Kërko

DBR Krakov 2016, të rinjtë ndërtues urash e mëshire

Dy vjet më parë, më 27 korrik, Papa Françesku arrinte në Krakov për të kremtuar me të rinjtë e mbarë botës Ditën e 31-të të Rinisë me temë: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë”. Në qytetin e Shën Gjon Palit II dhe të Shën Faustinës Kowalska, u bëri breznive të reja thirrjen të lënë shenjë në botë, duke i mësuar të rriturit “të bashkëjetojnë në larmi”.

R. SH. - Vatikan

Kaluan dy vjet nga Dita e fundit  Botërore e Rinisë, në Krakov. Më 27 deri më 31 korrik bota pa, të mbledhur në Poloninë e Vojtilës, mijëra të rinj nga të pesë kontinentet, të thirrur nga Papa Françesku për të medituar së bashku rreth temës: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë”. Figurat televizive eksluzive, xhiruar nga kameramanët e Qendrës Televizive të Vatikanit na ndihmojnë t’i rijetojmë  çastet më entuziaste të shtegtimit të 15-të apostolik të Papës, në kulmin e Jubileut të Mëshirës.

Dita e parë, përqafim me Krakovin

Pas arritjes në aeroportin “Gjon Pali II”, menjëherë takimi me entuziazmin e të rinjve të DBR-së e të mbarë polakëve, që kishin mbushur udhët në zemrën historike të Krakovit. Në përfundim të Ditës, Papa Françesku përshëndet nga dritarja e kryeipeshkvnisë të rinjtë e shumtë të mbledhur në rrugën Franciszkanska, ashtu si patën bërë, para tij, Shën Gjon Pali II e Benedikti XVI.

Një trëndafil i artë, për Zojën Zeshkane

Një ditë më pas, Papa është në Shenjtëroren mariane të Çestokovës,  të cilën Gjon Pali II e quajti “Shenjtërore e Kombit”. Këtu, para se të kryesojë kremtimin e parë të shtegtimtit të tij në Poloni, kushtuar 1050 vjetorit të Pagëzimit të Kombit, përshëndet, nga papamobili, 500 mijë besimtarët, që kishin shtegtuar në këmbë drejt mureve të manastirit të Jasna Gora, i njohur si “mali i kjartë”, kështjellë  e fesë dhe e shpirtit kombëtar të polakëve. Si përshkohet mureve të lashta, hyn në Kapelën e Zojës me fytyrë të zeshkët dhe ndalohet para ikonës së Nënës së Zotit. Më pas, një lutje prekëse drejtuar Virgjërës Mari dhe dhurata: një trëndafil i artë! I treti, pas atyre dhuruar Zojës Zeshkane nga Gjon Pali II e Benedikti XVI.

Me tramin e Papës, në ceremoninë e mirëseardhjes

Pasdite, në Krakov, në takimin e parë me të rinjtë e Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, Papa Françesku arrin me një tram ekologjik nga kryeipeshkvnia, i shoqëruar nga 15 të rinj me aftësi të kufizuara. Shiu, një herë i butë, pastaj gjithnjë më i rrëmbyer, deri në reshtje, nuk e frenon entuziamin e një milion të rinjve, që e shoqërojnë në Sheshin e Blonias. Në ceremoninë e mirëseardhjes së Papës, me temë “Të thirrur për shenjtëri”, parakalojnë flamujtë  e 187 vendeve pjesëmarrëse. Ndërmjet tyre, Flamuri shqiptar kuq e zi, me shqiponjën dykrenare, në duart e rinisë shqiptare, tashmë prej kohe pjesëmarrëse në takimet vigane botërore, plot me horizonte të hapura feje, shprese, dashurie.

Parakalojnë të rinjtë e mbarë rruzullit, në fytyrat e të cilëve bota shikon “dëshmitarët e rinj të Mëshirës”, e cila arrin këtu, përmes tyre, nga trojet e largëta që përfaqësojnë.

Shën Faustina, apostulle e Mëshirës Hyjnore

E shtuna i kushtohet mëshirës e Françesku e nis duke vizituar zemrën e devocionit të Mëshirës Hyjnore, Shenjtëroren, që i kushtohet pikërisht kësaj Mëshire e që ngrihet në Lagiewniki, lagje në jug të Krakovit. Në kuvendin e Kongregatës së motrave të Zojës së Mëshirës, ku jetoi e vdiq Shën Faustina Kowalska, mistikja e brishtë, apostulle Mëshirës Hyjnore, Papa hyn në kapelën ku pushon në paqe Shenjtja e gjunjëzohet në lutje para varrit të saj, pasi kalon para figures së parë të Jezusit të mëshirshëm, realizuar sipas përshkrimit të Shenjtores, ashtu si kish dashur vetë Jezusi, i cili herën e parë iu duk pikërisht kështu, si shihet sot në ikonë,  më 22 shkurt të vitit 1931, duke i kërkuar të shtohej aty shprehja: “Jezus, besoj në Ty!”.

Puthja e relikes me gjakun e Gjon Palit II

Si lë kapelën, Papa Françesku përshëndet, nga tarraca, të rinjtë e mbledhur në “lëndinën e rrëfimeve” dhe hyn, pastaj, në shenjtërore, duke kapërcyer Portën e Mëshirës Hyjnore. Në tempullin, kushtuar më 2002 nga Gjon Pali II, rrëfen tetë të rinj. Në përfundim, Françesku zhvendoset një kilometër me atomobil dhe arrin në shenjtëroren e re të Shën Gjon Palit II, përfunduar më 2015. Këtu kremton Meshën me priftërinjtë e rregulltarët polakë. Në përfundim, Papa Françesku kemon e pastaj puth reliken me gjakun e Gjon Palit II, ruajtur në qendër të një altari të shenjtërores.

Dreka me trembëdhjetë të rinj vullnetarë

Si kthehet në arqipeshkvinë e Krakovit, Papa shtrohet në një sofër, rreth së cilës janë ulur 13 të rinj të angazhuar si vullnetarë në organizimin e DBR-së, një i ri e një e re për çdo kontinent, dy polakë, zëdhënësi i DBR-së, kardinali  Dziwissz, kryipeshkëv i Krakovit dhe një përkthyes. Për më se një orë, Françesku dialogon me të gjithë në spanjisht e italisht.

Porta Shenjte e Campus Misericordiae

Kur arrin në Campus Misericordiae, në rrethinat e Krakovit, për mbrëmësoren e lutjes së Ditës së 31-të Botërore të Rinisë, Papa Françesku zhytet në një det me valë shumëngjyrëshe, me një milion zemra, që rrahin me rrahjen e Zemrës së Mëshirës Hyjnore. Në dritën e vagëlluar të muzgut, papamobili, mbi të cilin udhëtojnë edhe disa të rinj, i afrohet Portës Shenjte, të cilën Papa e kapërcen dorë për dore me 6 të rinj. Mbi tribunën, ku sundon figurja vigane e Jezusit të Mëshirshëm, jepet një shfaqje koreografike me temë “Jezusi, gurrë e mëshirës”, shoqëruar me dëshmitë e tre të rinjve .

Ungjilli, “busull” në udhët e botës

Të nesërmen, më se një milionë e gjysëm të rinj nga mbarë bota e besimtarë polakë, i bëjnë kornizë Papës Françesku në Meshën për mbylljen e DBR-së  në sheshin vigan Wieliczka. Papa i nis nëpër shtigjet e botës si dishepuj e dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të forcuar me përvojën e Krakovit e me Ungjillin e Jezusit si “busull” në udhët e jetës.

Takimi në Panama, 2019

Pas kungimit, Papa u dorëzon disa të rinjve një llambë, simbol i dritës së Krishtit. DBR-ja nis sot e vijon nesër, në shtëpi, përsërit Françesku që, para se të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot, jep njoftimin aq të pritur për etapën e ardhshme të shtegtimit të të rinjve të botës, që nisi, më 1985, me Shën Gjon Palin II. Do të jetë Panamaja, më 2019!

27 korrik 2018, 11:53