Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Të këputen zinxhirët e skllavërisë Të këputen zinxhirët e skllavërisë 

Papa: të dëgjohet britma për ndihmë e viktimave të trafikut

Papa Françesku i dërgon një mesazh Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit, me rastin e Ditës së ardhshme për jetën, më 17 qershor, kushtuar trafikut të qënieve njerëzore.

R.SH. - Vatikan

I kushtohet tragjedisë së trafikut të njerëzve, edicioni 2018 i Ditës për jetën, që Kisha e Anglisë dhe e Uellsit do ta kremtojë më 17 qershor. Nisma promovohet çdo vit nga Konferenca Ipeshkvnore për të sensibilizuar opinionin publik mbi “rëndësinë dhe vlerën e jetës në çdo fazë e kusht”.

Të mos i mbyllim sytë para tragjedisë së trafikut

         Me këtë rast, Papa Françesku u dërgon ipeshkvijve një mesazh, në të cilin i lutet “Zotit të mëshirës” që, me ndërmjetësimin e shën Jozefina Bakitës, pajtore e viktimave të trafikut dhe e skllevërve të kohës sonë, “të këputen zinxhirët e këtij burgu të tyre”. Ati i Shenjtë i kërkon Zotit “t’i lirojë të gjithë ata, që kërcënohen, plagosen, ose keqtrajtohen nga tregtia e nga trafiku i njerëzve, si edhe t’u japë ngushëllimin e vet të mbijetuarve nga këto mizori”. Pastaj, bën thirrje “që të gjithë t’i hapin sytë, ta shohin mjerimin e të privuarve nga dinjiteti e nga liria, ta dëgjojnë britmën e tyre për ndihmë”.

Kujdes për të varfërit dhe për viktimat e skllavërive moderne

         Në një notë, ipeshkvijtë anglezë shpjegojnë nismën, duke kujtuar ç’ka shkruar Papa Françesku në Nxitjen Apostolike “Gaudete et Exsultate” mbi dinjitetin e çdo njeriu. I referohen veçanërisht pjesës ku Papa pohon se “mbrojtja e të pafajshmit të palindur akoma duhet të jetë e qartë, e vendosur dhe e apasionuar, sepse është në lojë dinjiteti i jetës së njeriut, gjithnjë e shenjtë… Po aq e shenjtë është jeta e të varfërve, që kanë lindur tashmë, por që luftojnë me mjerimin, braktisjen, përjashtimin, trafikun e njerëzve, eutanazinë e fshehur të të sëmurëve e të të moshuarve të privuar nga kurat, me format e reja të skllavërisë e me çdo formë mënjanimi”.

Grupi i Shën Martës kundër trafikut

         Konferenca ipeshkvnore e Anglisë dhe e Uellsit impenjohet prej kohe kundër trafikut të njerëzve dhe formave moderne të skllavërisë. Primati anglez, kardinali Vincent Nichols, kryeson Grupin e Shën Martës, aleancën globale të krerëve të policisë, të ipeshkvijve dhe të bashkësive fetare, e cila punon në bashkëpunim me shoqërinë civile në luftën kundër këtyre plagëve. Grupi e merr emrin nga banesa e Papës Françesku, ku anëtarët themelues të Rrjetit qëndruan në vitin 2014, para se të nënshkruanin, në praninë e Atit të Shenjtë, deklaratën historike të impenjimit të tyre. Në Grup bëjnë pjesë aktualisht rreth 30 vende. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, çdo vit, vlerësohet se viktimat e trafikut të njerëzve arrijnë në 13 mijë vetë.

07 qershor 2018, 17:35