit, Papa Françesku vendos, së treti, fjalën “promovim”. Të gjithë emigrantët duhet të kenë kushtet e nevojshme për t’u realizuar si njerëz. Ati i Shenjtë inkurajon integrimin shoqëror të emigrantëve dhe lavdëron përpjekjet e shumë vendeve për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Uron që në shpërndarjen e ndihmave të merren parasysh edhe kërkesat e vendeve në zhvillim, që strehojnë një numër të madh refugjatësh.

 E fjala e fundit, mbi të cilën vuri theksin Papa Françesku, është “integrimi”. Për Atin e Shenjtë, ai nuk është asimilim e humbje e identitetit kulturor. Është proces i gjatë, vëren, por mund të përshpejtohet duke e dhënë nënshtetësinë pa e lidhur me kërkesa ekonomike apo gjuhësore. Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet kultura e takimit e siguron se Kisha është gati të impenjohet në këtë fushë. Por, për arritjen e rezultateve të qëndrueshme, është i domosdoshëm kontributi i bashkësisë politike dhe i shoqërisë civile. Papa bën thirrje për konkretizimin e pakteve globale, miratuar kohët e fundit në OKB (Global Compacts), njëri prej të cilëve u kushtohet refugjatëve e, një tjetër, emigrantëve. Muajt e ardhshëm, përfundon Mesazhi, janë mundësi e privilegjuar për të mbështetur me vepra konkrete katër pikat e tekstit: “mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin” e emigrantëve dhe të refugjatëve 

04 korrik 2018, 13:20