Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme 

Papa: të rinjtë kanë nevojë për jetë të shqetë, jo të rëndomtë

Të rinjtë kanë uri për jetë të vërtetë e të rriturit duhet t’u japin shembull e jo ta kenë zemrën të vogël, sa grimca. Kështu u shpreh Papa Françesku sot paradite, në audiencën e përgjithshme, duke nisur një cikël të ri katekizmi, kushtuar Urdhërimeve të Tënzot.

R. SH. - Vatikan

Janë Urdhërimet e Tënzot, zemra e ciklit të ri të katekizmit të Papës Françesku, që e nisi sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërsa të mërkurën e kaluar përfundoi ciklin e reflektimeve kushtuar Sakramenteve. Pikënisja e katekizmit të ri ishte pyetja e të riut të kamur, që e pyet Jezusin si mund të fitohet jeta e pasosur, pyetje, që e ka në zemër çdo njeri, gjithnjë në kërkim të “jetës të përsosur e të pasosur”. Disa, për ta arritur, e bjerrin jetën, duke rendur pas “gjërave kalimtare”. Të tjerë mendojnë se është më mirë ta shuajnë këtë shtysë, sepse tejet e rrezikshme,

Armiku më i keq është ligështia, të rinjtë duhet të jenë të shqetë

Por - vërejti Papa - duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve – “armiku ynë më i keq nuk janë problemet konkrete, sado  serioze e dramatike të jenë: rreziku më i madh  i jetës është shpirti i keq i përshtatjes, që nuk është butësi e as përvujtëri, por mediokritet, ligështi, frikë”. Françesku i nxiti me forcë të rinjtë të mos kënaqen me jetë të rëndomtë. I lumi Pier Giorgio Frassati - në lule të rinisë - thoshte  se të rinjtë duhet të jetojnë, jo të ecin rrëshqanas, të zvarriten. Zvarrë hiqen mediokrit. Të rinjtë e vërtetë e jetojnë me forcë jetën. I duhet kërkuar Atit Qiellor dhurata e shqetësimit të bukur për të rinjtë.

Aq e vërtetë është kjo, sa kur një i ri rri ulur gjithë ditën e lume, prindërit mendojnë se është i sëmurë e rendin menjëherë tek mjeku. Po të rinjtë nuk duhet ta jetojnë kështu jetën e tyre rinore. Duhet të jenë të uritur e të etur për jetë të vërtetë, pa u kënaqur kurrë me një gjallim pa pikë bukurie sepse - pyeti Papa - ku do të shkonte njerëzimi me të rinj të qetë? Që nuk trazohen për asgjë! Ndërsa bota ka nevojë për të rinj të shqetë, gjithnjë në kërkim të jetës së vërtetë, që nuk arrihet lehtë.

Pranimi i caqeve është kalim nga rinia në pjekuri

Françesku nënvizoi, më pas, se Jezusi i gjegjet të riut pasanik me një pjesë të Dekalogut: bëhet fjalë për “një proces pedagogjik”, ngaqë është e qartë se ky njeri nuk ka jetë të plotë. E kalimi nga rinia në pjekuri ndodh pikërisht kur i riu nis t’i “pranojë kufizimet e tij”, të bëhet i ndërgjegjshëm për çka i mungon. Jeta është e çmuar, por është edhe një e vërtetë tjetër, që në shekujt e fundit njeriu shpesh e   refuzoi, me pasoja tragjike: “e vërteta mbi  caqet e veta” .

Jo, zemrës së ligështuar, të krishterët të japin shembullin e “ecjes përtej”

I riu i kamur duhet të bënte një hop cilësor, që të arrijë atje, ku krijohet mundësia për të mos jetuar më për vetveten. E propozimi përfundimtar, që i bën Jezusi, nuk është ai i varfërisë, por i pasurisë së vërtetë. Sepse, duke e humbur thesarin mbi tokë, do të fitonte një tjetër, edhe më të çmuar, në qiell.

Pikërisht kjo është sfida: të gjesh origjinalin në jetë, jo kopjen. Jezusi nuk ofron  surrugate, por jetë të vërtetë, dashuri të vërtetë, pasuri të vërtetë! E si mund të na ndjekin të rinjtë në fe, nëse nuk shihen duke zgjedhur origjinalin, nëse mësohen  me jetë gjysmake? Gjë e keqe të gjesh të krishterë gjysmakë, të krishterë – më lejoni të përdor fjalën - “xhuxhimaxhuxhë” - që lëshojnë shtat deri në një farë moshe e pastaj bëhen të krisherë me zemër të mbyllur, të vogël sa grima. Punë e keqe, kjo. Dikush duhet t’u japë shembull për të shkuar më përtej, pak më tutje, për t’u rritur paksa.

Shën Injaci e quante “magis” këtë kërkim për më shumë. E Papa pati për qëllim që, me këtë katekizëm të ri, të marrë dy rrasat e Moisiut, për të kaluar nga iluzionet e rinisë, tek thesari, që është në qiell, duke ecur pas Tij.

13 qershor 2018, 12:59