Kërko

Tweet i Papës: puna e të miturve, plagë, që e mbyt shpresën

“Fëmijët duhet të luajnë, të studiojnë e të rriten në një ambient të qetë. Mjerë ai, që e mbyt hovin e gëzueshëm të shpresës së tyre”. Kështu, Papa Françesku në tweet-in e sotëm, me rastin e Ditës Botërore kundër punës së të miturve.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ngre edhe një herë zërin kundër shfrytëzimit të të miturve, në tweet-in e sotëm, pikërisht me rastin e Ditës Botërore kundër punës së të miturve. “Fëmijët duhet të luajnë, të studiojnë e të rriten në një ambient të qetë. Mjerë ai, që e mbyt hovin e gëzueshëm të shpresës së tyre”. Tema e Ditës së sivjetme është: “Të gjithë së bashku kundër punës së të miturve”.

Papa ka folur gjithnjë në favor të vogëlushëve

         Edhe në vitet e kaluara, Ati i Shenjtë ka përdorur gjithnjë fjalë të ashpra kundër shfrytëzimit të vogëlushëve, sidomos kundër atyre që i skllavërojnë. Në audiencën e përgjithshme të 11 qershorit 2014, pati ngritur dorën e majtë, si të ishte një arbitër me kartonin e kuq, për të gjithë ata, që nuk i respektojnë të drejtat e më të vegjëlve. Në atë rast, kartoni ishte libri i kuq i Organizatës ndërkombëtare të Punës, me direktivat përkatëse kundër abuzimit të të miturve.

Në rritje, shfrytëzimi i fëmijëve për punë shtëpiake

         Në raste të tjera, Papa Françesku ka dënuar “shfrytëzimin e fëmijëve për punë shtëpiake”, gjë që sjell me vete edhe abuzime, keqtrajtime dhe diskriminime, deri në skllavërimin e të vegjëlve, sidomos të vajzave. “Shumë njerëz – pati ngritur zërin në vitin 2013 – në vend që t’i lënë të luajnë fëmijët, i kthejnë në skllevër: është plagë kjo! …Fëmijëria e qetë u jep mundësi të vegjëlve ta shohin me besim jetën dhe të ardhmen”. Në Engjëllin e Tënzot të 7 qershorit 2015, pati theksuar sërish se “shumë fëmijë në botë nuk e kanë lirinë për të luajtur, për të shkuar në shkollë e, përfundojnë të shfrytëzuar për krahun e punës”.

Bashkësia ndërkombëtare t’i mbrojë të miturit

         Ati i Shenjtë i ka kërkuar disa herë bashkësisë ndërkombëtare t’i mbrojë fëmijët e t’i shpëtojë ata nga shfrytëzimi, por edhe të punojë me të gjitha forcat për njohjen faktike të të drejtave të të miturve.

12 qershor 2018, 13:00