Kërko

 Papa Françesku pranë shtatores së Zemrës së Krishtit Papa Françesku pranë shtatores së Zemrës së Krishtit 

Zemra e Krishtit: nga rrënjët, tek Papa Françesku

Sot kremtohet Solemniteti i Zemrës së Krishtit. Në zanafillë, Festa e dukjes së Jezusit Shenjtes Margerita Maria Alakok, në Francë, në shekullin XVII. Përkujtojmë historinë, rrënjët e këtij devocioni dhe qendërsinë në papninë e Françeskut.

R: SH. - Vatikan

Më 27 dhjetor 1673, Festa e Shën Gjonit Ungjilltar, Jezusi iu duk Margeritës Maria Alakok, për t’i besuar murgeshës së re franceze, vetëm 26 vjeçe, një mision të jashtëzakonshëm: të përhapte nëpër botë dashurinë e Jezusit për njerëzit, posaçërisht për mëkatarët. Motra vizitantine duhej, në një farë mënyre, të zinte vendin e Shën Gjonit gjatë Darkës së Mbrame, domethënë, të mbështeste kokën mbi Zemrën e Krishtit.

Jezusi i beson një mision të jashtëzakonshëm Shën Margeritës

Dukjet në kuvendin e Parej-lë-Monial, në Borgonjë, vijuan për 17 vjet me radhë. Katër, kryesoret. Zemra e Krishtit iu duk Margeritës mbi fron flakësh, rrethuar me një kurorë ferrash, simbol i plagëve të hapura nga mëkatet e njerëzve. Jezusi i foli për vuajtjen e Tij, pasojë e mungesës së nderimit nga ana e besimtarëve. “Çka më shkakton më shumë dhembje - i tha - është se këtë e bëjnë zemrat, që më kushtohen”. I kërkoi, atëhere, Margeritës, ta zëvendësojë,  duke u kunguar çdo të premte të parë të muajit e që, e premtja, pas Korpit të Krishtit - domethënë - tetë ditë më pas – t’i kushtohej Festës së Zemrës së Krishtit. Mision aspak i lehtë për Margeritën, të cilën nuk e kuptuan as simotrat e as eprorët. Nisi të konsiderohej si ëndrrimtare. Njeri, që shikon ëndrra me sy hapur! Por ajo, që e donte fort Zotin e njeriun, nuk e humbi guximin. Vetë Jezusi, pastaj, i foli për jezuitin Shën Klaudio de La Kolombier, si zbatues i përhapjes së këtij devocioni. Vdiq 43 vjeçe, pasi e ofroi jetën, që bota ta pranonte dashurinë e Krishtit. Me sa duket i kërkoi, pa marrë miratimin, Luigjit XIV, t’ia kushtonte Francën Zemrës së Krishtit.

Mistika mesjetare gjermane dhe Shën Gjoni Eudes

Kjo, zanafilla e Festës së Zemrës së Krishtit dhe e praktikës së Nëntë të Premteve  të para të muajit. Por, për t’i kuptuar më mirë rrënjët e festës, duhet të bëjmë një hap mbrapa. Devocionin e Zemrës së Krishtit e gjejmë qysh tek mistika gjermane  e Mesjetës së vonë, me Matilden e Magdenburgut, Matilden e Hakerborn, Gertruden nga Helfa dhe Enrik Suso-n. Pastaj, Shën Gjonin Eudes, që jetoi edhe ai në shekullin XVII e qe apostull i vërtetë i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Marisë.

Debati i shekullit XVII dhe përhapja, në shekullin XIX

Festa e Zemrës së Krishtit lindi në portat e iluminizmit. Jo vetëm. Në vitin 1700 ndizej fuqimisht debati teologjik: më 1765 Kongregata për Ritet pohonte se pikërisht zemra prej mishi ishte simbol i dashurisë. Zhansenistët e morën si akt idhujtarie, sepse mund të pranonin vetëm një kult të Zemrës së Krishtit, atë me kuptim metaforik, jo me kuptimin e zemrës prej mishi. Me bulën Auctorem fidei, Papa Piu VI pohonte vijën e Kongregatës, duke nënvizuar se adhurohej zemra, e bashkuar në mënyrë të pandarshme me Vetjen e Fjalës! Por vetëm me Piun IX, në vitin 1856, kulti i Zemrës së Krishtit u përhap me shpejtësi të madhe. Lulëzuan kushtimet Zemrës së Krishtit. Lindën kongregata mashkullore e femërore, universitete, oratore e kapela, ndërmjet të cilave, ndoshta më e njohura, Zemra e Krishtit e Montmartre të Parisit, kushtuar pikërisht Zemrës së Zotit. Duhet theksuar se devocioni për Zemrën e Shenjtë, ka dy aspekte themelore. Nderohet si organi njerëzor i Krishtit, sepse i bashkuar me natyrën e Tij hyjnore, por edhe si  gurrë e dashurisë së Jezusit për njerëzit, që ka si simbol, pikërisht zemrën.

Papa Françesku dhe Zemra e Krishtit

Lidhur me figurën e Zemrës së Krishtit, mund të themi se është, pa dyshim, Papa Françesku ai, që e ka kujtuar më shpesh, duke e lidhur, në mënyrë të posaçme, me misionin e meshtarëve. Pikërisht pak ditë më parë, në audiencën e përgjithshme, e kujtoi Solemnitetin duke u kërkuar besimtarëve t’i luten Zemrës së Krishtit gjatë gjithë muajit qershor dhe t’i mbëshesin me afërsi pikërisht meshtarët, që - tha - janë shëmbëllim i kësaj zemre plot me dashuri përdëllyese.

Meshtarët dhe delja e humbur

Mbyllja e Jubileut të meshtarëve, më 2016, u kremtua pikërisht në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Gjatë homelisë së Meshës, Papa Françesku u kërkoi t’i drejtojnë zemrat e tyre, si Bariu i Mirë, kah delja e humbur, kah ai, që është më i largët, duke e pasur epiqendrën e zemrës së tyre jashtë vetvetes (Homelia për mbylljen e Jubileut të meshtarëve, 3 qershor 2018). Në meditimin e parë kushtuar mëshirës për Jubileun e meshtarëve, i porositi ipeshkvijtë dhe meshtarët ta rilexojnë Enciklikën e Piut XII kushtuar Zemrës së Krishtit “Haurietis acquas” të vitit 1956. “Zemra e Krishtit është qendra e mëshirës” - pati thënë Papa Françesku, që ia kushtoi Vitin Shenjt pikërisht Mëshirës. “Ky është tipari kryesor i mëshirës: i ndot duart, prek, vë jetën në lojë, dëshiron të jetë pranë tjetrit, merret me njeriun, me plagët e tij”(Meditimi i parë, mbajtur nga Papa Françesku për Jubileun e meshtarëve, më 2 qershor 2016).

Zemra e Krishtit nuk është figure, është zemra e fesë

Vitin e kaluar, në ditën e solemnitetit, Papa u ndalua tek misteri i Zemrës së Krishtit në homelinë e Meshës, mbajtur në Shën Martë, duke shpjeguar se nuk është - siç thotë ndokush - figure për të devoçmit: zemra e shporuar e Krishtit është “zemra e zbulesës, zemra e fesë sonë, sepse Ai u bë i vogël, zgjodhi këtë rrugë, rrugën e poshtërimit të vetvetes, të asgjësimit, deri në vdekjen mbi Kryq (Homelia e Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, 23 qershor 2017). Jezusi zgjedh gjithnjë më të vegjlit, me një zemër që do e është përherë besnike.

Të bëhemi të vegjël

Edhe në vitin 2014, në homelinë e Shën Martës, ditën e kësaj feste, Françesku pati nënvizuar se Solemniteti i Zemrës Krishtit është festë e dashurisë së Zotit për ne e në ne. Për t’u shprehur, ky mister ka nevojë për vogëlsinë tonë, për uljen tonë. (Homelia e Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, 27 qershor 2014).

Zemra e Krishtit, simbol i Mëshirës së Zotit

Që në  fillim të Papnisë, në lutjen e Engjëllit të Tënzot pas festës së Zemrës së Krishtit, Françesku pati kujtuar se “përshpirtëria popullore vlerëson shumë simbole e Zemra e Krishtit është simbol i vetë mëshirës së Zotit”, simbol jo imagjinar, por real, sepse - pati vijuar, duke kujtuar atë, që do të ishte themeli i Papnisë së tij – “Zoti na shikon gjithnjë me mëshirë”; “nëse ia tregojmë plagët e zemrave tona, mëkatet tona, ai na fal, gjithnjë” (Engjëlli i Tënzot, 9 qershor 2013).

I madh ka qenë, gjithnjë, devocioni i Papëve për këtë festë e cila, në shekuj, vijon t’i nxisë për të dashur, zemrat e krishtera!

08 qershor 2018, 13:58