Kërko

 Papa viziton papritmas kooperativën OSA Papa viziton papritmas kooperativën OSA 

Papa viziton papritmas një fondacion për njerëz me kufizime të rënda

Papa viziton papritmas një fondacion, që kujdeset për njerëz me kufizime të rënda

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku u takua papritmas, mbrëmë, me Fondacionin  “Gjatë e pas nesh” si dhe me Kooperativën Osa, mbledhur në shtëpinë 4.5 në Romë. Aty - njofton Salla vatikanase e Shtypit - u njoh me një projekt kushtuar jetës dhe autonomisë së njerëve me kufizime të rënda. Ishin të pranishëm rreth dyqind vetë. Vizita zgjati rreth dy orë.

Dy fjalë për Fondacionin “Pas Nesh”

Fondacioni italian “Pas nesh Anffas Onlus” u themelua më 1984 nga familjet Anffas (Shoqata Kombëtare e familjeve të njerëzve me aftësi të kufizuara), që të mendonte për “Pas nesh”, domethënë, për t’i ndihmuar të afërmit me kufizime të rënda të vendosin si të jetojnë, ku e me kë, kur nuk do t’i kenë më pranë prindërit a familjarët.

Të mendosh për “Pas nesh”, do të thotë të mendosh edhe për të realizuar struktura e shërbime të përshtatshme për njerëzit me kufizime, duke ndjekur gjithnjë dëshirat dhe vullnetin e vetë njerëzve të sëmurë.

Të gjithë prindërit shqetësohen për ardhmërinë e fëmijëve të tyre, në të tëra fazat e jetës, me shpresë se, si të rriten, do të fitojnë pavarësinë, pa  harruar të kujdesen edhe për prindërit. Ndërsa prindërit e fëmijëve me kufizime të rënda, nuk e kanë këtë shpresë. Përkundrazi: e dinë fare mirë  se do t’u duhet të kujdesen për fëmijën e vet gjatë gjithë jetës.

Gjithsesi, kur mendohet për “Pas Nesh”, përpjekja për të shfrytëzuar çdo mundësi në ndihmë të rritjes dhe integrimit, shndërrohet në ankth.

E, natyrshëm, lind edhe pyetja dramatike: kush do të kujdeset për tim bir (teme bijë) me kufizime të rënda, kur unë të mos jem më pranë tij, për ta mbajtur gjallë? Thua do të mund të kujdesen për të vëllezërit, motrat a familjarët?

Pse lindi Fondacioni Kombëtar

Familjet Anffas, të angazhuara prej më se 60 vjetësh në mbrotjen e të drejtave të njerëzve me kufizime të intelektit dhe të neurozhvillimit, të vetëdijshme për fatin e tyre, qenë të parat që e përdorën termin “Pas Nesh”, duke u përpjekur të gjejnë përgjigje të përshtatshme për pyetjet dhe problemet, që lindin nga kjo situatë.

Pikërisht për këtë qëllim, themeluan, më 1984, Fondacionin Kombëtar “Pas Nesh”, të cilit ia besuan detyrën të nxisë kulturën e kujdesit për “Pas Nesh” dhe realizimin e strukturave dhe të shërbimeve të përshtatshme për ta vënë në jetë.

 

25 qershor 2018, 11:52