Papa Françesku Papa Françesku 

5-vjetori i udhëtimit të parë ndërkombëtar të Papës Françesku

Si sot, nga 22 deri më 29 korrik 2013, Ati i Shenjtë Bergoglio ndodhej në Rio-de-Zhanejro të Brazilit për udhëtimin e tij të parë apostolik ndërkombëtar, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë.

R.SH. - Vatikan

Përvjetori i pestë i udhëtimit të parë apostolik ndërkombëtar të Papës Françesku. Si sot, nga 22 deri më 29 korrik 2013, Ati i Shenjtë pati shkuar në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, me temë “Shkoni e bëjini dishepuj të gjithë popujt!”, marrë nga Ungjilli sipas Mateut. Të gjithë e kanë akoma në sy, pamjen e bregdetit të Copacabana-s, ku Papa Françesku u takua me një oqean të rinjsh, të cilët mbulonin krejt sipërfaqen e rërës, duke krijuar një kollonë, që dukej pa fund.

Tri fjalë: shkoni, pa frikë, për të shërbyer

         “Tri fjalë: shkoni, pa frikë, për të shërbyer – u pati thënë Papa. – Duke ndjekur këto tri fjalë do të provoni se kush ungjillëzon, ungjillëzohet; kush transmeton gëzimin e fesë, merr si dhuratë më shumë gëzim. Të dashur të rinj – theksoi atëherë Françesku – kur të ktheheni në shtëpitë tuaja, mos kini frikë të jeni bujarë me Krishtin, të dëshmoni Ungjillin e Tij… Të bartësh Ungjillin do të thotë të bartësh forcën e Zotit për të çrrënjosur e shkatërruar të keqen e dhunën; për të hedhur poshtë e shembur barrierat e egoizmit, të intolerancës e të urrejtjes; për të ndërtuar një botë të re”.

22 korrik 2018, 09:07