Papa Françesku në takimin e sotëm me Roaco Papa Françesku në takimin e sotëm me Roaco 

Papa Roaco-së: shqetësim i madh për Lindjen e Mesme

Lindja e Mesme rrezikon të mbetet pa të krishterë. Françesku e kujtoi këtë, duke folur sot paradite, në Vatikan, me 100 pjesëmarrësit në Asamblenë e 91- plenare të Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), punimet e së cilës u mbyllën sot, në Romë. Padi e fortë, fjalimi i Papës, kundër interesave ndërkombëtare, objekt i të cilave është kjo zonë.

R. SH. - Vatikan

Desha t’jua lexoj fjalimin e përgatitur, por, me që shqetësimi për Lindjen e Mesme është tepër i madh, më lejoni t’ju flas lirisht - me këto fjalë iu drejtua Papa pjesëmarrësve në Plenaren e Roaco, duke e quajtur këtë takim, shumë të rëndësishëm.

Lindja e Mesme sot është udhëkryq situatash të vështira, të mundimshme, e atje ndjehet edhe rreziku - nuk po them dëshira e ndokujt - që të krishterët të zhduken. Por Lindja e Mesme pa të krishterë, nuk do të ishte Lindje e Mesme.

Shikim sundimtarësh, ai i fuqive të mëdha

“Lindja e Mesme sot vuan, qan - vazhdoi Françesku - e fuqitë botërore e shikojnë Lindjen e Mesme me shumë shqetësim për kulturën, fenë, jetën e këtyre popujve, por po, e shikojnë sidomos për t’ia zhvatur ndonjë copë e për ta sunduar edhe më shumë”. Në fakt - pohoi Papa - numri i të krishterëve në këto troje, djep i krishterimit, vijon të pakësohet. “E shumë nga ata, që kanë ikur, nuk duan të kthehen më, sepse vuajtja është tejet e fortë e njeriu ka vetëm një jetë!”.

Pasuri të mëdha, për t’u ruajtur

Puna juaj në ndihmë të Lindjes së Mesme - pohoi Papa në takimin me Roaco - është e madhe e unë ju falënderoj shumë. Sa pasuri ka në Kishat e Lindjes së Mesme - theksoi - teologjia e tyre. Liturgjitë. Duhet ta ruajmë këtë traditë të madhe e të luftojmë për të. “Ajo është edhe lëngu - nëse mund të shprehemi kështu - që vjen nga rrënjët, për t’i dhënë jetë shpirtit tonë në Perëndim, për të na mësuar udhën e kundrimit, të shenjtërisë”.

Çështja e emigracionit

Papa foli, më pas, për problemin më të rëndë, që duhet të përballojë Lindja e Mesme, atë të emigracionit. E kujtoi Libanin, ku gjysma janë libanezë e gjysma tjetër, refugjatë sirianë, që i mikpret vendi. Po kështu Jordania, Turqia e Evropa. E më pas kujtoi edhe vizitën e tij në Lesbo, në Greqi. Shumë refugjatë, edhe aty, e jo më pak, në Itali:

“Është një mëkat i madh në Lindjen e Mesme, e vuajnë njerëzit e mjerë. Mëkati i dëshirës së shfrenuar për pushtet, mëkati i luftës, përherë më i fortë, më i fortë, më i fortë… Edhe me armë të stërholluara. E njerëzit e varfër vuajnë. Vuajnë fëmijët”.

Vuajtja e njerëzve

Sot, në Lindjen e Mesme, ka pak shkolla, pak spitale - nënvizoi Papa - sepse bombardimet rrënojnë gjithçka. Mëkat i madh, lufta. Por Françesku denoncon edhe një mëkat tjetër të madh në Lindjen e Mesme: mëkatin tonë. E kujton:

“Mëkati i mospërputhjes së fesë me jetën. Ka - ndoshta jo shumë, por vetëm disa – priftërinj, e edhe ndonjë ipeshkëv a kongregatë rregulltare, që flasin për varfëri, por jetojnë në pasuri. E Roaco merr para edhe nga vejushat, siç tha kardinali Prefekt, si simbol: merr atë pak e gjë, që e dhurojnë të varfërit, për të varfërit. E unë do të dëshiroja që këta epulonë-rregulltarë, të krishterë e ndonjë ipeshkëv a kongregatë rregulltare - të zhvisheshin më shumë nga të mirat e botës, në favor të vëllezërve, të motrave.

Të kultivohet shpresa në Lindjen e Mesme

Fjala e fundit e Françeskut, ishte fjalë shprese: “Zoti nuk do të na lërë vetëm – përfundoi – e për këtë them se Lindja e Mesme është vetë shpresë, shpresë që duhet ta kultivojmë. Ashtu si po bëni ju – u tha Papa 100 pjesëmarrësve në Asamblenë e 91- plenare të Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), punimet e së cilës u mbyllën sot, në Romë.

 

 

22 qershor 2018, 17:30