Kërko

 Papa Françesku në Meshën e Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal Papa Françesku në Meshën e Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal 

Solemniteti i Shenjtorëve Pjetër e Pal. Papa Françesku: lavdia dhe kryqi të jenë të pandashëm

Gjatë Meshës Shenjte, në Solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal, Papa Françesku i nxiti të gjithë t’i sjellin sytë drejt Jezusit: “Lavdia dhe Kryqi, në Jezu Krishtin, shkojnë përkrah e nuk mund të ndahen”. “Ta kundrosh e ta ndjekësh Krishtin – shtoi Papa - do të thotë t’ia hapësh zemrën Atit.

R. SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit, i rrokur nga Kolonati, gjithnjë krahapur, në pritje të turmave të besimtarëve nga mbarë bota, që nuk mungojnë kurrë - e nën kupolën e një qielli tejet  të kaltër, dukej sikur shtrihej drejt horizonteve të pafundme, për të cilat u fliste besimtarëve Ungjilli i sotëm, drejt Jezu Krishtit, Zotit. Ky shikim, drejtuar kah “i Vajosuri, i Kushtuari Zotit”, përshkoi gjithë Meshën, në Solemnitetin  e Shenjtorëve Pjetër e Pal, kryesuar nga Papa Françesku, me ritin e bekimit të paliove për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë. Në kremtim merrnin pjesë edhe kardinajtë e krijuar në koncistorin e djeshëm. Ndërmjet tyre, kardinali shqiptar, Hirësia e Tij, Ernest Simoni Troshani.

Lavdia dhe Kryqi

Në homeli, Papa kujtoi rrezikun e madh: “nëse ndahet lavdia nga Kryqi, mbeten vetëm triumfalizmat boshe, pa dashuri, pa shërbim, pa dhembshuri, pa popull”. Duke kujtuar këto hone të mundshme të shpirtit, Papa Françesku nënvizoi se “Jezusi dëshiron t’i çlirojë  dishepujt e tij, Kishën e tij, nga triumfalizmat boshe”:

“Lavdia dhe Kryqi i Krishtit shkojnë bashkë e nuk mund të ndahen kurrë; sepse, kur braktiset kryqi, edhe nëse hyjmë në shkëlqimin verbues të lavdisë, gënjehemi keqas, ngaqë kjo nuk do të jetë lavdia e Zotit,  por loja e kundërshtarit”.

Jezusi çliron nga çdo zgjedhë skllavërie

“Jezusi - shtoi Françesku - është i Vajosuri, që ecën fshat më fshat me një dëshirë të vetme: ta shpëtojë e ta ngrejë rishtas në këmbë atë, që ishte i rrëzuar, i humbur. Vajos të vdekurin, vajos të sëmurin, vajos të plagosurit, vajos vetë shpresën”.

Çdo zgjedhë skllavërie  - nënvizoi Françesku - copëtohet falë vajosjes së Tij:

“Në këtë vajosje çdo mëkatar, çdo i munduar, i sëmurë, pagan - kudo që ndodhej - e ndjente veten anëtar të dashur të familjes së Zotit. Përmes gjesteve të Tij Jezusi u thoshte me ton personal: ti më përket. Ashtu si Pjetri, edhe ne mund të rrëfejmë, me buzët tona e me zemrën tonë, jo vetëm atë që dëgjuam, por edhe atë që e provuam në jetë. U ngjallëm, u mjekuam, u përtërimë, u mbushëm përplot me shpresë nga vajimi i Shenjtit. Çdo zgjedhë skllavërie u copëtua e ra, falë vajosjes së Tij”:

“Kjo dashuri përdëllyese - pohoi Françesku -  kërkon të shkojmë në të gjitha skajet e skutat e jetës e t’i takojmë të gjithë, edhe nëse kjo do të na kushtonte namin e mirë, rehatinë, pozitën…martirizimin”.

Nuk duhen dëgjuar “pëshpëritjet” e djallit

Të kundrosh jetën e Pjetrit dhe dëshminë e tij - shpjegoi Françesku - do të thotë edhe të mësohesh për t’i njohur tundimet, që e shoqërojnë jetën e dishepullit. Jo rrallë, edhe ne tundohemi të jemi të krishterë, duke ndenjur larg plagëve të Zotit. Po Jezusi nuk rri kurrë larg tyre.

Ashtu si Pjetri, si Kisha, do të tundohemi gjithnjë nga “këto përshpëritje” të djallit, pengesa, ku mund të marrësh më thua gjatë misionit. E i quaj “pëshpëritje”, sepse djalli josh gjithnjë tinzisht, duke u munduar që ne të mos e kuptojmë synimin e tij të vërtetë, vepron fshehurazi, nuk dëshiron kurrë t’i zbulohet fytyra e tij e frikshme.

Por i krishteri nuk mund të rrijë larg mjerimit njerëzor. Jezusi e prek këtë mjerim e na fton edhe ne të gjithëve të rrimë me Të e ta prekim me dorë korpin e munduar të të tjerëve, për t’ua lehtësuar dhimbjet, për t’ua mjekuar plagët.  Prej këndej, “të marrësh pjesë në vajimin e Krishtit - përfundoi Papa - do të thotë të marrësh pjesë në lavdinë e Tij, që  është Kryqi!”.

29 qershor 2018, 13:21