Kërko

 Papa ndërmjet kardinajve të rinj Papa ndërmjet kardinajve të rinj 

Një javë me Papën dhe me Kishën katolike

Po kujtojmë ngjarjet kryesore të një jave, në Vatikan e në Kishën katolike, duke nisur nga kremtimi i Solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, për të vijuar me Koncistorin e pestë të Françeskut e takime të tjera të Papës dhe të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, me theks mbi shqetësimet e emigracionit dhe vizitën në Mal të Zi e Serbi

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku e nisi Meshën e solemnitetit të Kryeapostujve, Shën Pjetrit e  Shën Palit, me bekimin e Paliove. Gjatë homelisë, nënvizoi me forcë se dashuria e Zotit kërkon të arrijë tek të gjithë, edhe me çmimin  e vënies në lojë të emrit të mirë e të flijimit të jetës.

“Pjesëmarrja në vajimin e Krishtit, do të thotë pjesëmarrje në lavdinë e Tij, që është Kryqi - shpjegoi Françesku në homelinë e kremtimit eukaristik, kryesuar në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal. “Lavdia dhe Kryqi, në Jezu Krishtin, shkojnë së bashku e nuk mund të ndahen, sepse kur braktiset kryqi, edhe në hyfshim në shkëlqimin verbues të lavdisë, gënjehemi keqas. Kjo nuk është lavdia e Zotit, por loja e kundërshtarit. Tepër shpesh - kujtoi Françesku - tundohemi të jemi të krishterë, që mundohen të rrinë larg  plagëve të Zotit. Po i krishteri nuk mund të rrijë larg mjerimit njerëzor. Jezusi e prek këtë mjerim, e na fton edhe ne të gjithëve të rrimë me Të e ta prekim me dorë korpin e munduar të të tjerëve, për t’ua lehtësuar dhimbjet, për t’ua mjekuar plagët”.

Papa kardinajve të rinj: “T’ua lash këmbët të tjerëve, si Krishti, ky është më i larti titull”

Të enjten e kaluar u mbajt Koncistori i pestë i thirrur nga Françesku në këto pesë vjet papnie. Gjatë kremtimit të tij, u krijuan 14 kardinaj të rinj. Me krijimin e tyre, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 226 kardinaj: 125 zgjedhës e 101 jo zgjedhës. Ja edhe “portreti” i tyre: “nga zgjedhësit, 53 vijnë nga Evropa, 17 nga Amerika e Veriut, 5 nga Amerika Qendrore, 13 nga Amerika e Jugut, 16 nga Afrika, 17 nga Azia e 4 nga Oqeania”. Ndërmjet tyre, edhe një nga Shqipëria, kardinali i dytë i shqiptarëve, Hirësia e Tij Ernest Simoni Troshani, i pranishëm në kremtimin e koncistorit të pestë të Françeskut. Njoftimin për krijimin e  kardinajve të rinj e dha vetë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 majit.

Nisi, kështu, Koncistori i pestë i Papës Françesku, që pason  katër të tjerët, të thirrur më 22 shkurt 2014, 14 shkurt 2015, 19 nëntor 2016 dhe 28 qershor 2017. Nuk është çmim, që jepet për të përparuar në udhën karrierës, por nxitje për t’i shërbyer me zell e hov të ri asaj pjese të Kishës, ku kandidatët e zgjedhur kanë dhënë deri tani kontributin e tyre të shquar.  Mbi këtë shërbim e vuri fort theksin Papa edhe në homelinë, mbajtur të enjten e kaluar, gjatë kremtimit prekës të krijimit të kardinajve të rinj, frymëzuar nga Ungjilli i Shën Markut, konceptuar si udhë drejt Jeruzalemit e përshkuar tej e ndanë nga porosia e përjetshme e Krishtit në Ungjill “Kush dëshiron të bëhet më i madhi ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj”.  

Pas Koncistorit, Papa Françesku dhe kardinajtë e rinj shkuan në manastirin “Nëna e Kishës”, për t’u takuar me Benediktin XVI.

Papa Françesku bekon pishtarin e Special Olympics “shenjë gëzimi e shprese”

“Uroj që ky pishtar olimpik të jetë shenjë gëzimi e shprese në Zotin, që të na japë dhuratat e unitetit e të paqes”. Me këto fjalë Papa Françesku bekoi, të mërkurën  e kaluar, para audiencës së përgjithshme, Pishtarin e Posaçëm Olimpik. “I uroj mirëseardhjen delegacionit organizator të Special Olympics me rastin e 50- vjetorit të themelimit - tha Papa. - Bota e sportit u ofron mundësi të veçanta njerëzve për mirëkuptim e miqësi reciproke.

Kujtojmë se Special Olympics është program ndërkombëtar për stërvitjen sportive të më se tre milionë të rinjve me aftësi të kufizuara intelektive.  Papa  vlerësoi lart rolin e sportit për ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, në të cilën njerëzit kanë të njëjtën mundësi të rriten, duke zhvilluar aftësitë e tyre, në sport, ashtu si në jetë.  Pishtari i bekuar nga Papa do të  arrijë, më 20 korrik, në “Soldier Fields” të Çikagos, për të ndezur Flakën Olimpike, që do të shënojë fillimin e kremtimeve të 50-vjetorit të një Lëvizjeje, sot e pranishme në 170 vende, e cila i kujton botës themeluesen e saj, Eunice Kennedy Shriver, pioniere në luftën për të drejtat e njeriut me kufizime intelektive.

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme theksoi: feja duhet nisur nga çlirimi, jo nga detyrat

Jeta e krishterë është, mbi të gjitha, përgjigje plot mirënjohje, që i jepet një Ati bujar. Atit, që na çliron nga Egjipti, përmes Detit të Kuq e pastaj na dorëzon Rrasat me Dhjetë Urdhërimet, mbi Malin e Sinait. “Dekalogu nis nga bujaria e Zotit”. “Zoti jep një herë, pastaj kërkon! Nuk kërkon kurrë, pa dhënë njëherë. Shpëton më parë. Më pas edhe urdhëron! Kështu është “Ati ynë”.

Papa takohet me  të shurdhërit e Dcia, duke i bërë ta ndjejnë veten pjesë të Kishës

“Jemi të lum, që Kisha nuk na la jashtë, po na bëri ta ndjejmë veten pjesë të saj”. Kjo, deklarata  e Patrick Graybill, president i Deaf catholic Youth initiatives of the Americas(Dcyia) (Nismat rinore të katolikëve të shurdhër të Amerikës), në videointervistën, pas audiencës me Papën Françesku në Vatikan, të mërkurën e kaluar. “Ishte ngjarja më e madhe, që jetuam këto ditë. Papa më bekoi, duke më prekur kokën, e i thashë se as në ëndërr nuk e do ta kisha parë këtë takim të pashoq me Atin e Shenjtë”. Na la të kuptojmë se të gjithë jemi të mirëpritur, të barabartë  e se  Zoti  nuk e harron askënd, kur i ndan dhuratat e tij. “Pamë  - shton Patrick Graybill - në sytë e tij e në buzagazin e tij, frymëzimin nga Shpirti Shenjt”.

Papa Françesku: jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë

“Mbrojtja e të pafajshmit, që nuk është lindur akoma, duhet të jetë e qartë, e vendosur e pasionuar, sepse është në lojë dinjiteti i jetës njerëzore, gjithnjë e shenjtë, e edhe pse e kërkon dashuria për çdo njeri, pavarësisht nga zhvillimi i tij. Por nuk duhet harruar se njëlloj e shenjtë është  edhe jeta e të varfërve, që kanë lindur, të cilëve u duhet të luftojnë çdo ditë kundër mjerimit dhe përjashtimit, e edhe jeta e pleqve, që i nënshtrohen eutanazisë së fshehur, sepse nuk kanë mundësi të mjekohen”. Këtë pohoi Papa, duke pritur, të hënën e kaluar, në Vatikan, pjesëmarrësit në asamblenë e XXIV të përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën (PAV),  mbledhur për të diskutuar  rreth temës: “Të drejtat e barabarta. Po cilat? Përgjegjësi globale”. Takimi akademik u mbajt në Vatikan, në Sallën e Re të Sinodit, duke nisur nga e hëna, për të përfunduar të mërkurën, më 27 qershor.

Emigrantë në Evropë: kard. Parolin “problematika kërkon pjesëmarrjen e  të gjithëve”

”Besoj se duhet një përgjigje e përbashkët për këtë problem. Sigurisht që portat e mbyllura nuk janë përgjigje. Por besoj edhe se përgjigjja mund të vijë vetëm nga bashkëpunimi ndërmjet të gjitha vendeve evropiane”. Kështu u shpreh Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, për Agjencinë Sir, duke folur për këtë problem kaq të mprehtë - në qendër – të hënën e kaluar, në Bruksel - të bisedimeve për trajtimin e flukseve të emigrantëve në Mesdhe dhe të përgjegjësisë së Evropës. Ja cila është pyetja - kujtoi kardinali Parolin - “Evropa, ku është? A është akoma? E siç thuhet në këto raste, nëse je, Evropë, luaj vendit! Zbraze një top! Besoj se duhet ngulmuar mbi këtë - shtoi më pas Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke nënvizuar: “Problematika e emigracionit, për t’u zgjidhur, kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve!”.

Kard. Parolin njoftoi edhe hapjen e zyrës së Nunciaturës në Mal të Zi dhe vizitoi bashkësinë katolike

Vizitë e ngarkuar me veprimtari, nga takimi me Kryetarin e Parlamentit, tek vizita e kryedioqezës së Tivarit. “Me kënaqësi mësova se Mali i Zi, në pluralitetin e tij etnik dhe fetar, është duke azhurnuar legjislacionin e vet me qëllim që të nxisë më tej lirinë fetare, e cila është e pandashme nga çdo liri tjetër”-  pohoi kardinali Parolin – që në vijim të vizitës  takoi klerin dioqezan e rregulltar të kryedioqezës së Tivarit, së bashku me kryeipeshkvin imzot Rrok Gjonlleshaj.

Në solemnitetin e Shën Pjetrit e Palit, kard. Parolin kremtoi Meshën në Katedralen e re të Shën Pjetrit, në Tivar, ku u takua edhe me popullin e Zotit. Gjithjë të premten pasdite,  vizitoi edhe dioqezën tjetër të Malit të Zi, atë të Kotorit. Edhe këtu, në Katedralen e Shën Trifonit, kremtimi i Meshës dhe u takimi me klerin dhe bashkësinë e besimtarëve.

Më 30 qershor Prelati i lartë vijoi vizitën në Serbi, për t’u kthyer në Vatikan më 1 korrik.

01 korrik 2018, 12:41