Kërko

 Shtegtimi i Papës në Irlandë Shtegtimi i Papës në Irlandë 

Irlanda në pritje të Papës për Ditën Botërore të Familjes më 25 e 26 gusht

Shenjtërorja e Knock do të jetë vendi, ku Papa Françesku do të jetë i pranishëm për Ditën Botërore të Familjes e do të kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot të 26 gushtit: kufizohet numri i pjesëmarrësve në 35 mijë vetë, në krahasim me 400 mijë, që e patën pritur Gjon Palin II. Zërat e njerëzve, që përgatiten për vizitën!

R. SH. - Vatikan

Një helikopter në fluturim, inspekton zonat e përhumbura në mes të blerimit, rreth Shenjtërores së Knock. Këtu, në kontenë e Mayo, jemi në mes të fushës pa fund. Dy njerëz e shikojnë fluturakun e thonë: “Është për sigurimin, në prag të vizitës së Papës”. Prej disa ditësh edhe një makinë e policisë ndalohet çdo ditë në fund të rrugës kryesore, që çon në shenjtërore.

Në Irlandën perëndimore është pikërisht çështja e sigurimit ajo, që çoi në kufizimin e numrit të pjesëmarrësve në lutjen e Engjëllit të Tënzot  të së dielës, 26 gusht, brenda shenjtërores vetëm në 35 mijë vetë, në krahasim me 400 mijë, që e patën pritur Papën Gjon Pali II, i cili e deshi fort Knock e la një gjurmë të thellë, të pashlyeshme, në zemrat e irlandezëve. E ky duket se është edhe argumenti rreth të cilit diskutohet më shumë në këto ditë pritjeje.  E, duhet kujtuar edhe se biletat për të hyrë në zonën e shenjtërores, u zhdukën në pak orë. Deri në atë pikë, sa  disa njerëz, vetëm për ta përshëndetur Françeskun, vendosën të përballojnë shtegtimin, e dhe rradhët për të hyrë në Phoenix Park të Dublinit, që të dielën pasdite, kur biletat e shtypura ishin një gjysëm milioni.

Nuk janë mësuar me masa parandaluese irlandezët: as në koncerte këtu nuk ndjehet prania e antiterrorizimit. Michael, që shet artikuj publiciteti  në një rrugë të vogël, të fshehur, është një zotëri i moçëm e i përzemërt. Nuk e di ç’do të thotë pesimizëm. “A thua do ta shikosh Papën?” – e pyesim. “Pa tjetër!” -  përgjigjet me një buzagaz plot emocion.

Shenjtërorja është vend i mirëfilltë i bashkimit të Veriut me Jugun: nga Donegal - në Cork, nga veriu - në jug, të dielën në mëngjes do të jenë të gjithë këtu. Cilian është 11 vjeç e ka ardhur me gjyshen Mary dhe 30 vetë të tjerë nga qyteti i Irlandës jugore. Është hera e parë që shkel në shenjtërore e kur e pyesim ç’është ky vend, gjegjet pa pikë ngurrimi: “Vend shenjt!”. E buzëqeshja plot entuziazëm i ndrit në fytyrën e tij fëmijnore.

Ky fëmijë ka me të vërtetë arsye: në vitin 1879 e gjithë familja Byrne, që banonte në këtë zonë, pa Zojen e Bekuar e, pranë saj, Shën Jozefin e Shën Gjonin Ungjilltar. E mbi një shkëmb, Qengjin e varur mbi kryq. Thirrën banorët e katundit e të gjithë mundën ta shikojnë dukjen: pesëdhjetë vetë qenë dëshmitarë të ngjarjes, nën një shi që binte me rrëshekë, por nuk lagte… Dy komisionet hetuese të çështjes, kryen punë shpejt e shpejt: kush e kishte parë ngjarjen, nuk kishte asnjë dyshim!

Veçoria, që e dallon Knock nga çdo vend tjetër dukjesh, është se gjithçka ndodhi në heshtje të plotë; asnjë lloj mesazhi nuk iu përcoll dëshmitarëve. Rektori i Knock, atë Richard Gibbons, shpjegon se “këtu  qëndron misteri i Knock: heshtja na çon  tek Fjala e Zotit, e dëshmuar jo vetëm nga Zoja, që këtu, ashtu si në Loreto, Fatima, Lurdë ka rol kryesor. Por edhe nga Shën Gjoni Ungjilltar, simbol i Fjalës, e Shën Jozefi, atë i Kishës. Qengji është Eukaristia, në qendër”.

Një shenjtërore për të gjithë, ku zakonisht thuhet: “këtu nuk ka kurrë të huaj, vetëm shtegtarë, që vijnë njëri pas tjetrit”. E ku tregohet vëmendje e veçantë për familjen. Si ajo e Michael e Sharon, që vijnë nga Donegal me dy vajzat e tyre të vogla, të cilat luajnë rreth shatërvanit të Bazilikës së re. Tregojnë se Sharon shtegton këtu për herë të parë, ndërsa Michael vjen vazhdimisht: “Erdhëm për to - na thonë - duke i ndjekur me sy voglushet, për t’i pasur gjithnjë nën kontroll, ndërsa ato lagin njëra- tjetrën, në pikën e  vapës së kësaj dite irlandeze, kur digjen flakë edhe gurët. Vajzat janë ende të vogla, por sigurisht nuk do ta harrojnë kurrë këtë ditë. Do të kujtojnë gjithnjë se ishin këtu”.

Përreth Bazilikës të bien menjëherë në sy shtyllat: 32 prej tyre janë bërë me gurë të marrë nga secila konte. Një mënyrë për të kujtuar se ky vend u themelua për të gjithë irlandezët. Falë Shenjtërores, më 1985, këtu nisi edhe ndërtimi i aeroportit, ku do të ulet Papa. Historia kujtohet edhe në një muze. Imzot Horan, fytyra e të cilit qesh gjithnjë nga një gjigandografi brenda aeroportit e riprodhohet edhe në një shtatore në rrugë, ndërmjet pistës e shenjtërores, besoi kundër të gjithëve: qeveria nuk donte ta ndërtonte. Ishin vite krize, financimet vononin të vinin. “Çka besoni se po bëjmë?” - iu pat gjegjë një gazetari, në një dokumentar të Rte: “Po ndërtojmë një aeroport. Nuk kemi para, madje as leje ndërtimi, po ne po e ndërtojmë”.

Lindi, kështu, një fundraising (mbledhje fondesh) aeroportual, që vijon edhe sot e kësaj dite: kush shtegton nga West Airport lë një taksë prej 5 deri në 10 euro, duke u nisur nga fakti është apo s’është shtetas irlandez. E të gjithë paguajnë pa pipëtirë: aeroporti lidh këtë pjesë të ishullit me Spanjën, me Britaninë e Madhe e edhe me Lurdën e Medjugorjen. “Po të mos qe, do të ishim shkëputur nga të gjithë e do të detyroheshim të bënim një udhëtim prej një orë e gjysëm, për të arritur në Dublin”- kujtojnë. Shprehja e imzot Horan: “Patën thënë se nuk mund ta bëjmë!”, që lexohet mbi mure, i jep shtytje sipërmarrjes. Duke dëshmuar se këtyre viseve askush nuk trembet nga sfidat.

10 korrik 2018, 15:33