Logo zyrtare e DBR-së Panama 2019 Logo zyrtare e DBR-së Panama 2019 

DBR Panama 2019: Papa Françesku do të kushtojë katedralen e Shën Marisë La Antigua.

Gjatë shtegtimit në Panama, Papa Françesku do të kushtojë katedralen Santa Maria La Antigua. Pritet të takohet edhe me një grup përfaqësues të të rinjve ardhur nga të pesë kontinentet, me ipeshvijtë qendramerikanë, me autoritetet shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe liderët shpirtërorë të konfesioneve të pranishëm në Panama.

R. SH. - Vatikan

Gjatë shtegtimit të tij në Panama, nga 23 deri më 27 janar 2019, për Ditën Botërore të Rinisë, Papa Françesku do të kushtojë katedralen, në qendër të qytetit, që njihet me emrin Santa Maria La Antigua. Është monument kolonial me më se 220 vjet histori, nënshtruar një restaurimi të plotë, me fonde publike. Në studim e sipër edhe mundësia që Papa të përshëndesë të rinjtë e përjashtuar nga radhët e shoqërisë dhe të sëmurët, të cilët nuk mund të marrin pjesë në ngjarjet e Ditës, që u kushtohet. Pritet të takohet edhe me një grup, që do të përfaqësojë të rinjtë e ardhur nga të pesë kontinentet, me të cilët do të diskutojë për vizionin e tyre për botën e për fenë.  Këto të reja u dukën në kanalin zyrtar të DBR-së së Panamasë 2019 (Panama2019.pa), të nesërmen e njoftimit dhënë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, për praninë e Papës në vendin qendroamerikan, në janar të vitit 2019.

Hollësirat e programit të shtegtimit papnor do të njoftohen zyrtarisht nëntorin e ardhshëm, por nga Komiteti organizator lokal (Col)  dalin që tani disa nga të rejat. Ndërmjet tyre, sipas pohimit të Victor Chang, sekretar ekzekutiv i Komitetit organizator vendas të DBR-së Panama 2019, “Takimi i Papës me ipeshvijtë qendramerikanë, me autoritetet shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe liderët  shpirtërorë të konfesioneve të pranishëm në Panama”.

Nga ana e tij, presidenti panamez Juan Carlos Varela deklaroi se ndjehet tejet i nderuar, që po i jepet rasti të presë një nga liderët shpirtërorë më të shquar të botës.

DBR-ja 2019 - shton - nuk i përket vetëm Panamasë, por gjithë qendrës së Amerikës. Do të ketë, prandaj, mbështetjen më të plotë, që mund të japë qeveria e, natyrisht, edhe “mikpritjen dhe zemrën e hapur të popullit panamez”.

11 korrik 2018, 13:01