Kërko

Dita kundër trafikut, këtij krimi të turpshëm

Sot, 30 korrik, bie Dita ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore. Viktimat e kalojnë 40 milionëshin. Papa Françesku e quan fenomenin krim, që cënon lirinë dhe dinjitetin e njerëzve. “Të dalim nga hipokrizia –nënvizon – ka shumë bashkëfajtorë”.

R.SH. - Vatikan

“Të dëgjojmë britmën e sa e sa vëllezërve të shfrytëzuar nga trafikët e krimit: nuk janë mall, janë njerëz e, si të tillë, duhen konsideruar”. Kështu shkruan sot Papa në një tweet, kushtuar Ditës ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore, që bie sot. Ati i Shenjtë e kujtoi edhe dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Nuk është hera e parë, që e ngre zërin për të denoncuar turpin e skllavërive moderne dhe bashkëfajësitë, që i mundësojnë ato.

Fenomen i përhapur në gjithë botën

         Sipas Organizatës Botërore të Punës dhe Fondacionit “Walk Free” (Ec i lirë), janë më se 40 milionë, njerëzit e përfshirë në këtë fenomen në gjithë botën. 71% e tyre përbëhet nga gra e fëmijë. Format e trafikut janë të shumta: trafik emigrantësh, punë e detyruar, shfrytëzim i të miturve, shfrytëzim seksual, tregti organesh, marrja ushtarë, martesa të parakohshme, trafik lypësish etj..

Plani Global i OKB-së

         Në vitin 2010, Kombet e Bashkuara miratuan Planin Global të Veprimit për luftën kundër trafikut të njerëzve. I nxitën qeveritë e të gjitha vendeve të bashkëpunojnë për të mbrojtur viktimat dhe për t’u kthyer atyre të drejtat. Edhe për këtë arsye, OKB-ja caktoi 30 korrikun si Ditë ndërkombëtare sensibilizimi kundër trafikut. Tema e sivjetme është “Ndihmoji dhe mbroji viktimat e trafikut”.

Ka shumë bashkëfajtorë

         “Pavarësisht nga përpjekjet e shumta të sa e sa vetëve, skllavëria moderne vijon të jetë mallkim i përhapur në gjithë botën, madje, edhe në turizëm”, pati thënë Papa Françesku më 2 dhjetor 2014, me rastin e nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të krerëve fetarë kundër sklllavërive moderne. Sipas Atit të Shenjtë, fjalët më të përshtatshme për fenomenin janë “krim që lëndon humanitetin”, pra krim kundër njerëzimit, “fenomen i neveritshëm”, “tregti e tmerrshme”, që “fshihet pas zakoneve, në dukje, të pranueshme”. Trafiku, sipas Papës, është humbje për të gjithë. “Ku është vëllai yt? – shkruan Françesku në enciklikën ‘Evangelii gaudium’ – Ku është ai, që ti e vret përditë në fabrikën e vogël klandestine, në rrjetin e prostitucionit, në fëmijët që i përdor si lypës, në ata që duhet të punojnë fshehtas, sepse nuk u ke dhënë dokumente? Mos të sillemi sikur s’dimë gjë. Ka shumë bashkëfajtorë. Pyetja është për të gjithë! Në qytetet tona është ngulitur ky krim mafioz e i neveritshëm dhe shumë i kanë lyer duart me gjak për shkak të bashkëfajësisë së tyre të leverdisshme e të heshtur”.

30 korrik 2018, 12:41