Pasojat e shirave në Japoni Pasojat e shirave në Japoni 

Dhimbja e Papës për viktimat e përmbytjeve në Japoni

Shirat e rrëmbyera, që ranë këto ditë në Japoni, shkaktuan dëmtime shumë të rënda në vend. Më se 100, të vdekurit e pothuajse 6 milionë, të shpërngulurit. Ngushëllimet e Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

“Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i humbjes së jetëve njerëzore, shkaktuar nga përmbytjet e rënda, në vijim, të shirave që ranë me rrëmbesë këto ditë në Japoni”  - këto, fjalët e ngushëllimit drejtuar nga Papa Françesku popullsive japoneze, përmes një mesazhi nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Papa - vijon mesazhi - “u shpreh solidaritetin e  sinqertë  të gjithë njerëzve të prekur nga kjo tragjedi e lutet posaçërisht  për pushimin në paqe të të vdekurve si dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve”. Në përfundim, Françesku u shpreh afërsinë dhe inkurajimin autoriteteve civile dhe gjithë njerëzve, që po japin ndihmesën për lehëtisimin e  situatës.

Më se 100 të vdekur e miliona të shpërngulur

Ndërkaq vijon të shtohet dramatikisht bilanci i viktimave të përmbytjeve, pasojë e valës së reshjeve që duket sikur nuk do të pushojnë mbi Japoninë. Sipas burimeve qeveritare, numri i të vdekurve deri tani është 112, ndërsa vazhdojnë kërkimet e të humburve - më se 80 - në atë, që kryeministri japonez Shinzo Abe e quajti “vrapim kundër kohës”. Në këtë “vrapim” marrin pjesë  54 mijë vetë të Forcave të vetëmbrojtjes, policisë dhe zjarrfikësve, së bashku me rojen, bregdetare, për të ndihmuar sa më shpejt e më mirë popullsinë. Më se 5,9 milionë vetë u shpërngulën në 19 prefektura, me 30 mijë banorë, duke u detyruar ta kalojnë natën në qendra strehimi. Të tjerë  mbeten ende mbi çatitë e shtëpive të tyre të përmbytura krejtësisht nga ujërat. Në këtë situatë, kryeministri Abe e anuloi udhëtimin e  tij  në Evropë e në Lindjen e Mesme, ndërsa në vend u detyruan ta ndërpresin veprimtarinë shumë fabrika të sektorit automobilistik, kryesisht sepse punëtorët nuk mund të arrijnë në vendet e punës, për shkak të rrugëve të mbuluara krejtësisht nga uji. Kështu në prefekturat e Kyotos, Osakës, Hiroshimës e Yamaguchi-t.

 

09 korrik 2018, 15:23