Kërko

 Papa Françesku duke dialoguar nga Bari Papa Françesku duke dialoguar nga Bari 

DBR 2019: në Panama me Françeskun

Deklaratë zyrtare nga ana e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, sipas Deklaratës zyrtare të drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, pranon ftesën, ardhur nga Panamaja.

Ja edhe teksti i deklaratës:

Me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Panama e duke pranuar ftesën e Qeverisë dhe të Ipeshkvijve panamezë, Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, do të  shkojë në Panama nga 23 deri më 27 janar 2019.

DBR-së në Panama: takimi i të rinjve me Papën do të mbahet në Cinta Costera Uno

Po kujtojmë se vendi kryesor i takimeve të Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që mbahet në Panama, nga data 22 deri më 27 janar 2019, do të jetë “Cinta Costera Uno”, bregdeti sugjestiv para oqeanit. Kështu ka njoftuar prej kohësh, kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta. Prelati shton se vendi për këtë ngjarje me përmasë botërore është vlerësuar më parë edhe nga xhandarmëria e Vatikanit.

Respektohen kriteret e sigurisë dhe të thjeshtësisë

Në “Cinta Costera Uno”, e cila i plotëson kriteret e sigurisë për Papën Françesku dhe për të gjithë të rinjtë, do të priten, sipas Komitetit organizator, më se 375 mijë të rinj nga mbarë bota. Gjatë takimeve do të tregohet një kujdes i veçantë për ambientin dhe thjeshtësinë, siç është kërkuar nga Ati i Shenjtë Bergoglio.

 

E tani dy fjalë rreth Himnit zyrtar të DBR-së së Panamasë 2019

“Ja, këtu, shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”: kjo pjesë nga Ungjilli sipas Lukës (1,38) e hap Himnin zyrtar të Ditës së 34-t Botërore të Rinisë, në program në Panama, në vitin 2019. Kënga u paraqit, më 3 korrik 2017, në qytetin e Amerikës Qendrore, në praninë e mijëra të rinjve e të rriturve, si laikë, ashtu edhe anëtarë të klerit vendas.

Thirrje për mision

“Ky himn – shpjegon kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta – shpreh misionin për të cilin jemi thirrur si dishepuj e misionarë në këtë epokë, sipas shembullit të Virgjërës Mari”. “Na entuziazmon – shtoi kryeipeshkvi – ta vëmë në dispozicion të të rinjve të botës, që, duke e kënduar, të përgatiten me gëzim e me gatishmëri për ta lënë Zotin t’i shndërrojë”.

Një katekist, autori i Himnit

Himni, po kujtojmë se, është shkruar e kompozuar nga Abdiel Jiménez, katekist e psalmist i famullisë së Krishtit të Ngjallur, në San Miguelito, autor i këngëve të ndryshme liturgjike, anëtar i koreve të ndryshme, i laureuar në Fakultetin e Shkencave Fetare në Universitetin katolik të Santa Maria La Antigua.

Shembulli i Marisë

Teksti i nxit të rinjtë të jetojnë, duke ndjekur shembullin e Marisë: “Të jemi si Maria, të gatshëm për të dalë – thuhet në një strofë – Kishë shtegtare me dashuri, të rinj, dëshmitarë e dishepuj me gëzim, fe e vokacion”.

Kënga u zgjodh ndër më se 50 propozime të ndryshme

Pas shqyrtimit të 56 propozimeve nga juria e përbërë prej një dyzine muzikantësh profesionistë panamezë, u zgjodhën tre himnet më të mira. Më pas, Komiteti ekzekutiv i DBR-së, së bashku me Dikasterin vatikanas për Laikët, Familjen e Jetën, votuan për fitimtarin. Prodhimi i pjesës muzikore përfundoi në dy javë punë.

Janar 2019, takim në Panama

E njoftuar në korrik 2016 nga vetë Papa Françesku, në përfundim të DBR-së së Krakovisë, në Poloni, Dita e 34-të Botërore e Rinisë që do të mbahet në Panama nga 22 deri më 27 janar 2019, do të ketë për temë, pikërisht frazën nga Ungjilli i Lukës, pjesë e Himnit: “Ja, këtu, shërbëtorja e Zotit; Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38) .

10 korrik 2018, 11:55