Versioni Beta

Cerca

VaticanNews

Tre vjet më parë në Sarajevë: kurrë më luftë!

Kaluan tre vjet nga shtegtimi apostolik i Papës Françesku në Sarajevë, kryeqytetet i Bosnjës e Hercegovinës. Papa arriti në qytet si “shtegtar i paqes dhe i shpresës” e, nga Stadiumi Koševo, i drejtoi botës britmën: “Kurrë më luftë!”.

R. SH. Vatikan

Më 6 qershor 2015 Papa arrinte në Sarajevë, vend-simbol i luftës ballkanike të ’92-’95-sës, për një shtegtim apostolik, që zgjati vetëm një ditë, e tëra nën shenjën e paqes. E priste, 18 vjet pas vizitës historike të Gjon Palit II, një qytet në festë, përplot me të rinj e fëmijë, që donte t’i tregonte kulturën e vet, traditat, ngjyrat e gëzimin, por edhe plagët, pallatet, udhët e zemrat e copëtuara nga një konflikt tepër tmerrues.

Vendi sot

Marrëveshjet e Paqes së Dayton të 1995-sës nuk u dhanë fund përçarjeve shkaktare të luftës, vetëm sa i pezulluan. Serbët ortodoksë, kroatët katolikë e boshnjakët myslimanë jetojnë të ndarë e bashkësitë e tjera shpesh janë të mënjanuara. Tejet i brishtë ekuilibri, në një vend ku plaga e papunësisë, që rëndon më shumë mbi të rinjtë, mbetet e hapur. Në sheshe protestohet shpesh kundër korrupsionit të politikanëve e, prej ndonjë viti, këtu endet edhe fantazma e integralizmit islamik. Por duhet theksuar se nuk mungojnë as nismat e pajtimit, idetë e reja për të vënë në lëvizje ekonominë, shumë çaste, organizatore e të cilave është vetë Kisha, për të dialoguar e për t’i parë larmitë me logjikën e krishterë. Domethënë, si pasuri,

Shtegtar i paqes

“Erdha si shtegtar i paqes e i dialogut”: kështu u paraqit Françesku, sapo  zbriti në aeroportin e Sarajevës ku, për ta përshëndetur, kishin dalë 150 fëmijë, përfaqësues  të etnive të ndryshme, të gjithë me veshje tradicionale. Për të shkuar, më pas në Pallatin presidencial, ku bisedoi me presidentin e turnit, Mladen Ivaniç dhe u takua me autoritetet.

Në këtë shtegtim të paharrueshëm, Papa kërkoi pastrimin e kujtesës, duke  siguruar edhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë.

Jeruzalemi i Evropës

Në Sarajevë - vërejti  Françesku - ngrihen, njëra pas tjetrës, sinagoga, kisha e xhami, aq sa qyteti ka nisur të quhet “Jeruzalemi i Evropës”. E vërtet, është udhëkryq kulturash, kombesh, fesh; e ky rol që ka, i kërkon edhe të ndërtojë gjithnjë ura të reja, pa harruar t’i ruajë  e t’i restaurojë ekzistueset.

Kurrë më luftë!

Pas takimit me autoritetet, me ipeshkvijtë, me klerin në katedrale, liderët fetarë të feve të tjera, të rinjtë, në një maratonë përqafimesh e gjestesh simbolike, kulmi i vizitës ishte Mesha në stadiumin e Sarajevës, përballë 65 mijë vetëve. Këtu të duket se e dëgjon akoma jehonën e fjalëve të forta e të paharrueshme të Françeskut: “Sot, të dashur vëllezër e motra, lartohet  përsëri nga ky qytet britma e popullit të Zotit dhe e gjithë burrave e grave vullnetmira: “Kurrë më luftë!”.

 

06 qershor 2018, 14:49