Kërko

Audienca e përgjithshme me Papën Françesku në Vatikan Audienca e përgjithshme me Papën Françesku në Vatikan 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

Nga Mesazhi i Papës në simpoziumin mbi ambientin, që u zhvillua javën e kaluar në Athinë, në videomesazhin e ndjetit të lutjes për këtë muaj, një javë me veprimtari në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Në simpoziumin mbi ambientin, që u zhvillua javën e kaluar në Athinë, kardinali Peter Turkson lexoi Mesazhin e Papës drejtuar Patrikut Bartolomeu I dhe pjesëmarrësve, duke i inkurajuar fuqimisht të kujdesen për ambientin e për njerëzit më të ligshtë. Ati i Shenjtë denoncon gjendjen e Mesdheut, që është kthyer në varrezë për emigrantët e refugjatët. Pastaj, duke kujtuar mesazhin e Ditës Botërore të lutjes për krijimin, që kremtohet më 1 shtator, shkruar së bashku me Patrikun Bartolomeu, Françesku nënvizon se “detyra e kujdesit për Gjithësinë, që i sfidon të gjithë njerëzit vullnetmirë, i fton të krishterët t’i pranojnë rrënjët shpirtërore të krizës ekologjike dhe të bashkëpunojnë, duke dhënë një përgjigje të njëzëshme”.

Ndryshimi i vërtetë mund të lindë vetëm nga zemra e njeriut, tha gjatë simpoziumit edhe Patriku Ekumenik Bartolomeu . “Shkatërrimi i ambientit – nënvizoi kreu i Kishave ortodokse – mund të ndalet vetëm përmes ndryshimit radikal të perspektivës sonë ndaj natyrës, që rrjedh nga ndryshimi radikal i botëkuptimit tonë si qenie njerëzore. Me ironi të hidhur, vërejmë se nuk kemi pasur kurrë kaq njohuri sa sot mbi botën e, megjithatë, kurrë si tani, nuk kemi qenë kaq shkatërrimtarë njëri për tjetrin e të gjithë kundër natyrës”.

Të premten e kaluar, më 8 qershor, Kisha Katolike kremtoi solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku e kujtoi këtë datë dhe i ftoi besimtarët t’i luten kësaj Zemre gjatë gjithë muajit qershor, i cili i kushtohet. Gjithashtu, Ati i Shenjtë u kërkoi të gjithëve të mbështesin me lutje, afërsi dhe dashuri, meshtarët e tyre, në mënyrë që të jenë shembëllim i asaj Zemre plot dashuri të mëshirshme.

 Ndërkaq, katekizmin e audiencës se pergjithshme, Papa Françesku ia kushtoi Krezmimit, i cili nuk duhet marrë vetëm për vete – nënvizoi – por edhe për të bashkëpunuar në zhvillimin shpirtëror të të tjerëve.

Në videomesazhin e ndjetit të lutjes për këtë muaj, promovuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes për Papën, Françesku na fton t’i kërkojmë Zotit që rrjetet shoqërore “të mos e anulojnë personalitetin, por të favorizojnë solidaritetin dhe respektin e tjetrit, me gjithë ndryshimet”. Papa i fton të gjithë internautët të përfitojnë nga “mundësia për takim e solidaritet, që ofrojnë rrjetet shoqërore”. Bën, pastaj, thirrje që këto rrjete “të mos jenë hapësira mënjanimi nga shoqëria, por vende konkrete, hapësira të pasura me humanitet”.

Në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit, që do të zhvillohet në Rusi, Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën publikoi një dokument për “të dhënë ç’kemi më të mirë nga vetja” në sport. Kështu titullohet dokumenti, që kërkon një impenjim të fuqishëm kundër dopingut, abuzimeve me trupin, reduktimin e tij në mall, si edhe kundër korrupsionit, për një lojë të pastër, larg logjikës së basteve e të fitimeve. “Të japësh ç’ke më të mirë nga vetja” është dokumenti i parë programatik i Selisë së Shenjtë mbi botën e sportit, me të cilin Kisha përpiqet “të dialogojë me njerëzit dhe organizatat, që impenjohen të mbrojnë vlerat e pranishme në çdo përvojë sportive”.

Papa e shoqëroi dokumentin me një mesazh të tij, në të cilin vë në dukje vritytet më të mira të sportit, si: bujaria, përvujtëria, flijimi, këmbëngulja dhe gëzimi, por edhe fryma e grupit, respekti, agonizmi i shëndoshë dhe solidariteti me të tjerët. Virtyte, që sipas Françeskut, u duhen transmetuar të rinjve, përmes një formimi, që synon zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.

10 qershor 2018, 09:00