VATICAN-RELIGION-ANGELUS-POPE VATICAN-RELIGION-ANGELUS-POPE 

Papa Françesku: gjithçka duhet bërë së bashku me Krishtin

Papa Françesku lutet së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Engjëllin e Tënzot, dhe u kujton: gjithçka duhet bërë së bashku me Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Në mesin e verës, që tashmë ka arritur gati pikun e saj, mbërrin ftesa e Jezu Krishtit për apostujt: “pushoni pak”. Ktheheshin nga misioni e u mblodhën rreth Mësuesit të tyre për t’i treguar ç’kishin bërë, por Jezusi i fton të mënjanohen nga të tjerët e të pushojnë. Vjen për të gjithë koha e pushimit. E tillë është koha e verës, gjatë së cilës, edhe dishepujt e Krishtit duhet të mësojnë si të largohen pak nga bota, nga zallamahia e suksesit apo e dështimit, nga zhurma e turmës.

Por, mos harroni, gjithçka duhet bërë së bashku me Krishtin, pasi edhe vetë Jezusi nuk u thotë “shkoni”, por “ejani”, pra, i fton të rrinë me Të. Vetëm kështu, Jezusi mund të kujdeset për të vetët, t’i përgatisë për misionin, t’i paralajmërojë për tundimet, t’i forcojë, në mënyrë që të dinë si të japin dëshmi për Të para botës. E kështu bëri edhe me turmën - që i parapriu Atij dhe dishepujve - për të cilën pati mëshirë, siç thuhet në Ungjillin e sotëm sipas Markut, në qendër të reflektimit të Papës Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Edhe Ati i Shenjtë, ashtu si dishepujt, bën pushimet e tij verore, por pa u larguar nga Vatikani; duke u shkëputur nga impenjimet e përditshme, por pa e lënë takimin e mesditës të së dielës me besimtarët e shtegtarët, që grumbullohen në Sheshin e Shën Pjetrit, për të dëgjuar Papën e komentin e tij, ashtu si dikur njerëz të tjerë dëgjonin Jezusin, Bariun e Mirë.

22 korrik 2018, 12:30