Refugjatë jemenitë Refugjatë jemenitë 

Papa dhuron 10 mijë euro për refugjatët jemenitë të ishullit Jeju

Refugjatëve jemenitë, të cilët prej ndonjë jave ndodhen në ishullin jugkorean të Jeju, Papa u dhuroi 10mijë euro, shoqëruar me mbështetjen dhe lutjen e tij. Ndërkaq protesta e qytetarëve vijon.

R. SH. - Vatikan

Nunci apostolik në Korenë e Jugut, imzot Alfred Xuereb, dorëzoi dhuratën në para të Papës Françesku për refugjatët jemenitë, që prej ndonjë jave jetojnë në ishullin korean të Jeju. Është fjala për 10.000 euro, që Papa ia ofroi imzot Peter Kang U-il, ipeshkëv i ishullit, për nevojat e njerëzve të asistuar në dioqezën e tij. Lajmin e dha agjencia e shtypit Yonhap. Kryeipeshkvi Xuereb ishte për vizitë në Jeju, pikërisht për t’i rikujtuar solidaritetin e Papës  imzotit Kang, i cili vijon t’i mbështesë çdo çast refugjatët jemenitë, duke i nxitur jugkoreanët të jenë tolerantë e të mëshirshëm, në harmoni të përsosur me dokumentet papnore kushtuar emigrantëve e refugjatëve e duke ecur në katër hullitë, këshilluar nga Françesku, për ta përballuar fenomenin e emigracionit: mikpritje, mbrojtje, promovim e integrim!

Gjatë vizitës së tij të parë në ishull, si Nunc apostolik në Korenë e Jugut, imzot Xuereb u takua edhe me 527 refugjatë jemenitë dhe kremtoi një meshë në kishën nënë, duke u sjellë të gjithëve përshëndetjen dhe bekimin e Papës.  Jemenitët, në ikje nga vendi i tyre, akoma i tronditur nga konfliktet dhe tensionet, hynë në Korenë e Jugut  duke përdorur programin, që u lejon të huajve të qëndrojnë në ishull pa viza, deri në tre muaj. Ardhja e tyre e papritur krijoi shqetësime të mëdha, posaçërisht të tipit ekonomik, ndërmjet banorëve, që nisën menjëherë polemikat e protestat.

Para se të largohej nga ishulli, imzot Xuereb shkoi në parkun e paqes të 3 Prillit, për një lutje private. Ky park u krijua për të përkujtuar viktimat e ndeshjeve ndërmjet qeverisë e civilëve nga viti 1948 deri më 1954, si pasojë e përçarjes ideologjike, që pasoi çlirimin nga regjimi kolonial japonez, më 1945.

29 korrik 2018, 16:53