Do të jetë shenjt më 14 tetor, i riu punëtor Nunzio Sulprizio
R.SH. - Vatikan
Një i ri do të shpallet shenjt gjatë Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar pikërisht të rinjve. Më 14 tetor, Papa Françesku do të kanonizojë të Lumin Nunzio Sulprizio, punëtor abrucez, që vdiq në vitin 1836, në moshën 19-vjeçare, nga një tumor në kocka. Gjendja e tij shëndetësore mendohet të jetë keqësuar nga kushtet e tmerrshme, në të cilat punonte në kovaçhanën e të ungjit, që e shfrytëzoi si mundi. Ati i Shenjtë dha njoftimin për shenjtërimin e të riut italian sot paradite, gjatë koncistorit të zakonshëm publik.
I kanonizuar së bashku me Papën Pali VI dhe me imzot Romeron
Nunzio, nga Pescosansonesco i provincës së Pescara-s, konsiderohet pajtor i invalidëve dhe i viktimave të punës. Do të lartohet në nderimet e altarit së bashku me Papën Pali VI, i cili e pati shpallur të Lum më 1 dhjetor 1963, gjatë Koncilit II të Vatikanit, si edhe me kryeipeshkvin salvadorian imzot Oscar Romero, me meshtarin dioqezan don Francesco Spinelli, themelues i Institutit të Motrave Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament, me meshtarin don Vincenzo Romano dhe me motër Maria Caterina Kasper, themeluese e Institutit të Shërbëtoreve të Varfëra të Jezu Krishtit.
Shërimi i një të riu në koma, pas një aksidenti
Mrekullia, që solli në kanonizimin e punëtorit të përvuajtur abrucez, ka të bëjë me një të ri tjetër nga Taranto, gjithnjë në Itali, që mbeti i plagosur rëndë gjatë një aksidenti me motorr, duke kaluar fillimisht në koma e më pas në gjendje vegjetative. Prindërit, të cilët i kishin vënë në portofol fuguren e Nunzio Sulprizio-s, i kërkuan një relike të të Lumit, famullisë së Shën Domenico Soriano-s në Napoli, ku ruhet trupi i tij (relike të tjera ndodhen në shenjtëroren e Pescosansonesco-s). Relikja u vu në sallën e reanimacionit, ndërsa i ati i djalit i lagu ballin të birit me ujin e të Lumit, nga burimi Riparossa, në vendlindjen e Nunzio-s, ku ai lante këmbën e gangrenizuar. Ditë më vonë, infermierët filluan të thonin se djaloshi nuk kishte më nevojë për reanimacion. Pas katër muajsh u zgjua nga gjendja vegjetative, duke fituar sërish të gjitha funksionet neurologjike e mendore, pa asnjë lloj dëmi. Kështu, jetimi abrucez, i shfrytëzuar deri në palcë nga i ungji në Napoli, që e heq edhe nga shkolla, kur ishte vetëm nëntë vjeç, duke e detyruar të mbarte pesha të rënda për kilometra të tëra, në vapë e në ngricë, i shpëton jetën një të riu si vetja, që pati besim në ndërhyrjen e Zotit, ashtu siç e pati edhe vetë Nunzio Sulprizio, i cili i kaloi 19 vjetët e tij dhe e përballoi sëmundjen e rëndë, duke ndenjur para Tabernakullit për të adhuruar Krishtin.
Patericat në shenjtëroren e Pescosansonesco-s
Më 9 korrik 1859, Papa Piu IX ia njeh virtytet heroike. Më 1 dhjetor 1963, para të gjithë ipeshkvijve të botës, mbledhur për Koncilin II të Vatikanit, Papa Pali VI e rreshton Nunzio Sulprizio-n me të Lumët e Kishës. Shenjtërorja kushtuar atij në vendlindje, ku ruhet një pjesë e relikeve, është vend shtegtimesh të shumta. Një nga faqet e murit është plot me paterica, lënë aty nga të rinj, që janë shëruar falë ndërhyrjes së shenjtorit të ardhshëm abrucez.