Kërko

Kryqi i Krishtit e Zoja e Fatimës Kryqi i Krishtit e Zoja e Fatimës 

Mesazh i Papës për takimin e Ekipeve Notre-Dame në Fatima

Në përshëndetjen e Papës Françesku, siguria se “Kisha e dënon mëkatin, pasi duhet ta thotë të vërtetën, por, njëkohësisht, përqafon mëkatarin, që e pranon se është i tillë”, duke i ofruar “mëshirën pa fund të Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Papës Françsku mbërritën sot tek pjesëmarrësit e takimit ndërkombëtar të Ekipeve Notre-Dame (End), që vijon në Fatima të Portugalisë, nga 16 deri më 21 korrik. Mesazhi i Atit të Shenjtë u lexua nga nunci apostolik në vend, kryeipeshkvi Rino Passigato.

Tema e mesazhit

Teksti i Papës, dërguar Maria Berta dhe José Moura Soares, çiftit përgjegjës ndërkombëtar të End-it, merr shkas nga punimet e edicionit të 12-të të Takimit, përqendruar mbi figurën e djalit plangprishës.

Inkurajimi i Atit të Shenjtë

Në mesazh, Papa Françesku i fton pjesëmarrësit ta shohin veten si djali i humbur, që kthehet tek ati, i cili është gati ta presë e që, siç lexohet në tekst, “nuk lodhet kurrë së përqafuari, duke i kthyer madhështinë e birit”:

“Të prekur nga kjo mirësi kaq e madhe, lëreni zemrën të shprehet: është e vërtetë, o Zot! Unë jam mëkatar, mëkatare; e ndjej veten e jam kështu. Kam humbur. Në njëmijë mënyra, i kam ikur dashurisë Tënde, por jam sërish këtu për të përtërirë besëlidhjen time me Ty. Kam nevojë për Ty. Më fito edhe një herë për vete o Zot! Më prano në krahët e tua shëlbuese”.

Krahët e hapura të Krishtit

 Duke kujtuar krahët e hapura të Krishtit në Kryq, mesazhi rievokon mëshirën e pafund të Zotit:

“Askush nuk përjashtohet nga dashuria e Atit e as nga mëshira e Tij… Ai nuk dorëzohet e nuk humbet askënd: burra a grua, prind a fëmijë… para syve të Krishtit, askush nuk humbet përgjithmonë, ka vetëm njerëz, që duhet t’i gjejmë e Jezusi na nxit të dalim për t’i gjetur… nëse duam ta gjejmë Zotin, duhet ta kërkojmë aty, ku dëshiron të na takojë e jo aty, ku duam ne”.

Programi i takimit ndërkombëtar End

Gjashtë ditët e këtij takimi të 12-të në qytezën mariane, karakterizohen nga reflektime, lutje, kremtime, dëshmi e nga meditimet e përditshme të kryeipeshkvit José Tolentino Calaça de Mondonça, teologut që, pasi predikoi ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, u emërua nga Papa arkivist e bibliotekar i Kishës Shenjte Romake.

20 korrik 2018, 19:56