Ditët karaibike të rinisë. Papa: dashuri që nuk mbaron kurrë!
R. SH. - Vatikan
“Dashuria ka një forcë krejt të vetën e nuk mbaron kurrë: në projektin tuaj për shndërrimin e familjes së Karaibeve, duhet ta kuptoni të sotmen, për ta përballuar të nesërmen, pa e harruar për asnjë çast të kaluarën”.
Janë fjalët e Papës Françesku drejtuar, përmes një videomesazhi, asamblesë të të rinjve “Ditët karaibike të rinisë”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Antileve (AECYA) me temë: “Të rinjtë e shndërrojnë familjen karaibike”. Në qendër të punimeve, që vijojnë ndërmjet 10 e 23 korrikut pranë kryedioqezës së Saint-Pierre&Fort-de-France, reflektimi mbi Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”.
Busulla e historisë, rrënjët e së kaluarës
Papa i inkurajon të rinjtë t’i kuptojnë rrethanat e sotme të familjes, që të mund ta shndërrojnë, me shikimin drejtuar nga e ardhmja, posaçërisht duke u nisur nga kapitulli i katërt i Nxitjes Pas-Sinodale kushtuar familjes, “bërthamë” e dokumentit, nga i cili duhen nxjerrë vijat e rëndësishme udhëheqëse, për të ecur përpara. Reflektimet e Papës Bergoglio i takojnë sa së sotmes, aq edhe së ardhmes, gjithnjë pa harruar kurrë edhe “rrënjët e së kaluarës” . “Shikoni gjithnjë mbrapa” - ngulmon - shikoni gjyshërit tuaj, prindërit tuaj e flisni gjithnjë me ta. Vetëm kështu mund të vini në jetë “tensionin shndërrues, të aftë për të realizuar ndryshimin”.
“Nuk mund të bëhet asgjë, as në të sotmen, e as në të ardhmen, nëse nuk i ka rrënjët në të kaluarën, në historinë tënde, në kulturën tënde, në familjen tënde: nëse nuk i ke rrënjët të mbjella mirë aty brenda. Nga rrënja do të të vijë forca për të ecur përpara. Të gjithë, ne, ju, nuk jemi të fabrikuar në ndonjë laborator! E kemi të gjithë një histori, i kemi këto rrënjë. E gjithçka bëjmë, frytet, që japim. bukuria, që mund të krijojmë në të ardhmen, vijnë pikërisht nga këto rrënjë”.
Dashuria nuk mbaron kurrë
Papa Françesku u kërkon të gjithëve të punojnë së bashku, me sigurinë se “dashuria ka një forcë, që nuk e ka kush” e se “nuk mbaron kurrë”. Në videomesazh, Papa gjen kohë dhe për të bërë shaka me të rinjtë, të cilët i pyet edhe “nëse janë të rinj të rinj” apo, “të rinj të plakur”. Sepse për sfidat, që i presin, është e nevojshme “gjithë forca, zelli, vrulli i rinisë”. E atyre, që tashmë janë ulur, Papa u kërkon të shpërvjelin mëngët e të rifillojnë të luftojnë”.