Kërko

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot 

Veprimtaria e Papës: Engjëlli i Tënzot e lajme të tjera

Engjëlli i Tënzot, lumnimi i murgeshës italiane Maria e Kryqëzuar e Dashurisë Hyjnore, 55-vjetori i vdekjes së shën Gjonit XXIII, Veprimtaria e Papës Françesku deri në gusht e lajme të tjera...

R. SH. - Vatikan

Sot në mesditë, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Solemniteti i Korpit dhe i Gjakut të Krishtit ishte në qendër të reflektimit të Atit të Shenjtë, i cili komentoi Ungjillin e ditës sipas Markut, që përshkruan diçka të veçantë. Dishepujt e pyesin Jezusin ku dëshiron t’i përgatisin gostinë e Pashkëve. Ai u tregon e i mëson si të bëjnë, por kur dishepujt shkojnë ku u kishte thënë, e gjejnë sofrën të shtruar me të gjitha të mirat. Duhet të përgatisin në atë sallë, por gjithçka është gati. Ungjilltari na sugjeron kështu, këtë ide të çmuar: nuk duhet të përgatisim ne, është Jezusi që përgatit gjithçka përmes dhurimit të jetës së vet, të Korpit e të Gjakut të vet, që vijojnë të jenë “gati” e “të përgatitur” për ne, në bukën e në verën e Eukaristisë. Duke na dhuruar Eukaristinë, Zoti ynë Jezu Krisht deshi ta kujtonim përgjithmonë flijimin e Tij në sofrën shenjte të Korpit dhe të Gjakut Hyjnor, sakrament e shenjë e pranisë së Tij.

Shpallet e Lume motër Maria e Kryqëzuar e Dashurisë Hyjnore

 U shpall e Lume dje, në Napoli të Italisë, motër Maria e Kryqëzuar e Dashurisë Hyjnore, themeluese e Kongregatës së Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit. Meshën e kremtoi prefekti i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, përfaqësues i Papës Françesku.

 E Lumja e re, para se të bëhej murgeshë, quhej Maria Gargani, lindur në provincën e Avellino-s, më 23 dhjetor 1892, në një familje të rëndësishme të vendit. Fillimisht, studion për mësuese, profesion, të cilin e ushtron edhe kur ia kushton jetën Zotit. Bën pjesë në një grup të shuguruarish, që kanë si udhëheqës shpirtëror po atë, që pati shën Piu nga Pietrelçina. Në vitin 1915, Maria Gargani takohet me fratin kapuçin, i cili e merr ndër bijat e tij shpirtërore. Në epistullarin e atë Piut ka 67 letra, që i drejtohen së Lumes së re. Atë Piu e këshillon të mos hyjë menjëherë në ndonjë Urdhër fetar, por të presë për të kuptuar më mirë ç’dëshiron Zoti prej saj.

Kështu, gjithnjë e udhëhequr nga atë Piu, Maria e zgjeron veprën e saj të apostullimit, si mësuese e ndjeshme ndaj gjendjeve e zonave të vështira përreth Napolit, ku punon, gjithnjë në kuadrin e veprimtarive të Kishës, shumë të vlerësuara edhe nga ipeshkvi i Lucera-s. Vjen koha që Maria i thotë atë Piut se dëshiron të themelojë një Kongregatë të re, murgeshat e së cilës të punojnë në qendrat e banuara, ku nuk kishte meshtarë, ose ishin të pamjaftueshëm. E atë Piu përgjigjet me fjalët: “Më në fund, këtu duhej të arrinim; ky është vullneti i Zotit e shpejt, shko tek ipeshkvi. Sa bukur! Sa bukur!”.

 Data zyrtare e themelimit të Kongregatës së Apostulleve të Zemrës së Krishtit është 21 prilli i vitit 1936 e themeluesja, ndërsa i kushtohej Zotit si murgeshë, merr emrin Maria e Kryqëzuar e Dashurisë Hyjnore. Qëllimi i Kongregatës: apostullimi në famulli, katekizmi, përhapja e shtypit të mirë, themelimi i kopshteve për fëmijë dhe i shkollave profesionale për vajza, veprimtaritë pas shkollës. Kongregata përhapet me shpejtësi në Kampanie, Pulje, Molize, Lacio, Sicili e deri në Afrikë, në Burkina Faso. Vdes në Napoli, në moshën 81-vjeçare, më 23 maj 1973.

55-vjetori i vdekjes së shën Gjonit XXIII

Bie sot 55-vjetori i vdekjes së shën Gjonit XXIII, në shekull Angelo Giuseppe Roncalli. Lindur në Sotto il Monte, në provincën italiane të Bergamos, më 25 nëntor 1881, u zgjodh Papa i 261-të i Kishës Katolike, më 28 tetor 1958, pas Piut XII. Që në fillim, Gjoni XXIII përdori një stil, që pasqyronte personalitetin e tij njerëzor dhe meshtarak, formuar pas përvojash shumë të rëndësishme. Pasi rivendosi funksionimin e rregullt të organizmave kuriale, i dha vulën baritore shërbimit të tij pjetrin, duke nënvizuar natyrën e tij ipeshkvnore, si ipeshkëv i Romës.

Qe papa i vizitave baritore në famulli, në spitale e në burgje. Pa dyshim, kontributi i tij më i madh është thirrja e Koncilit II të Vatikanit. Njoftimi për të u dha në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, më 25 prill 1959. Ishte vendim personal, marrë nga Papa pas konsultimeve me disa nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe me Sekretarin e atëhershëm të Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tardini. Qëllimi i Koncilit, thënë qartas në fjalën e hapjes më 11 tetor 1962, ishte origjinal: nuk ishte fjala për të përcaktuar të vërteta të reja, por të paraqitej doktrina tradicionale në mënyrë më të përshtatshme për ndjeshmërinë moderne. Gjoni XXIII ftonte të privilegjohet mëshira dhe dialogu me botën, më tepër se dënimi dhe kundërvënia me të, me vetëdijen se misioni i Kishës përfshin të gjithë njerëzit. Enciklika “Mater et Magistra” (1961), kushtuar Kishës dhe, Enciklika “Pacem in Terris” (1963), pas ndërhyrjes së tij vendimtare gjatë krizës së rëndë të Kubës në vjeshtën e vitit 1962, mbeten perla në magjisterin e tij. Ndërroi jetë më 3 qershor 1963. U shpall i Lum nga Gjon Pali II më 3 shtator 2000 dhe u kanonizua nga Papa Françesku më 27 prill 2014.

Veprimtaria e Papës Françesku deri në gusht

 Dy udhëtimet ndërkombëtare në Gjenevë dhe në Dublin, takimi ekumenik në Bari, Koncistori për krijimin e 14 kardinajve të rinj. Këto, takimet kryesore në kalendarin e Papës Françesku gjatë muajve verore, njoftuar nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Siç ju thamë, sot, më 3 qershor, Papa Françesku shkoi në Ostia, për meshën, procesionin dhe bekimin eukaristik. Është veprimtaria e parë e Papës gjatë muajit qershor. Më pas, më 21 qershor, Ati i Shenjtë do të bëjë një shtegtim ekumenik në Gjenevë, ndërsa më 28 të po atij muaji, në Bazilikën e Vatikanit, në orën 16.00, do të kryesojë Koncistorin e Zakonshëm Publik për krijimin e kardinajve të rinj. Më 29 qershor, në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në sheshin e Shën Pjetrit, në orën 9.30, Papa do të kryesojë meshën me bekimin e paliove për kryeipeshkvijtë metropolitë.

Bari e Dublini në agjendën e Papës

 Muaji  hapet të shtunën, në datën 7, me pjesëmarrjen e Papës në Takimin ekumenik të lutjes për paqen në Lindjen e Mesme, organizuar në Bari të Italisë. Së fundi, më 25 e 26 gusht, Udhëtimi Apostolik i Atit të Shenjtë në Dublin, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve.

Atletët koreanojugorë tek Papa

Të mërkurën e kaluar, pas katekizmit, një grup atletësh jugkoreanë të Federatës së Taekëondo, dhanë një shfaqje e vogël, për Papën. Në përfundim të saj, miqtë nga Koreja e Jugut, veshur bardh-e-zi, lëshuan një pëllumb të bardhë dhe shpalosën parrullën domethënëse: “Paqja është më e çmuar se triumfi”. E Françesku, si i ndoqi me kënaqësi, u drejtoi një  përshëndetje shumë të përzemërt: “I falënderoj atletët koreanë për shfaqjen e tyre: ishte manifestim i vullnetit për paqe, mesazh paqeje për mbarë njerëzimin".

Dokumenti i Vatikanit për sportin

E pastaj, të premten, dikasteri për Familjen dhe Jetën paraqiti një dokument kushtuar sportit, titulluar “Jep ç’ke më të mirë nga vetja”. Në 5 kapitujt, me rreth 50 faqe teksti, analizohet historia e sportit, duke e interpretuar këtë veprimtari në këndvështrimin antropologjik e duke parë vlerat, sfidat e edhe devijimet e fenomenit, si dopingu e korrupsioni. Në Dokument theksohet fort roli që luan sporti mbi “zhvillimin e harmonishëm dhe të gjithanshëm të njeriut, trup e shpirt”. Prej këndej,  quhet “Gjimnastikë e korpit dhe e shpirtit”.

03 qershor 2018, 13:00