Al Gore Al Gore 

Ambienti. Al Gore: Françesku, model për liderët e feve të tjera

Duke folur për Vatican News lidhur me mbrojtjen e ambientit, ish zëvendës-presidenti amerikan Al Gore, pohon se “Françesku është model edhe për prijësit e feve të tjera dhe i frymëzon të gjithë”.

R. SH. - Vatikan

Vërtet nuk ka rrugë tjetër! Duhet t’i japim fund krizës klimaterike, siç pohon Françesku”. Flet kështu Çmimi Nobel për Paqen, Al Gore, pak ditë para takimit, mbledhur në Berlin, nga Organizata e tij Climate Reality Project.  

Në një intervistë ekskluzive për Vatican News, ish zëvendës-presidenti i SHBA-ve flet për angazhimin e Papës në mbrojtje të ambientit dhe për  rëndësinë e Enciklikës “Lëvduar qofsh”, që sapo mbushi tre vjet. Më pas, bën thirrje në favor të revolucionit të vazhdueshëm në këtë drejtim. Leadershipi i Papës Françesku është frymëzim për ne të gjithë, në nivele botërore - pohon. - Posaçërisht enciklika e tij “Lëvduar qofsh”, hap vendimtar për Kishën katolike dhe rolin e saj udhëheqës në angazhimin e botës për t’i bërë ballë krizës klimaterike, para marrëveshjeve të Parisit. Veç kësaj, Papa është model për prijësit e traditave të tjera fetare: i frymëzon të flasin për rreziqet, që burojnë nga kriza klimaterike dhe të kryejnë detyrën e tyre  si “mbarështues të krijimit”, duke punuar për t’i dhënë fund kësaj krize.

“Siç ka nënvizuar Papa Françesku - shton. - Ata që jetojnë në varfëri, dëmtohen të parët dhe në mënyrë më të shpërpjestuar nga kriza klimaterike, që ndikon negativisht mbi plotësimin e nevojave të tyre më jetike. Gjithsesi - vëren - “duhet kujtuar se jemi në fillimet e revolucionit të  zhvillimit të qëndrueshëm global, me përmasa dhe ndikime të ngjashme me ato të revolucionit industrial, e me shpejtësinë e atij dixhital. Të lehtësuara edhe nga shpikjet e teknologjive e nga konsumatorët, gjithnjë më të informuar, veprimtaritë tregtare të qëndrueshme po përhapen me shpejtësi këto vite”. Për Al Gore, konferenca e thirrur kohët e fundit nga Papa, në Vatikan, me drejtuesit e shoqërive të naftës, është sinjal vërtet inkurajues, që tregon se tranzicioni drejt një ardhmërie të qëndrueshme mund të bëhet shumë shpejt realitet e të mos vijojë të mbetet më vetëm një ëndërr e bukur. Por - shton- “duhet të lëvizim gjithnjë më shpejt, nëse dëshirojmë që ky tranzicion të kryhet në kohën e duhur, për t’i parandaluar pasojat shkatrrimtare të krizës klimaterike”.

05 korrik 2018, 14:06