Kërko

 Papa Françesku në Lampeduza Papa Françesku në Lampeduza 

Mesha e Papës për emigrantët, në kujtim të Lampeduzës

Nesër Papa do të kremtojë një Meshë për emigrantët, në kujtim të pesëvjetorit të vizitës së tij në Lampeduzë.

R. SH. - Vatikan

Nesër, e premte, 6 korrik, Papa do të kremtojë një meshë për emigrantët, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Mesha përkon me pesëvjetorin e vizitës së Françeskut në Lampeduzë, më 8 korrik 2013. Do të jetë një çast lutjeje për të vdekurit, për të mbijetuarit e për ata, që i ndihmojnë - njofton drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke - Parashikohet prania e rreth 200 vetëve, ndërmjet të cilëve, refugjatë dhe njerëz që i asistojnë.

Jehon, në atmosferën e pritjes së kësaj Meshe, kujtimi i ngjarjes e zëri i Papës, që pyet, nga brigjet e ishullit të Lampeduzës: “Kush qau për ata, që u mbytën në det?”,  e që i përgjigjet me një “jo” të prerë globalizimit të indiferencës.

Në mes të atyre që vuajnë, për t’i shkundur ndërgjegjet e për ta mposhtur indiferencën që na bën të pandjeshëm! Këtë dëshmi dha Ati i Shenjtë me vizitën historike në Lampeduzë. Papa, i ardhur nga fundi i botës, deshi ta kryejë shtegtimin e tij të parë apostolik në një skaj të Evropës, ku vuajtja e emigrantëve, në kërkim të shpresës, takohet me bujarinë e bashkësisë së Ishullit.

Çast kulmor i vizitës, sa të shkurtër, aq edhe të ngarkuar me emocione, ishte Mesha në “Arena”, stadiumi i vogël i Lampeduzës, përplot me besimtarë e emigrantë, më se 10 mijë vetë.

Ky çast do të rikujtohet nesër, në Altarin e Bazilikës së Vatikanit.

 

05 korrik 2018, 14:10