Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Ministrantët me Papën Françesku në Shën Pjetër Ministrantët me Papën Françesku në Shën Pjetër  (ANSA)

Papa me ministrantët: rruga drejt shenjtërisë nuk është për dembelët

Papa Françesku takohet me ministrantët, në Romë për shtegtimin e tyre të 12-të ndërkombëtar. “Bëheni shenjtorë, nëse ndihmoni të afërmin: mik a i panjohur, bashkokombas a i huaj”, u tha atyre.

R.SH. - Vatikan

Rreth 70 mijë ministrantë apo xhakoj u takuan sot me Papën Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Që dje, ata ndodhen në Romë si pjesëmarrës të Shtegtimit të tyre të 12-të Ndërkombëtar me temë “Kërkoje paqen dhe arrije”, marrë nga Psalmi 34,15. Të rinjtë, nga mosha 13 deri në 23 vjeç, ardhur kryesisht nga zonat e botës ku flitet gjermanisht, frëngjisht, portugalisht, anglisht e hungarisht, anëtarë të Coetus Internationalis Ministrantium, i bënë Papës pyetje për fenë, për paqen, për shenjtërinë e jetës.

Pyetjet e të rinjve dhe përgjigjet e Papës

         Shenja e paqes, që shkëmbehet në meshë, ishte në qendër të pyetjes së francezit, i cili i kërkoi Atit të Shenjtë udhën për ta përhapur këtë paqe edhe jashtë mureve të kishës. “Kërkimi i paqes – iu përgjigj Papa – fillon nga gjërat e vogla. Për shembull, në shtëpi”. Nga Portugalia, të rinjtë erdhën me shqetësimin e ndërthurjes së kundrimit shpirtëror të Zotit me shërbimin praktik për Të. E Françesku nuk mungoi t’u kujtojë se si ministrantë, ata veprojnë si Marta e si Maria e Ungjillit. Nga njëra anë, “impenjimi në jetën famullitare e, nga ana tjetër, qëndrimi në heshtje para Zotit”. “Në këtë ndërthurje veprimi e kundrimi, kuptohet edhe plani i Zotit për secilin prej nesh”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Papa, ministrantëve: “Feja është ajri, që thithim”

         Nga Antigua e Barbuda, pyetja e tretë, mbi pjesëmarrjen e të rinjve në Kishë. Papa i nxiti ta dëshmojnë Krishtin ndër bashkëmoshatarët. Ju, u tha “mund të jeni apostuj, që dinë t’i tërheqin të tjerët kah Jezusi”. Por, “kjo ndodh kur ju vetë jeni plot entuziazëm për Të, kur e keni takuar, e keni njohur personalisht e kur, ju të parët, jeni ‘pushtuar’ prej tij”. Nuk ka nevojë për shumë fjalë, por për fakte, afërsi e shërbim. “Pse feja është kaq e rëndësishme për ju? Pse duhet zgjedhur ajo katolike: shumë njerëz as që besojnë”: kjo pyetja nga zonat e gjuhës gjermane. “Feja është si ajri, që thithim”, përgjigjet Papa Françesku, “ajo na ndihmon t’i japim kuptim jetës”. Edhe kësaj radhe, Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë të mos e mbajnë fenë për vete, sepse nuk janë bij të vetëm të Zotit, por të krijojnë familjen e Hyjit, pra, Kishën, bashkësinë e vëllezërve e të motrave në Krishtin. Pyetja e fundit i vjen Papës nga Serbia, nga zona ku flitet hungarisht. “Nuk është e lehtë të bësh mirë”, “si të bëhemi shenjt?” e pyesin të rinjtë Françeskun. “Për të konkretizuar urdhërimin e dashurisë – u thotë Papa Bergoglio – Jezusi na ka këshilluar veprat e mëshirës”. E ato duhet të jenë për të gjithë, “s’ka rëndësi nëse për miq a të panjohur, për bashkëkombas a të huaj”.

Komenti i Papës: lavdia e Zotit, busulla e ndërgjegjes

         Ndërsa mbrëmja binte mbi Romë, Ati i Shenjtë komentoi Letrën e parë të Shën Palit drejtuar Korintasve, një pjesë prej së cilës u lexua gjatë takimit. Papa përshkoi këshillat e Apostullit të Popujve. “Bëni gjithçka për lavdinë e Zotit”, thotë shën Pali. “T’i shërbejmë lavdisë së Zotit në çdo gjë është kriteri vendimtar për veprimet tona – nënvizoi Papa Françesku – sinteza më e lartë e përjetimit të miqësisë sonë me Jezusin”. Kjo na orienton për të vepruar drejt, theksoi më tej Ati i Shenjtë, na ndihmon ta njohim zërin e Zotit brenda nesh, ta kuptojmë vullnetin e Tij. “Lavdia e Zotit është busulla e ndërgjegjes sonë”.

Dëshmojeni çdo ditë dashurinë e Zotit

         Shën Pali i nxit të krishterët të sillen në mënyrë të tillë, që gjithçka t’u pëlqejë të gjithëve, në mënyrë që të ndjekin atë shembull e të shëlbohen. “Ndizni dritën për të zhgënjyerit, transmetojuni humorin e mirë”, i këshilloi Papa ministrantët, duke vërejtur se “varet prej koherencës sonë, nëse vëllezërit e njohin Jezu Krishtin, të vetmin shpëtimtar e shpresë për botën”.

Imitoni Krishtin

         Vetëm duke imituar Krishtin e duke ndjekur udhën e shenjtorëve, që janë Ungjilli i jetuar, mund ta dëshmojmë krishterimin. Papa u përmendi të rinjve shën Injacin e Lojolës, që Kisha e përkujton sot, duke u kërkuar ta gjejnë paqen, të impenjohen për fatkeqët, për ata, që nuk kanë zë.

Takimet e tjera deri më 3 gusht, drejt Sinodit të tetorit

         Shtegtimi ndërkombëtar i ministrantëve do të përfundojë më 3 gusht. Programi, që ndjekin të rinjtë, është mjaft i larmishëm, që nga kremtimet liturgjike me ipeshkvijtë e tyre tek lutjet e përbashkëta, vizitat, eskursionet, rrëfimet, bisedat e takimet në 300 vende të Romës. Gjithçka, duke pasur parasysh Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve kushtuar të rinjve dhe DBR-në e Panamasë, në vitin 2019. Pikërisht gjatë audiencës, tre ministrantë nga Ukraina, SHBA-ja dhe Gjermania, i dhuruan Papës shenjat e shtegtarit, ndër të cilat, shalli tipik i organizatës së tyre, bërë enkas për Atin e Shenjtë. E Papa dërgoi edhe një mesazh përmes app-it “Go Rome”, me të cilin të rinjtë e gjithë botës mund të ndjekin etapat e shtegtimit të ministrantëve, të ndajnë me ta ide, përshtypje, lutje e pyetje për t’u shqyrtuar në Sinodin e tetorit.

31 korrik 2018, 19:27