Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Thirrje e Papës për Jemenin: të nisin sa më shpejt bisedimet

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bëri thirrje të fuqishme në favor të popullsive të dërmuara të Jemenit, duke i kujtuar edhe botës përgjegjësinë për t’i dhënë sa më shpejt fund luftës.

R. SH. - Vatikan

Edhe një herë zëri i Papës u ngrit, këtë të diel, për të vënë në qendër të vëmendjes së botës, një konflikt e një mori popullsish të harruara. Sot Papa foli për Jemenin, duke shprehur shqetësimin e tij për një luftë pa fund e duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të zgjedhë rrugën e bisedimeve, përballë një situate të tmerrshme. Më pas i ftoi besimtarët  ta lusin Virgjërën Mari për këtë vend:

“Me shqetësim ndjek fatin dramatik të popullsive të Jemenit, tashmë të dërmuara nga vite të gjata konflikti. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos kursejë asnjë përpjekje për t’i mbledhur rreth tryezës së bisedimeve palët në konflikt dhe për të shmangur keqësimin e situatës humanitare, tashmë tragjike”.

T’i lutemi Zojës së Bekuar për Jemenin - tha Papa - e në vijim i priu FaleMarisë, i ndjekur nga kori i besimtarëve të shumtë, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Viktimat e një lufte pa fund

Një luftë dramatike civile e mbyt në gjak Jemenin, që nga viti 2015, me më se 10 mijë të vdekur e miliona të tjerë, që vuajnë nga uria. E gjithë kjo është pasojë e kundërvënies, deri tani, të trupave të Emirateve Arabe dhe rebelëve houti,  mbështetur nga Irani, të cilët më 2014  e  rrëzuan qeverinë e Sanaa.

 

 

17 qershor 2018, 14:43